AKADEMIK ANASTAS ANGJELI
Ndërsa vendet e zhvillu ara, SHBA dhe vendet e Eurozonës, po “hedhin pas shpine “pasojat ekonomike e sociale të krizës së shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ato po ndeshen me një krizë të re, atë të rritjes së çmimeve dhe inflacionit në rritje. Kjo, për shumë arsye të zhvillimeve ekonomike postkrizë, të rritjes së çmimeve të produkteve energjetike-naftës, por edhe të zhvillimeve të reja gjeopolitike, sidomos të konfliktit ushtarak tashmë të hapur dhe në zgjerim, Rusi–Ukrainë. Lufta tashmë e filluar Rusi-Ukrainë veç pasojave humane, po rishfaq pasoja të rënda ekonomike, tregjet e aksioneve u tronditën, çmimet dhe inflacioni po rriten me shpejtësi, çmimi i naftës i kaloi 105 Usd për fuçi.
RRITJA EKONOMIKE POSTKRIZE
Viti që lamë pas dhe tre muajt e parë e këtij viti dhanë sinjale të plota që Pandemia e covid-19 po shkon drejt fundit të saj, ekonomia globale po rimëkëmbet, edhe pse fenomenet postkrize si kriza e çmimeve- inflacioni dhe kriza energjitike, tashmë kanë shpërthyer. Tendenca e rimëkëmbjes ekonomike dhe problemet e tjera postkrizë Rritja globale pritet të ngadalësohet në 4.1% në 2022 dhe 3.2% në 2023, pasi shumë vende filluan të mbështesin nëpërmjet politikave fiskale dhe monetare, për të trajtuar pasojat nga pandemia e Covid-19.
Banka Botërore vlerësoi se ekonomia botërore u rrit me 5.5% në vitin 2021. Ekonomitë e mëdha, duke përfshirë SHBA-të, Kinën dhe vendet në Eurozonë, pritet të ngadalësohen këtë vit. Rritja në Kinë pritet të pësojë rënie nga rreth 8% në 2021 në 5.1% këtë vit. Ekonomitë e zhvilluara parashikohet të ngadalësohen nga 5% në 2021 në 3.8% në 2022, duke u konsideruar mjaftueshme për të rikthyer prodhimin agregat të ekonomisë së përparuar në tendencën e saj parapandemike në 2023. Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike për Shqipërinë në 2022 parashikohet të jetë 3.8 për qind. Për vitin 2021, rritja në vend vlerësohet të ketë qenë 7.2%, ose 2.8 pikë për qind më e lartë sesa parashikimi i qershorit 2021. Nga vendet e rajonit, Shqipëria kishte në 2021 rritjen e dytë më të lartë pas Malit të Zi (me 10.8%, por ky shtet shënoi dhe rënien më të lartë në 2020), e ndjekur nga Kosova (7.1), Serbia me 6%, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut me nga 4%. Por, lufta Rusi – Ukrainë, siç deklaron drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgeva, po shton rreziqet ekonomike për rajonin dhe botën”, duke ndryshuar parashikimet e rritjes.
RRITJA E ÇMIMEVE, KRIZA E NAFTËS DHE INFLACIONIKONFLIKTI NE UKRAINË, ÇFARË PO NDODH?
Inflacioni është shfaqur si një nga çështjet kryesore, me të cilën po përballen ekonomitë dhe politikëbërësit ekonomikë jo vetëm në vendet e BE-së, por edhe në SHBA, Britani e më gjerë.. Çmimet e konsumit në Shtetet e Bashkuara janë rritur me ritmin më të shpejtë në 39 vjet dhe inflacioni ka arritur rekordin në më shumë se një dekadë në Britani. Inflacioni në Eurozonë u rrit në 5.1% në janar 2022, nga 5% që ishte në dhjetor 2021, sipas vlerësimeve paraprake që ka bërë sot Eurostat, (Instituti i Statistikave të Europës), i ndikuar nga çmimet e energjisë. Duke parë përbërësit kryesorë të inflacionit të eurozonës, energjia pritet të ketë normën më të lartë vjetore të rritjes në janar (28.6%, krahasuar me 25.9% në dhjetor), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (3.6%, krahasuar me 3.2% në dhjetor), shërbimet (2,4%, e qëndrueshme krahasuar me dhjetorin ’21) dhe mallrat industriale joenergjetike (2,3%, krahasuar me 2,9% në dhjetor ‘21).
