Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar dëshmitë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Ajo u shpreh se Dumani nuk mund të nxjerrë emra politikanësh.
Sipas Lalës, ligji thotë se dëshmia duhet të jetë e shoqëruar me prova të tjera.
Pjesë nga diskutimet në studio:
Lala: SPAK sot ka në dorë çelësin e kasaforte shumë të rëndësishme. Dëshmia e Dumanit përputhet me sistemin TIMS.
Në informacionet që unë disponoj, Dumani nuk ka dhënë një dëshmi të vetme. Dëshmia e parë është dhënë në shtratin e spitalit, ku ishte shumë i rrezikuar, madje edhe sot është i rrezikuar, pasi plumbin e ka në mushkëri dhe do të jetojë me atë plumb sa të ketë jetë. Në disa nga dëshmitë e tij, rezulton që Nuredin Dumani nuk ka folur për porosi të marra direkt nga politikanë, por në mënyrë indirekte. Pra, për një politikan të caktuar, ka thënë se nga persona të dytë e tretë, më kanë thënë se X politikan ka pasur interes për të kryer një ngjarje. Deri më tani, kështu janë dëshmitë e tij. Deri tani jemi në këtë situatë, ka folur për të dhëna të marra në mënyrë indirekte. Ka folur edhe për ekzekutime, ku ka dhënë akuza direkte. Vetë rezulton të jetë i përfshirë në 10 vrasje. Në vrasjen e vëllait të Talo Çelës, ai thotë se ka shkuar vetë me dy bashkëpunëtorë dhe donte ta vriste vetë me duart e tij, me pistoletën që i kishte dhënë vetë Talo Cela, por pistoleta nuk i ka shkrepur.
Ato që thotë Nuredin Dumani, përkojnë katërcipërisht me pamjet filmike të kësaj vrasjeje. Ka folur dhe për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, ku ka qenë pjesëmarrës vetë. Ka ngjarje, ku nuk ka qenë në rolin e ekzekutorit, por të organizatorit. Unë e shikoj atë si një çelës, sepse ai flet për ngjarje kriminale që kanë ndodhur në Elbasan, Durrës, Lezhë, Shkodër. Ne kemi dosje hetimore që janë konkrete. Prokuroria ka tërhequr 20 dosje nga prokuroritë e rretheve, sepse përkojnë me këtë ngjarje. I penduar është edhe bashkëpunëtori i tij. Për vrasjen e Elton Kiles, aty ku Dumani shkoi të bënte atentatin e fundit dhe mbeti i plagosur, jep dy emra se nga e ka marrë porosinë. Në dijeninë time, SPAK e ka ripyetur në dritën e fakteve të reja. SPAK do duhet të tregojë integritetin e vet si institucion, pikërisht aty ku preket politika. Së pari, do duhet të mos intimidohet, të kryejë hetime të thelluara.
Nuk mendoj se do të ndodhë, që Dumani të nxjerrë emra, sepse ligji thotë se dëshmia duhet të jetë e shoqëruar me prova të tjera. Nuk mund të flasë në ajër. Dëshmia e tij do duhet të përputhet minimalisht me një të dhënë tjetër. Nuk është e lehtë të manipulohet një dëshmitar, sepse një dëshmi e vetme nuk ka vlerë para ligjit.