Nga Joel Christensen
“The Conversation”
Çdo Shën Valentin, kur shoh imazhe të Kupidit topolak që vë në shënjestër me harkun dhe shigjetën e tij “viktimat”, fokusohem tek leksionet që kam marrë si studiues i poezisë dhe miteve të hershëm greke, duke reflektuar mbi domethënien e këtij imazhi dhe natyrës sëdashurisë.
Në kulturën romake, Kupidi ishte fëmija i Perëndeshës Venus, e njohur sot gjerësisht edhe si Perëndesha e Dashurisë, dhe e Marsit, Perëndisë së Luftës. Por dikur, siç e tregojnë mitet dhe tekstet e lashta, ajo ishte në fakt hyjnia mbrojtëse e “marrëdhënieve seksuale” dhe e “krijimit të njeriut”.
Emri Kupid (Cupid), i cili vjen nga folja latine ‘cupere’, do të thotë dëshirë, dashuri ose epsh. Por në kombinimin e çuditshëm të trupit të një foshnje me një armë vdekjeprurëse, së bashku me prindërit e lidhur me dashurinë dhe luftën, Kupidi, është një figurë kontradiktore, një simbol i konfliktit dhe i dëshirës.
Shpeshherë kjo histori nuk pasqyrohet në festimet e sotme të Shën Valentinit. Në fakt kjo e fundit ka nisur një festë e Shën Valentinit të Romës. Sikurse e shpjegon Kandida Mos, studiuese e teologjisë dhe antikitetit të vonë, romanca e brendshme e reklamave në këtë festë, mund të ketë të bëjë më shumë me Mesjetën sesa me Romën e lashtë.
Kupidi me krahë, ishte i preferuari i artistëve dhe autorëve në Mesjetë dhe Rilindjes. Por për ta, ai ishte më shumë se sa vetëm një simbol i dashurisë. Kupidi i romakëve ishte ekuivalenti i perëndisë greke Eros, prejardhja e fjalës “erotik”. Në Greqinë e lashtë, Erosi shihej shpesh si djali i Aresit, Perëndisë së Luftës dhe i Afërditës, Perëndeshës së Bukurisë, por edhe i seksit dhe epshit.
Erosi grek shfaqet shpesh në ikonografinë e hershme greke së bashku me Erosët e tjerë, një grup zotash me krahë, që lidheshin me dashurinë dhe marrëdhëniet seksuale. Këto figura të lashta, paraqiteshin shpesh si adoleshentë më mëdhenj në moshë.
Trupat me krahë, personifikoheshin ndonjëherë si një treshe:eros (epshi), himeros (dëshira) dhe pothos (pasion). Por kishte versione më të reja dhe më të këndshme të Erosit. Përshkrimet e artit nga shekulli V Para Krishtit, e tregojnë Erosin si fëmijë duke tërhequr një karrocë mbi një vazo me figura me ngjyrë të kuqe.
Një punim në bronz i një Erosi në gjumë nga periudha helenistike e shekullit II Para Erës Sonë, e tregon gjithashtu atë si fëmijë. Ndërkohë në kohën e Perandorisë Romake, u bë më i zakonshëm imazhi i Kupidit të vogël topolak.
Poeti romak Ovidi, shkruan për dy lloje shigjetash që kishte Kupidi:njëra plotësonte dëshirën e pakontrollueshme, dhe një tjetër që e mbushte me neveri objektivin e tij. Një përshkrim i tillë i hyjnive greke dhe romake, që bartnin fuqinë për të bërë të mirën dhe të keqen, ishte mëse i zakonshëm.
Për shembull perëndia Apollon, mund t’i shëronte njerëzit nga sëmundjet, ose të shkaktonte një murtajë për ta shkatërruar një qytet. Po ashtu, mitet e mëparshme greke e bënin të qartë se Erosi nuk ishte thjesht një forcë shpërqëndruese.