Shifra prej 5.1% përfaqëson një tjetër nivel të ri rekord, pasi në nëntor u shënua fillimisht niveli më i lartë i të gjitha kohërave prej 4.9%. Në Itali, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, inflacioni në janar ‘22 u vlerësua paraprakisht në 5.3%, me një kërcim të fortë, nga 4.2% në dhjetor të vitit të kaluar.
Në Greqi, ky tregues arriti në 5.5%, në Gjermani në 5.1%. Ekonomistët globalë kanë argumentuar se pandemia dhe inflacioni janë ndër rreziqet më të mëdha për ecurinë ekonomike në vitin 2022. Inflacioni vjetor në Turqi është rritur me ritmin më të shpejtë në 19 vjet, përkatësisht 36.08% në muajin dhjetor ‘21, kanë treguar të dhënat e Institutit Turk të Statistikave. Sipas tij, indeksi i çmimeve të konsumit është rritur për 13.58% në dhjetor 2021, në krahasim me vitin paraprak.
Rritja vjetore në çmimet ushqimore ka arritur në 43.8%. Shkalla e inflacionit ka qenë më e larta prej shtatorit të vitit 2002. Inflacioni është rritur në këtë shtet, ndërkohë që lira turke është zhvlerësuar në nivele rekord pasi Banka Qendrore e shtetit nën presion të Presidentit, Recep Tayyip Erdogan, ka ulur normat e interesit për pesë për qind në muajin shtator. Dobësimi i lirës i ka bërë importet, naftën dhe produktet e përditshme më të shtrenjta, duke lënë 84 milionë banorë me mungesa të gjërave të domosdoshme. Shumë njerëz kanë blerë valuta të huaja dhe ar për të ruajtur kursimet e tyre. Erdogan shprehet se: “Ulja e normave të interesit ndikon në rritje të ekonomisë, pavarësisht se ekonomistët e thonë të kundërtën”.
Kjo rritje çmimesh në të gjithë globin kërkon masa konkrete shtrënguese nga ana e Bankave Qendrore për të riorientuar politikën monetare. Ekspertët vlerësojnë se Banka Qendrore Europiane mund të përgatisë terrenin për një rritje të parë të interesave në pranverën e vitit 20231. Ekspertët parashikojnë gjithashtu se baza e inflacionit do të lehtësohet, por do të qëndrojnë mbi 2% gjatë këtij viti, duke i lënë hapësirë Bankës Qendrore Evropiane (BQE) të marrë vendim lidhur me normat.
Ndërkohë, Banka e Anglisë u bë Banka e parë Qendrore e një ekonomie të përparuar që rriti normat e interesit që prej se ka nisur pandemia. Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka ndërmarrë një qasje më të kujdesshme, por gjithashtu ka vendosur që të tërheqë disa prej stimujve për vitin e ardhshëm. Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara (FDE) po lëvizin më shpejt sesa Evropa për të shtrënguar kreditë teksa çmimet në nëntorin e vitit të kaluar u rritën për 6.8 për qind.
KRIZA ENERGJETIKE DHE RRITJA E CMIMIT TE NAFTES
Ekonomia globale po ndeshet me krizën energjetike dhe të rritjes së çmimeve te naftës bruto. Bursat e mallërave, të aksioneve dhe tregjet financiare po tronditen. Tregjet e naftës pësuan ndryshime strukturore prej marsit 2020, kur pandemia COVID-19 u përhap gjerësisht. Pandemia e COVID-19 dëmtoi tregjet e naftës bruto dhe përforcoi pasojat e pasigurisë që rrjedhin nga lufta e çmimit të naftës bruto Rusi-Arabia Saudite në mars-prill 2020.
