Nga Brian Klaas
“The Atlantic”
Vladimir Putin – një njeri i konsideruar së fundmi si një “gjeni” nga Donald Trump – arriti brenda pak javësh ta rigjallërojë NATO-n, të bashkojë një Perëndim të përçarë, ta kthejë presidentin pak të njohur të Ukrainës në një hero global, ta shkatërrojë ekonominë e Rusisë, dhe të forcojë trashëgiminë e tij si një kriminel lufte.
Por si bëri kaq shumë llogari të gabuara? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet të kuptoni fuqinë dhe ekosistemet e informacionit që ekzistojnë rreth diktatorëve. Për më shumë se një dekadë, unë kam studiuar dhe intervistuar despotët nga anembanë globit.
Në kërkimin tim shkencor, jam ndeshur vazhdimisht me një mit kokëfortë, atë të njeriut të fortë, despotit racional dhe përllogaritës, që mund të luajë një lojë të gjatë, pasi ai nuk ka nevojë të shqetësohet për sondazhet e bezdisshme apo votuesit e zemëruar.
Kjo pikëpamje sugjeron se udhëheqësit tanë të zgjedhur, as që mund të krahasohen me tiranin, i cili e sheh vete në pushtet edhe dekadën e ardhshme, në vend që të shqetësohet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Por realiteti nuk përputhet me këtë teori rozë.
Autokratë si Putin përfundimisht bien pre i atij që mund të quhet “kurthi i diktatorit”. Strategjitë që përdorin për të qëndruar në pushtet, priren që të shkaktojnë edhe rrëzimin e tyre përfundimtar. Në vend se të jenë planifikues afatgjatë, shumë prej tyre bëjnë gabime katastrofike brenda një kohë shumë të shkurtë.
Pra llojet e gabimeve, që ka të ngjarë të ishin shmangur në sistemet demokratike. Ata dëgjojnë vetëm servilët që kanë rreth e rrotull dhe marrin prej tyre këshilla të këqija. Ata e keqkuptojnë popullsinë e tyre, dhe nuk shohin kërcënimet e afërta, derisa të jetë tepër vonë.
Dhe ndryshe nga liderët e zgjedhur, që pasi e lënë detyrën nisin të shkuajnë librat, të japin leksione në universitete, pra të kenë stilin e shkëlqyer të jetesës të një burri shteti, shumë diktatorë që bëjnë llogari të gabuara largohen nga detyra në një arkivol, një skenar që i bën ata edhe agresivë në përpjekjet për të mbetur në pushtet.
Despotët i mbjellin që herët “farat” e vdekjes së tyre, që kur përballen për herë të parë me dilemën midis lejimit të lirisë së shprehjes apo ruajtjes së një kontrolli të hekurt mbi pushtetin. Që pas ngjitjes në krye të vendit, shtypja e zërave opozitarë dhe burgosja e kundërshtarëve është shpesh racionale nga këndvështrimi i një diktatori.
Ajo krijon një kulturë frike, e cila është e dobishme për vendosjen dhe ruajtjen e kontrollit. Por kjo kulturë e frikës e ka një kosto. Për ata nga ne që jetojnë në demokraci liberale, kritikimi i shefit në punë është diçka e rrezikshme. Por ne nuk do të dërgohemi në ndonjë kamp përqendrimi, dhe as nuk do të shohim torturimin e familjes.
Në regjimet autoritare, këto rreziqe shumë reale çojnë në shtrembërimi e realitetit. A ia vlen ndonjëherë që këshilltarët e një lideri autoritar t’i thonë atij të vërtetën? Për rrjedhojë, despotëve u thuhet rrallëherë se idetë e tyre janë të çmendura, apo që luftërat e tyre të keq-konceptuara ka të ngjarë të kenë pasoja katastrofike.
Bërja e kritikave të sinqerta është një lojë vdekjeprurëse, dhe shumica e këshilltarëve e shmangin këtë. Ata që guxojnë ta bëjnë këtë eleminohen. Prandaj me kalimin e kohës, këshilltarët që mbeten rreth tij janë zakonisht njerëz servilë, që tundin kokën ndaj çdo lloj gjëje që propozon despoti.
Por edhe me miq të tillë besnikë në dukje, despotët përballen me një dilemë. Si mund t’i besohet disa njerëzve, të cilët kanë çdo lloj arsye të gënjejnë dhe t’i fshehin mendimet e tyre të vërteta? Filozofi i lashtë grek Ksenofoni, shkroi dikur për paradoksin e pashmangshëm të tiranisë: “Nuk është asnjëherë e mundur që tirani të besojë se ai është i dashur nga njerëzit… Ndaj komplotet kundër tiranëve nuk burojnë nga askush më shumë, sesa nga ata që pretendojnë se e duan më shumë”.
