Javën e parë të qershorit Ligji për migracionin e fuqisë punëtore të kualifikuar kaloi në parlamentin gjerman. Më 28 qershor ai do të trajtohet edhe në Këshillin Federal. Paketa ligjore për migracionin pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2020 dhe përmban shtatë elementë, ndër të cilat, më të diskutueshmet janë.
– Ligji për migracionin e fuqisë punëtore të kualifikuar (Fachkräftezuwanderungsgesetz),
– Ligji për një zbatim më të mirë të kthimit të detyrueshëm (Geordneter-Rückkehr-Gesetz),
– Ligji për asistencën për azilkërkuesit (Asylbewerberleistungsgesetz),
– Ligji i tolerimit me qëllim punësimi ose arsimimi (Beschäftigungs- und Ausbildungsduldungsgesetz).
Në seancën e datës 28 qershor 2019, Këshilli Federal (Bundesrat) do të vendosë se a do të miratohet e gjithë pakoja njëherazi apo disa pjesë të saj do të kalojnë edhe një herë për rishqyrtim në Komisionin e Ndërmjetësimit.
Ligji për migrimin e punëtorëve të kualifikuar
Synimi i tij është që të lehtësojë migrimin ekonomik në Gjermani të shtetasve të huaj me prejardhje nga jashtë BE-ja. Kjo pasi Gjermania ka mungesa të mëdha për punëtorë të kualifikuar. Ligji parashikon që çdo person me një kontratë pune dhe një kualifikim në vendin e prejardhjes ka të drejtë të punojë në Gjermani.
Çfarë ndryshon në krahasim me ligjin aktual të migracionit
– Nuk ka më kufizim vetëm në disa profesione, pra, çdo zanatçi ka të drejtë të vijë në Gjermani.
– Në tregun e punës do të jenë të gjithë të barabartë, pavarësisht nga prejardhja. Shtetasit gjermanë ose të BE-së nuk trajtohen më me përparësi në tregun e punës.
Viza për të kërkuar punë:
Për t’u lehtësuar shtetasve të huaj gjetjen e vendit të punës, do t’u jepet e drejta të vijnë gjashtë muajnë Gjermani për të kërkuar vend pune:
Kushtet që duhet të plotësojnë ata për këtë janë:
– Nuk do të marrin ndihmë sociale nga shteti, pra, duhet të dëshmojnë se kanë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar gjatë kësaj periudhe Ky rregull do të vlejë fillimisht vetëm për pesëvjet.
– Ligji i ri gjithashtu lehtëson mundësinë për të bërë kurse kualifikimi shtesë në Gjermani, për të arritur kështu barazimin e kualifikimit të migrantit me atë gjerman.
Cilat janë ndryshimet që pësoi projektligji në Parlament?
Në 7 qershor ligji kaloi në parlamentin gjerman, Bundestag, por pësoi disa ndryshime të vogla, ndër të tjera:
– U bë edhe më e lehtë mundësia për të ardhur në Gjermani për të mësuar një zanat, pa qenë nevoja që të kesh përfunduar një shkollë që të kualifikon për të studiuar në Gjermani. Mjafton shkolla në vendin e prejardhjes.
– Shtetasit e huaj mbi 45 vjeç që vijnë për të punuar në Gjermani, duhet të kenë një kontratë pune me një pagë minimale të caktuar (aktualisht 3685 Euro / në muaj) ose të dëshmojnë se e kanë të siguruar pensionin e pleqërisë.
Çfarë pritet të ndodhë në Këshillin Federal?
Komisionet e punës të Këshillit Federal këshillojnë që ligji të miratohet, por ato i bëjnë thirrje qeverisë që të kontrollojë edhe efektet e zbatimit të ligjit dhe ta përmirësojë atë nëse tregu i punës do të vazhdojë të ketë mungesa të theksuara.
Ligji i tolerimit me qëllim punësimi ose arsimimi (Beschäftigungs- und Ausbildungsduldungsgesetz)
Ish-refugjatët dhe ish-azilantët që nuk u takon të qëndrojnë në Gjermani, por tolerohen, pra, janë me Duldung, do të kenë dy mundësi për të rregulluar statusin:
– Duke mësuar një profesion (Ausbildungsduldung)
Kjo mundësi ekziston që tani, por është zgjeruar edhe me profesionet ndihmëse dhe të asistencës. Kush siguron një vend pune pas shkollës, fiton njëherë një leje qëndrimi dyvjeçare.
– Nëse je i punësuar (Beschäftigungsduldung)
Kjo mundësi është risia më e debatuar në ligjin e migracionit. Specialistët e fushës e quajnë edhe “ndryshimi i korsisë”, në të shumtën e herëve, nga azilant i refuzuar, ose migrant i parregullt, në migrant të rregullt:
Cilat janë kushtet për këtë legalizim të qëndrimit?
– Pavarësia nga asistenca sociale, integrimi i mirë
– Së paku 12 muaj me Duldung.
– Identiteti të jetë i qartë
– Të ketë qenë prej 18 muajsh në marrëdhënie pune me kohë të plotë (min. 35 orë në javë)
– Njohuri gjuhe të mjaftueshme
Ndryshimi që pësoi ligji në Parlamentin gjerman
Deputetët i shtuan projektligjit të parashtruar nga qeveria vetëm një kufizim: Ligji vlen vetëm për ata azilantë që kanë ardhur në Gjermani para datës 1 gusht 2018.
Çfarë pritet të ndodhë në Këshillin Federal?
Komisioni i punës, integrimit dhe politikës sociale kërkon ndryshimin e ligjit, sidomos përsa i përket rregullit 3+2, për shkollimin ( deri në 3 vjet) dhe punësimin (2 vjet) dhe kërkojnë lehtësime të tjera në favor të refugjatëve. Dy komisione të tjera, Komisioni i Punëve të Brendshme dhe Komisioni i Ekonomisë, janë për miratimin e ligjit. Të premten, më 28 qershor, do të shihet se a do të miratohet kjo pjesë e ligjit, apo do të dërgohet në Komisionin e Ndërmjetësimit.
Deutsche Welle