Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian është shtyrë për në vjeshtë edhe për këtë vit. Pas reagimeve të kryeministrit Rama dhe ministrit Cakaj, ka ardhur edhe një reagim nga Opozita.
Është numi dy i Parisë Demokratike, Gazment Bardhi që ka reaguar në profilin e tij në facebook në lidhje me këtë vendim të KE. Në postimin e tij, Cakaj shkruan se i vetmi lajm i mirë në këtë moment për Shqipërinë është se në muajin tetor kur të merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave, Rama nuk do të jetë më kryeministër.
Reagimi i plotë i Bardhit:
Edi Rama është kryeministri i vetëm në botë që një lajm të keq për vendin e quan lajm pozitiv, duke thyer edhe rekordin e një viti më parë, kur gënjeu shqiptarët se negociatat u hapën.
Shtyrja e vendimit të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave me Shqipërinë për të tretën herë me radhë, nuk ka asgjë pozitive. Edi Rama e di shumë mirë se, nëse ai do të vazhdojë të jetë në krye të vendit, dera e Evropës për shqiptarët, do të qëndrojë e mbyllur.
Evropianët nuk pranojnë në familjen e tyre një hajdut votash si Edi Rama, një hajdut taksash si Edi Rama, një hajdut pasurish kombëtare si Edi Rama.
Me zgjedhje të vjedhura në pakt me krimin dhe me korrupsion të frikshëm si ky i qeverisë së Edi Ramës, vendi ynë do të mbetet i izoluar, i fundit për nga ekonomia, i fundit për nga zhvillimi.
I vetmi lajm i mirë në këtë histori 6 vjeçare mashtrimesh dhe vjedhjesh të Edi Ramës, është se në tetor, kur Europa të vendosë për ne, ai nuk do të jetë më kryeministër dhe Shqipëria do të ketë hyrë në rrugën e duhur për nisjen e negociatave të anëtarësimit, duke siguruar hapin e parë për Shqipërinë si gjithë Europa – zgjedhjet e lira e të ndershme.