Nga Prof. Akademik Anastas Angjeli
Liderët e vendeve më të zhvilluara të G7, në takimin e tyre të fundit disa ditë më parë shprehën angazhimin e plotë për mbështetjen e gjithanshme të Ukrainës në këtë luftë dhe njëhershmi për marrjen e masave për t’u përballur me pasojat e krizës ekonomike globale që ka shpërthyer si pasojë e saj, veçanërisht ajo energjetike (naftës, gazit), e ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit me mallrat e ekonomive të vendeve të ndryshme, e dobësimit të sigurisë globale ushqimore, rritjes së çmimeve dhe inflacionit të lartë global.
Me këtë shqetësim diskutuan më pas ministrat e Ekonomisë të këtyre vendeve. Por, për të konkretizuar masat dhe qëndrimet shërbeu Samiti i Ministrave të Financave të vendeve të G7, që u mbajt gjatë fundjavës që lamë pas (18-20 maj 2022). Por cilat ishin?
ÇËSHTJET KRYESORE QË DISKUTOI SAMITI
Në këtë samit që u zhvillua në Bonn dhe Königsëinter u takuan ministrat e Financave dhe guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të G7-ës. Ky ishte takimi i tretë i tyre gjatë presidencës gjermane të G7-ës dhe sigurisht mund të konsiderohet si takimi më i rëndësishëm. Kjo, sepse ky takim u zhvillua në një periudhë ku lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në muajin e tretë të saj, duke u shndërruar në një konflikt afatgjatë dhe ndikimet e kësaj lufte janë kthyer në shqetësimin kryesor të qeverive të vendeve të G7-ës (dhe jo vetëm), duke vendosur nevojën për një koordinim sa më efektiv të qëndrimeve dhe politikave në qendër të vëmendjes së politikëbërjes së vendeve me ekonomitë më të zhvilluara të botës.
Solidariteti me Ukrainën dhe nevoja për një mbështetje ekonomike për qeverinë e saj, e cila po përballet me vështirësi të shumta për të përmbushur detyrimet e përditshme si pasojë e luftës, ishte motivi që mbizotëroi në deklaratat e ministrave të Financave përpara fillimit të bisedimeve.
Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, deklaroi se është e rëndësishme të sigurohet likuiditeti i nevojshëm i shtetit ukrainas dhe u shpreh optimist për arritjen e mbledhjes së fondeve që do t’i lejojnë Ukrainës të mbrohet në muajt e ardhshëm. Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen, gjithashtu deklaroi se perspektiva ekonomike globalisht është sfiduese dhe e pasigurt dhe se çmimet më të larta të ushqimeve dhe energjisë kanë efekte stagflacioniste, domethënë duke ulur prodhimin dhe shpenzimet dhe duke rritur inflacionin në të gjithë botën.
Pra, në fokus të bisedimeve treditore sigurisht që ishin edhe çështje të tjera të rëndësishme. Këtu mund të përmendim stabilitetin makroekonomik dhe sfida të rëndësishme, me të cilat përballet ekonomia globale, efektet ekonomike globale të luftës në Ukrainë, ndikimet e ndryshme të pandemisë së koronavirusit, inflacionin (veçanërisht rritjen e çmimeve të energjisë), siguria globale ushqimore dhe nevojën për të siguruar rritje të qëndrueshme afatgjatë, rolin e rëndësishëm që financat publike të qëndrueshme dhe një sistem financiar elastik mund të luajnë në nxitjen e një rimëkëmbjeje afatgjatë globale nga kriza aktuale. Proceset e transformimit në fushat e dixhitalizimit dhe neutralitetit të klimës, borxhi i vendeve në zhvillim si dhe rimëkëmbja globale në periudhën e postpandemisë ishin të tjera çështje që u diskutuan gjerësisht gjatë tri ditëve të samitit.
Ditët që i paraprinë takimit të ministrave të Financave të vendeve të G7-s ishin ditë të mbushura me njoftime për ofrimin e një ndihme të konsiderueshme për Ukrainën. Kështu, Komisioni Evropian ofroi dhënien deri në 9 miliardë euro kredi për Ukrainën, të financuara nga një kredi evropiane e garantuar nga qeveritë e BEsë, për të përmbushur nevojat e Kievit deri në fund të qershorit. Japonia njoftoi se do të dyfishojë ndihmën e saj për Ukrainën në 600 milionë dollarë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojave të saj afatshkurtra.
Komisioni propozoi gjithashtu ngritjen e një fondi me grante dhe kredi të paspecifikuara për Ukrainën, ndoshta nëpërmjet huamarrjes së përbashkët të BE-së, për të mbuluar rindërtimin e saj të pasluftës. Me shuma të kësaj madhësie në lojë, BE-ja po shqyrton jo vetëm një plan të ri të përbashkët kredie, bazuar në modelin e fondit të rimëkëmbjes së pandemisë, por edhe sekuestrimin e aseteve ruse të ngrira tani në BE si burime financimi. Megjithatë, disa vende, si Gjermania, argumentojnë se ideja, megjithëse politikisht interesante, bazohet në baza juridikisht të paqëndrueshme.
