Vetëkontrolli mësohet, nuk është i lindur. Pas reagimit të aktorit Will Smith në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar të së dielës së kaluar, termat “vetëkontroll” dhe “menaxhimi i zemërimit” ishin ndër më të kërkuarat dhe më të përdorurit prej disa ditësh.
Sa herë e gjeni veten duke reaguar me impulsivitet ndaj një situate në të cilën ndiheni të trajtuar në mënyrë të padrejtë, të keqkuptuar, apo qoftë edhe për të mbrojtur dikë që doni? Dhe në shumicën e rasteve, e kuptojmë se reagimi mund të ishte më i qetë, më racional, madje edhe më elegante.
Vetëkontrolli, spontaniteti dhe provokimet
“E vërteta është se ne shpesh mbështetemi në mitin se emocionet janë të pakontrollueshme për shkak të natyrës së tyre spontane dhe se nuk është gjithmonë e mundur të kontrollosh veten përballë provokimeve të caktuara”, – shpjegojnë ekspertët e TherapyChat, aplikacioni celular dhe uebsajti i psikologjisë online.
Njohja e vetes përforcon vetëkontrollin
Për të mos e gjetur veten në kushte të sikletshme dhe më pas t’ju duhet të rregulloni veprimet e pakontrolluara pas një provokimi ose ofendimi, është thelbësore të ndërgjegjësoheni për zakonet e gabuara emocionale dhe të fitoni zakone të reja nëpërmjet njohjes së vetvetes, rekomandojnë ekpsertët. Por si mund ta arrini këtë?
Krijo një strategji
Hapi i parë për të “mos shpërthyer” dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate, por të padiskutueshme, është pikërisht ai i vetë-imponimit të të menduarit racional, frenimi i vetes për të dhënë një përgjigje të menjëhershme në inat e sipër. Sigurisht, ky nuk është një ushtrim i thjeshtë, por mund t’i fitoni këto cilësi duke e trajnuar veten. “Është e nevojshme të zhvillojmë aftësinë për të mos vepruar sipas impulsit të parë në asnjë situatë si dhe për të mos pretendojmë se të tjerët e dinë se çfarë ndjejmë. Të gjithë mund të mendojmë, ndjejmë, shprehim ose themi atë që preferojmë, për sa kohë që kjo nuk dëmton personat përballë”, – thonë ekspertët.
Një udhëzues për vetëkontrollin emocional
1. Kini kujdes: shpesh reagojmë pa u menduar. Për të shmangur një reagim të tillë, në çdo situatë të ndërlikuar me të cilën përballeni, jepini vetes disa sekonda për të marrë frymë thellë në mënyrë që pjesa racionale e trurit tuaj të fillojë të veprojë.
2. Lidhuni me emocionet tuaja dhe me trupin tuaj: Impulsiviteti shpesh na bën të anashkalojmë atë që ndjejmë në të vërtetë dhe reflektimin e emocioneve tona në trupin tonë. Kushtojini vëmendje gjithçkaje që ndodh në mendjen dhe trupin tuaj si njësi dhe më pas do të jeni në gjendje të merrni vendime më të drejta dhe të kënaqshme.
3. Vendosni një qëllim: Çdo ndryshim për t’u bërë më të vetëdijshëm për veprimet tona përfshin përpjekje. Jini të qartë për atë që dëshironi të përmirësoni dhe pse.
4. Përshtasni mjedisin rreth jush për të inkurajuar ndryshimin: ne jemi shumë reagues ndaj mjedisit që na rrethon dhe e bëjmë atë në mënyrë të pandërgjegjshme dhe shumë shpejt. Prandaj, nëse jeni të ekspozuar ndaj njerëzve ose mjediseve që nxisin reagime negative dhe impulsive nga ju, gjëja e parë është të largoheni prej tyre dhe të kërkoni mjedise të reja që nxisin gjërat pozitive që dëshironi të zbatoni në jetën tuaj.
5. Meditimi si një mjet mbështetës: është një praktikë e përdorur gjerësisht me rezultate të shkëlqyera në fushën e menaxhimit të emocioneve, pasi na mëson një mënyrë të re të krijimit të një lidhjeje me atë që jetojmë. Meditimi fokusohet në të jetuarit plotësisht në të tashmen, këtu dhe tani, dhe pa gjykuar atë që ndjejmë, mendojmë ose përjetojmë.
Revista Living