Në fillim të veprës “Teogonia“ të Hesiodit – një poemë që rrëfen historinë e krijimit të Universit, të treguar përmes riprodhimit të perëndive – Erosi shfaqet herët si një forcë e nevojshme natyrore, pasi ai “trazon gjymtyrët, mendjen, dhe këshillat e të gjithëve, si të vdekshmëve ashtu edhe Perëndive”.
Kjo linjë ishte një njohje e fuqisë së dëshirës seksuale edhe mbi perënditë. E megjithatë, Erosi nuk ishte vetëm për aktin seksual. Për filozofin e hershëm grek Empedokli, Erosi u çiftua me Erisin, Perëndeshën e Grindjeve dhe Konfliktit, si dy forcat më me ndikim në Univers.
Për filozofët si Empedokliu, Erosi dhe Erisi personifikuan tërheqjen dhe ndarjen në një nivel elementar, fuqitë natyrore që bëjnë që materia të sjellë jetën dhe pastaj ta shkatërrojë atë. Në botën e lashtë, seksi dhe dëshira konsideroheshin një pjesë thelbësore e jetës, por të rrezikshme në rast se bëheshin shumë dominuese.
“Simpoziumi” i Platonit , një dialog mbi natyrën e Erosit, na ofron një studim të ideve të ndryshme të dëshirës në atë kohë, duke kaluar nga efektet e saj në trup, tek natyra dhe aftësia e tij për të reflektuar se cilët janë njerëzit.
Një nga segmentet më të paharrueshme nga ky dialog, është momenti kur folësi, Aristofani, epërshkruan me humor origjinën e Erosit. Ai shpjegon se të gjithë njerëzit ishin dikur 2 njerëz të kombinuar në një. Zotat i dënuan njerëzit për arrogancën e tyre duke i ndarë në individë. Pra, dëshira është në fakt një dëshirë për të qenë sërish të plotë.
Sot mund të jetë e zakonshme të thuash se je ajo që do. Por për filozofët e lashtë, ju jeni edhe ajo që doni, dhe si e doni. Kjo ilustrohet në një nga rrëfimet më të paharrueshme romake mbi Kupidin, që kombinon elementet e epshit së bashku me reflektimet filozofike.
Në këtë rrëfim, shkrimtari afrikano-verior i shekullit II Apuleius e vendos Kupidin në qendër të romanit të tij latin “Gomari i Artë”. Personazhi kryesor, një burrë i kthyer në gomar, tregon se si një grua e moshuar i tregon një nuseje të rrëmbyer, Sharitës, historinë se si Kupidi e vizitonte Psikikën e re gjatë natës në errësirën e dhomës së saj.
Kur ajo tradhton besimin e tij, dhe ndez një llambë vaji për të parë se kush është, perëndia merr flakë dhe ikën. Psikika duhet të endet dhe të kryejë detyra gati të pamundura për Afërditën, përpara se të lejohet të ribashkohet me të.
Autorët e mëvonshëm e shpjeguan këtë histori si një alegori e marrëdhënies midis shpirtit dhe dëshirës njerëzore. Edhe interpretimet e krishtera u ndërtuan mbi këtë nocion, duke e parë atë si detajimin e rënies së shpirtit falë tundimit.
Megjithatë, kjo qasje e injoron pjesën e komplotit, ku Psikikës i jepet pavdekësia për të qëndruar në krah të Kupidit, dhe që më pas lind një fëmijë të quajtur “Kënaqësia”. Në fund, historia e Apuleiusit, është një mësim për gjetjen e ekuilibrit midis çështjeve të trupit dhe shpirtit.
Fëmija “Kënaqësi” nuk lind nga përpjekjet e fshehta netëve në errësirë, por nga pajtimi i luftës së mendjes me çështjet e zemrës. Për Kupidin tonë modern, ka shumë më pak lojëra tëtilla. Por ky harkëtar i vogël, vjen nga një traditë e gjatë e përleshjes me një forcë që ushtron kaq shumë ndikim mbi mendjet e të vdekshmëve. Gjurmimi i rrugës së tij përmes mitit grek dhe romak tregon rëndësinë jetike të të kuptuarit të kënaqësive dhe rreziqeve që vijnë ngadëshirat e pakontrollueshme./ bota.al