Takimi i ministrave të financave të vendeve të G7-s u mbështet në një terren të tillë pozitiv dhe erdhi si një përpjekje për t’u dhënë një përgjigje të koordinuar sfidave, me të cilat përballet sot (dhe do të përballet edhe pas përfundimit të luftës) Ukraina, por edhe sfidave me të cilat po përballet ekonomia globale. Por çfarë u arrit dhe cilat ishin…
KONKLUZIONET E DEKLARATËS SË PËRBASHKËT NË SAMIT
Pjesa kryesore e deklaratës së përbashkët, ashtu siç ishte e pritshme, i ishte dedikuar luftës së Rusisë në Ukrainë, mbështetjes së pakufizuar që vendet e G7-s i japin Ukrainës, dënimit të agresionit rus dhe konsiderimit të Rusisë si shkaktare jo vetëm e luftës, por edhe e të gjitha efekteve negative që ky agresion ka shkaktuar në ekonominë globale. Gjithashtu, ritheksohet vendosmëria për të vazhduar me sanksionet ekonomike, të cilat kanë si qëllim izolimin e Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.
Në lidhje me mbështetjen ekonomike të Ukrainës, ministrat e Financave të G7-s theksuan se u japin rëndësi të veçantë nevojave imediate financiare të Ukrainës. Në deklaratën përfundimtare theksohet se: “Në vitin 2022, ne kemi mobilizuar 19.8 USD mbështetje buxhetore, duke përfshirë 9.5 miliardë USD të angazhimeve të fundit për të ndihmuar Ukrainën të mbyllë hendekun e saj financiar dhe të vazhdojë të sigurojë ofrimin e shërbimeve bazike për popullin ukrainas. Për më tepër, ne mirëpresim punën e vazhdueshme në të gjithë G7-s dhe institucioneve financiare ndërkombëtare për financim të mëtejshëm të konsiderueshëm për Ukrainën, veçanërisht duke përfshirë propozimin e Komisionit Evropian për 9 miliardë euro shtesë asistencë makrofinanciare. Mbështetja e planifikuar shtesë për ndërmarrjet shtetërore të Ukrainës dhe sektorin privat nëpërmjet Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare arrin në 3.4 miliardë USD”.
Në lidhje me vështirësitë e shkaktuara nga lufta për zinxhirin e furnizimeve ushqimore në rang botëror në deklaratën përfundimtare shprehet shqetësimi i vendeve të G7-ës në lidhje me situatën dhe me faktin se vendet më të varfra dhe komunitetet më të margjinalizuara brenda të gjitha shoqërive janë ato që janë prekur më shumë nga kjo situatë.
“Ne jemi të përkushtuar për të zbutur këto ndikime të dëmshme të luftës dhe mbështesim plotësisht aksionin shumëpalësh të iniciuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Ne mbështesim plotësisht përgjigjen e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe mirëpresin Planin e Veprimit për Adresimin e Pasigurisë Ushqimore, si një platformë adekuate për kanalizimin e veprimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe palëve të tjera të interesuara. Ne mirëpresim gjithashtu Aleancën Globale për Sigurinë Ushqimore që nisi punimet dje më, 19 maj 2022, nga G7 dhe e mbështetur nga Banka Botërore dhe mirëpresim veprime konkrete të planifikuara nga iniciativa të ndryshme ndërkombëtare”.
Një pikë tjetër e rëndësishme e cekur në deklaratën përfundimtare ishte edhe rëndësia e stabilitetit makroekonomik dhe e vendosmërisë së vendeve të G7-ës për të një rimëkëmbje globale të qëndrueshme duke siguruar një ekonomi globale të hapur dhe një bashkëpunim ndërkombëtar efektiv.
Në lidhje me problemin e inflacionit, me të cilin po përballen sot ekonomitë e vendeve më të zhvilluara (por jo vetëm), në deklaratë theksohet se: “Në shumicën e vendeve të G7-ës, normat e inflacionit kanë arritur nivele të papara për dekada si pasojë e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila po shkakton rritje të konsiderueshme në çmimet e mallrave, energjisë dhe ushqimeve. Bankat qendrore të G7-ës po monitorojnë nga afër ndikimin e presionit të çmimeve mbi pritjet inflacioniste dhe do të vazhdojnë të kalibrojnë siç duhet ritmin e shtrëngimit të politikës monetare në një mënyrë të varur nga të dhënat dhe të komunikuara qartë, duke siguruar që pritjet për inflacionin të mbeten të ankoruara mirë, duke qenë të ndërgjegjshëm për t’u mbrojtur rikuperimi dhe kufizimi i përhapjeve negative ndërshtetërore. Ne do të vazhdojmë gjithashtu nga afër monitorojmë tregjet. Ne rikonfirmojmë angazhimet tona për kursin e këmbimit si është elaboruar në maj 2017″.
Pika të tjera të rëndësishme të deklaratës përfundimtare kishin të bënin me vazhdimin e përpjekjeve të koordinuara për të luftuar pandeminë sidomos në vendet e varfra si dhe mbështetjen për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, mbështetja për zhvillimin e dixhitalizimit në nivel global dhe rikonfirmimin e arritjes së qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit në lidhje me ndryshimet klimatike.
Tri ditët e takimeve të ministrave të Financave të vendeve të G7-ës ishin një rikonfirmim i mbështetjes (financiare, por edhe asaj politike) ndaj Ukrainës. Gjithashtu, ishte një përpjekje për të koordinuar qëndrimet dhe politikat e përbashkëta në fushën e financave në nivel global në një periudhë shumë të vështirë si për Ukrainën, por edhe për pjesën tjetër të botës. Serioziteti dhe vendosmëria e treguar gjatë këtyre ditëve është shpresëdhënëse për tejkalimin e kësaj situate dhe vendosjes së themeleve për të ardhmen e afërt postluftë.