Për të zgjidhur këtë problem, despotët i testojnë vazhdimisht njerëzit që kanë rreth e rrotull, për të ndarë besnikët e vërtetë nga ata të rremë. Që të jenë të besueshëm, këshilltarët duhet të gënjejnë në emër të regjimit. Ata që përsërisin vazhdimisht deklaratat absurde të udhëheqësit, konsiderohen besnikë.
Kushdo që heziton konsiderohet si i dyshimtë. Për shembull, në Korenë e Veriut të Kim JongUn, gënjeshtrat janë bërë gjithnjë e më qesharake. Sapo një gënjeshtër pranohet gjerësisht, bie vlera e atij testi individual të besnikërisë.
Pasi të gjithë e dinë se Kim Jong Un mësoi të drejtonte makinën që kur ishte vetëm 3 vjeç, duhet të shfaqet një gënjeshtër e re edhe më ekstreme, në mënyrë që testi t’i shërbejë qëllimit të tij. Cikli përsëritet, dhe kështu lind kulti i personalitetit.
Shumë njerëz rreth Putinit e kuptuan këtë dinamikë, prandaj ata ishin të gatshëm të përsërisnin si papagalli pretendimin e çuditshëm të Putinit se presidenti hebre i Ukrainës, Volodimir Zelenski, po drejton një shtet “neo-nazist”.
Por për të qëndruar në pushtet, despotët duhet të shqetësohen për shumë gjëra të tjera përveç këshilltarëve dhe miqve të tyre. Ata duhet të frikësojnë dhe shantazhojnë popullsinë e tyre. Kjo është arsyeja pse diktatorët investojnë shumë tek mediat e sponsorizuara nga shteti.
Në Rusi, shteti shkon aq larg sa të prezantojë kandidatë presidencialë të rremë, të cilët pretendojnë se e kundërshtojnë Putinin në një palë zgjedhje të manipuluara. I gjithë sistemi është një fshat Potemkian, një iluzion i një procesi elektoral dhe i debateve politike.
Sërish, edhe ky mekanizëm kontrolli e ka një kosto. Disa qytetarë me “trurin e shpëlarë” nga propaganda shtetërore do ta mbështesin një luftë që me siguri do të sjellë efektin e kundërt. Të tjerët e kundërshtojnë në heshtje regjimin, dhe do të kenë shumë frikë të flasin. Ndaj në një autokraci nuk ekziston asnjë sondazh i besueshëm.
Kjo do të thotë se despotët si Putin nuk janë në gjendje të kuptojnë me saktësi qëndrimet e popullit të tyre. Dhe nëse jeton në një botë të rreme për një kohë shumë të gjatë, ajo mund të fillojë të duket si e vërtetë. Diktatorët dhe despotët fillojnë të besojnë gënjeshtrat e tyre, të propaganduara nga mediat e kontrolluara nga shteti.
Si shumë despotë të tjerë, Putin nuk po sillet në një mënyrë plotësisht racionale. Ai banon nënjë botë fantazie, i rrethuar nga njerëz që kanë frikë ta sfidojnë, dhe me një mendje e cila është helmuar prej më shumë se 2 dekadash sundimi tiranik. Ai ka bërë një gabim katastrofiknë Ukrainë, një gabim që mund të sjellë edhe rrëzimin e tij.
Demokracia nuk është perfekte. Ajo është shpesh kaotike dhe miope. Shumë demokraci të fuqishme, përfshirë atë në SHBA, janë jofunksionale. Por të paktën liderët tanë përballen me kufizime reale, përgjegjësi mbi llogaritjet e tyre të gabuara, dhe kritika të vërteta nga popullata e tyre.
Kjo është arsyeja pse ka ardhur koha që të hedhim poshtë mitin e liderit autoritar “të mençur”, apo të diktatorit si një “gjeni” në gjeopolitikë. Putini është viktimë e “kurthit të diktatorit”, dhe ka dëshmuar se nuk është asnjëri prej tyre./ bota.al
Shënim: Brian Klaas, profesor i politikës globale në Kolegjin Universitar të Londrës. Ai është autori i librit “I korruptueshëm:Kush e merr pushtetin dhe si na ndryshon ai”.