Në selinë blu po zhvillohen sot zgjedhjet e Rithemelimit për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, ku Sali Berisha kandidon përballë rivalit të tij Ibsen Elezi.
Ndërkohë ka patur edhe një reagim nga ana e ish-liderit të kësaj force politike, Lulzim Basha.
Duke mos i përmendur zgjedhjet e sotme, ai ka zgjedhur që të rikujtojë disa nga personalitetet që u vranë gjatë periudhës së komunizmit, si Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoji, në Revoltën e Qafë-Barit. Basha shprehet ndër të tjera se mbetjet e komunimizit nuk duhet lejuar të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të shkuarës, për të mos e marrë kurrë lirinë si të mirëqenë.
“Me 22 maj 1984, 11 vite pas kryengritjes së Spaçit, në një tjetër burg mizor të diktaturës komuniste ringriti krye shpresa për liri dhe kundër padrejtësisë. Sot përulemi me respekt para heroizmit të martirëve të revoltës së Qafë-Barit, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, dhe qindra bashkëvuajtësve të tyre, të burgosur politikë që sfiduan me kurajë regjimin gjakatar nga brenda kampit të vuajtjes, ku dhuna e egër ishte e vetmja gjuhë me të cilën diktatura u komunikonte mizoritë e saj njerëzve të lirë, që nuk u dorëzuan kurrë përballë regjimit. Revolta e Qafë Barit është pjesë e trashëgimisë politike të rezistencës antikomuniste, e bashkë me vendet e kujtesës, përbën një pasuri shpirtërore dhe kulturore që duhet mbrojtur e nderuar për të mos lejuar që harresa të fshijë vuajtjet dhe sakrificat që farkëtuan shpirtin e rezistencës ndaj regjimit mizor, për të mos lënë mbetjet e komunimizit të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të shkuarës, për të mos e marrë kurrë lirinë si të mirëqenë. Lavdi përjetë martirëve të Revoltës së Qafë Barit”, ka zgjedhur të shkruajë Basha, pikërisht në momentin kur Sali Berisha po votonte për veten në Selinë e Partisë Demokratike- shkuran Basha.