Aktorët e tregut u përgatitën të asimilonin ndryshimet e tij dhe të rregullonin pritshmëritë e tyre, të cilat frenuan ndikimet që duhet të kishin ndodhur gjatë luftës me çmimin e naftës bruto. Masat frenuese reduktuan aktivitetet e njerëzve në natyrë dhe ndikuan rëndë në turizëm, linja ajrore etj,.. Çmimet ranë aq shpejt sa shkaktuan një çmim historik negativ të naftës bruto.
Mes trazirave të tregjeve të naftës, një gjeopolitike e lidhur me konfliktin e naftës midis Arabisë Saudite dhe Rusisë. Çmimet ranë aq shpejt sa shkaktuan një çmim historik negativ të naftës bruto. Në prill 2020, përmes një ndërmjetësimi të gjerë dhe ndërhyrja politike ndërkombëtare, Rusia dhe Arabia Saudite më në fund arritën një marrëveshje të përkohshme në muajin prill 2020. Lufta e çmimit të naftës bruto dhe pandemia dëmtuan rëndë tregjet e naftës, të cilat bënë presione të mëdha në rënie e çmimeve dhe ndikoi negativisht në mirëqenien e prodhuesve të naftës.
Por lufta e çmimit të naftës bruto rezultoi gjithashtu me disa ndryshimet strukturore në tregjet e naftës që sfiduan sistemin e çmimeve. Reflektimi i rritjes së çmimeve në bursë dhe në organizatën OPEC. Sipas njoftimeve të organizatës OPEC, është dashur që në fund të janarit të ketë stabilizim të çmimeve, por kjo nuk ndodhi dhe nuk pritet të ketë shenja përmirësimi. Konflikti Rusi-Ukrainë ka tensionuar dhe ka dhënë shtytje që të rriten më tej çmimet e naftës e të lëndëve të para.
Fundviti i kaluar dhe muajt e parë të këtij viti dhanë sinjale të plota të rritjes së çmimit të naftës bruto. Dhe kështu ndodhi. Dje, çmimi i barelit të naftës bruto kaloi 105 usd. Shkaqet janë të ndryshme. Sipas Helima Croft, menaxhere e strategjisë së mallrave në RBC Capital Markets, “nëse tanket ruse do të kalojnë kufirin (dhe kjo po ndodh) kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet e mallrave”.
Nëse Rusia pushton Ukrainën, ndikim të madh do të jepte fillimisht në tregjet e naftës e të gazit të Europës. Dhe kjo po ndodh. Dhe ja sepse. Rusia është eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe eksportuesi i dytë më i madh i naftës bruto. Ajo furnizon gati një të dhjetën e aluminit dhe bakrit në të gjithë botën dhe prodhon 43% të paladiumit. Është gjithashtu eksportuesi më i madh i grurit. Për shkak të kësaj situate, Rusia mund të vendosë të pezullojë disa eksporte veçanërisht të gazit. Vetëm frika e ndërprerjeve të furnizimit me gaz ka shkaktuar rritjen e çmimeve tashmë. Më 26 janar 2022, nafta Brent u rrit mbi 90 $/ fuçi, që ishte edhe niveli më i lartë në 7 vitet e fundit, ndërsa dje ky çmim kapi shifrën prej 105 USD për fuçi.
Gjatë krizës globale financiare mbas vitit 2007, si prodhimi industrial global ashtu edhe çmimet e mallrave pësuan rënie. Po të shtojmë këtu edhe sanksionet që SHBA, Britania dhe BE kanë vendosur dhe do të vendosin ndaj Rusisë, pasojat në tregjet dhe çmimet do të rriten. Tregjet në javët e fundit nuk ishin prekur gjerësisht nga situata në kufirin Rusi-Ukrainë. Ndërsa tani situata ndryshoi.
Me ndodhitë e sulmit rus në Ukrainë tregjet e aksioneve ranë menjëherë dhe çmimi i naftës nuk dihet sa do të arrijë. Por lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja serioze për ekonominë evropiane e më gjerë, atë botërore. Furnizimet energjetike me gaz dhe naftë do të kapnin çmime të larta, ndërsa do të përkeqësohej shumë pasiguria ushqimore, për shkak të furnizimit me grurë dhe plehëra kimike. IshPresidenti rus Medvedev, në përgjigje të sanksioneve të marra ndaj Rusisë, të fillimit të procedurave të Gjermanisë për moscertifikimin e gazsjellsit Nord Stream 2, Rusia do t’i përgjigjet me rritje të madhe të çmimit të gazit.
Nga ana tjetër, me dëgjimin e “krismës se parë” ekonomistët dhe bankat qendrore do të rishohin normat e tyre të interesit. Megjithatë, kriza ka dhënë efektet e saj në rritjen e çmimit të naftës dhe të gazit, si edhe të metaleve kryesore që përdoren për prodhimin e makinave, pajisjet elektronike dhe ndërtim, çmimet e mallrave ushqimore etj.. Prandaj, në afat të shkurtër, lufta RusiUkrainë, qoftë edhe e kufizuar, do të nxiste një rritje të madhe të çmimeve të naftës dhe gazit, veçanërisht në Evropë. Rusia sjell rreth 30% të naftës së Evropës dhe 35% të gazit të saj natyror në Evropë, që do të ndërpritej në rast konflikti. Çmimi i naftës mund të shkojë mbi 125$/fuçi, ndërsa edhe çmimet e gazit do të rriten ende. Edhe skenari tjetër ku vendosen sanksione masive ndaj Rusisë ka ndikim të fortë te çmimet. Nëse të gjitha vendet evropiane ndalojnë blerjen e gazit dhe naftës ruse, ndikimi në çmim do të ishte i madh, me rritjen e naftës në 175$ /fuçi dhe gazi në 250$. Edhe çmimet e ushqimeve do të kishin rritje.
Ukraina dhe Rusia janë ndër kultivuesit më të mëdhenj të grurit në botë, në pesëshen e parë. Lufta do të ndikonte te prodhimi i elbit, misrit, lulediellit dhe farave të tjera. 23% e amoniakut, 17%, 14% e uresë dhe 10% e fosfateve eksportohen nga Rusia, ku sektori bujqësor dhe plehrat kimike që përdoren për të do të shihnin rritje të madhe çmimi. Kriza në kufirin me Ukrainën është një nga më të rëndat për Evropën dhe sigurinë botërore të pasluftës së Dytë Botërore.
RRITJA E ÇMIMEVE DHE INFLACIONI NË SHQIPËRI
Në Shqipëri, inflacioni, gjatë vitit 2021 ishte 2.4%, me një rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë, kur arriti në 2.5% niveli më i lartë në katër vjet. Në parashikimet për rritjen ekonomike në 2022, ku norma vjetore llogaritet që të mos kalojë nivelin 4%, një ndikim do të jetë edhe te norma e inflacionit, e cila pritet të bjerë. Por, rritja e çmimeve në shtetet e Europës rrezikon të rrisë të ashtuquajturin inflacion të importuar, pasi importuesit do të blejnë mallrat më shtrenjtë, por, nisur nga ndikimi në këtë rritje ekonomike prej zhvillimit masiv të ndërtimit, në kushtet e kësaj norme rritje ekonomike në rënie një pasojë e pritshme negative mund të jetë shpërthimi i një “flluskë” të çmimit të aktiveve.
Kjo situatë që në gjuhën e makroekonomisë përshkruhet si stagflacion, në kushtet kur politikat fiskale me ndryshime të shpeshta dhe një ndërhyrje në vendimmarrjen e biznesit diktojnë edhe rrjedhën normale të tregut me një ndikim në ruajtjen e një pozite të disfavorshme për goditje të ardhshme të tregut shqiptar. Kjo është arsyeja pse këtë fillimviti të 2022, përballë inflacionit në nivelin më të lartë të 10 viteve, Banka e Shqipërisë (BSH) vendosi të mos i rrisë normat e interesit. BSH raportoi së fundmi se pesha e inflacionit të importuar në rritjen totale të çmimeve në Shqipëri u rrit ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit. BSH llogarit se kontributi i inflacionit të importuar në inflacionin total rezultoi 54%, kundrejt një mesatareje prej 40% të dy tremujorëve të mëparshëm të vitit. Banka Qendrore parashikon se, në një perspektivë të afërt, presionet e shtuara inflacioniste nga çmimet e huaja parashikohet të jenë të pranishme në inflacionin mesatar në Shqipëri edhe gjatë 2-3 tremujorëve në vijim, për t’u qetësuar gradualisht gjatë vitit të ardhshëm.
Por ka gjasa që efektet të mos jenë të përkohshme, për aq kohë sa në prapavijë ka faktorë strukturorë që ndikojnë. Borxhet shqiptare të dekadës së fundit kanë arritur në mbi 80% të PBB-së, duke i bërë bizneset dhe familjet më të ndjeshme ndaj rritjeve edhe më të vogla të normave. Në situatën kur inflacioni rritet në Shqipëri përtej normës aktuale prej 3%, atëherë kjo do të ketë një ndikim negativ në kursimet e qytetarëve, por edhe në koston e bizneseve në tërësi. Edhe pse ata do të shkarkojnë një pjesë të mirë të kostos së inflacionit te konsumatorët do të duhet të ruajnë një balancë në rritjen e çmimeve me frikën e rënies së shitjeve, pra, të të ardhurave.
Ndërsa ekonomia me gjasa është rritur mbi 3.5 herë krahasuar me normën mesatare të rritjes ekonomike në dekadën e fundit efekti më kryesor ka rezultuar te konsumi i rritur nga bizneset dhe konsumatorët, të cilët kanë shpenzuar më shumë para për mallra dhe shërbime. Nisur nga kjo tendencë bizneset kanë filluar të rritin çmimet dukshëm mbi mesataren e inflacionit në dekadën e fundit. Çmimet më të larta të energjisë janë një nga arsyet kryesore për këtë inflacion, që u rrit dukshëm në dhjetor 2021. Bizneset më kryesore kanë rritur kostot e tyre dhe kanë diktuar çmime më të larta për konsumatorët.
Rritja e fortë e çmimeve të lëndëve të para dhe produkteve ushqimore në tregjet botërore ka nisur të reflektohet në rritje të indeksit të çmimeve të konsumit në Shqipëri, sipas BSH. Parashikohet që norma e inflacionit do të rikthehet në normalitet vetëm gjatë vitit 2023. Inflacioni është i pranishëm në çmimet e thuajse të gjithë artikujve të shportës së konsumit. Gjithashtu, rritja e inflacionit u diktua nga rritja e çmimeve të ushqimeve të përpunuara dhe të naftës. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare vlerësohet të jetë rritur me 6.9% në nivel ekonomie dhe me rreth 8% për sektorin privat, ndërkohë norma e papunësisë është ulur në 11.3%.
Ndonëse çmimet e energjisë për konsumatorin final nuk janë rritur, shtrenjtimi i energjisë për rreth 7400 biznese që duhet të dalin në tregun e liberalizuar ka filluar që në janar 2022, kur këto subjekte do ta blejnë energjinë pothuajse dyfish, çka mund të transmetohet te kosto e produkteve të tyre. Rritja e çmimeve të mallrave të produkteve të shportës prek çdo familje sidomos ato më të varfrat. Sipas një studimi të fundit nga INSTAT, rreth 621 mijë shqiptarë jetojnë në rrezik varfëri. Të ardhurat e tyre janë shumë të ulëta, ndërsa çmimet po rriten. Sipas avokatit të popullit, një qytetari në Shqipëri i duhen 18 500 lekë për të jetuar në kushte minimale.
Por pjesa më e madhe e pensioneve janë nën këtë shifër. Ndihma ekonomike apo pagat gjithashtu nuk garantojnë kushtet minimale për të jetuar. Kjo rritje e çmimeve çon në rritjen e shpenzimeve mesatare/mujore të këtyre familjeve. Në këtë situatë, familjet janë të detyruara të përballojnë jetesën duke shfrytëzuar alternativa të ndryshme si për shembull të fillojnë të përdorin kursimet, si dhe duke marrë hua. E gjithë situata e krijuar dikton vëmendje të shtuar edhe në politikat ekonomike, tregtare, monetare e financiare dhe të menaxhimit të rezervave strategjike shtetërore, drithërat, naftën etj.