Një studim online në vitin 2012 ka treguar se çiftet që kalojnë konflikte “të shëndetshme” kanë 10 herë më shumë gjasa për të pasur një marrëdhënie të lumtur kundrejt atyre që injorojnë bisedat e vështira. Prandaj, debati me partnerin tuaj mund të ketë shumë përfitime për marrëdhënien tuaj për sa kohë që ju dhe ai ose ajo e bëni këtë në një mënyrë të dashur dhe konstruktive.
Për këtë arsyene kemi mbledhur një listë teknikash që duhen ndjekur për ta bërë debatin më të dobishëm.
1. Planifikoni një kohë dhe një vend për të folur për problemet.
Nëse ndiheni sikur gjërat kanë filluar të nxehen midis jush, duhet të zgjidhni momentin dhe vendin për të shprehur gjithë zhgënjimet tuaja. Duke marrë pak kohë përpara se të grindeni për këtë çështje, do t’ju ndihmojë të dyve që të përgatiteni dhe t’i thoni gjërat me mençuri përpara se t’I thoni njëri-tjetrit ndonjë gjë që s’duhet nga zemërimi dhe zhgënjimi. Pra, nëse filloni të grindeni, thoni diçka të tillë si: “Le ta diskutojmëkëtë mbrëmje ose një herë tjetër kur të keni kohë për të diskutuar gjërat”.
2. Sigurohuni që të plotësohen nevojat tuaja bazë përpara se të filloni një bisedë.
Një rregull i rëndësishëm që duhet respektuar në mënyrë që të kemi argumente të shëndetshme është të kontrollojmë nëse jemi gati për të përballuar një konflikt. Të debatosh me një njeri të dashur është një gjë jashtëzakonisht e vështirë për të cilën duhet të përgatitemi. Kjo është arsyeja pse ekspertët këshillojnë njerëzit që të sigurohen që nevojat e tyre bazë, si ushqimi, uji, ajri dhe gjumi, të plotësohen përpara se të kalojnë një bisedë të vështirë.
3. Përqendrohuni tek tema dhe mos ktheni në vëmendje gjëra të kaluara.
Gjatë një debati, ka më shumë gjasa tëkujtoni gabimet e së kaluarës dhe të devijoni temën drejt problemeve të tjera për të cilat keni planifikuar të flisni më vonë. Por kjo vetëm e përkeqëson pasi të dy nuk mund të përqendroheni tek një gjë në të njëjtën kohë.
4. Dëgjoni me kujdes përpara se të flisni.
Kur i dashuri juaj thotë diçka me të cilën nuk jeni dakord, me siguri do të thoni diçka menjëherë. Por gjëja më e mirë për të bërë është të dëgjoni derisa partneri juaj të përfundojë së foluri. Kjo gjë sinjalizon vetëm respekt, gatishmëri për të bashkëpunuar dhe më e rëndësishmja, aktin e dëgjimit të partnerit. Gjithashtu, mbani mend se gjuha e duhur e trupit që ju përdorni gjithashtu mund t’i bëjë ata të ndiejnë se ju po i dëgjoni.
5. Tregoni se si ndiheni për diçka në vend që të fajësoni personin tjetër.
Një teknikë e lehtë por shumë efektive është të përdorni “unë” në vend të “ti”. Me fjalë të tjera, të thuash, “Ti nuk ke ardhur në ditëlindjen e mikut tim”, është shumë ndryshe nga të thuash, “Mos pjesëmarrja jote në ditëlindjen e mikut tim më bëri të ndihem shumë keq”. Kështu mund të shmangni fajësimin, gjë që zakonisht nuk përfundon mirë.
6. Shmangni gjuhën hiperbolike, si “gjithmonë” dhe “kurrë”.
Sapo dikush fillon të përdorë fjalë përgjithësuese, si “gjithmonë” dhe “kurrë”, ai e ekzagjeron automatikisht situatën, duke bërë që personi tjetër të ketë një sjellje mbrojtëse. Megjithatë, kjo situatë mund të shmanget nëse përqendroheni në shprehjen e ndjenjave tuaja me qetësi, ose ndoshta përdorni fjalë më pak agresive, si “herë pas here”.
7. Bëjeni kritikën tuaj konstruktive.
Kritika është një pjesë normale e një marrëdhënieje pasi personi përballë mund të ketë shumë të meta dhe disa sjellje të papranueshme. Megjithatë, kur shprehni zhgënjimet tuaja me sulme të ashpra verbale, ju i hiqni vetëbesimin partnerit tuaj dhe krijoni distancë emocionale mes jush të dyve. Në vend të kësaj, komunikoni në një mënyrë miqësore që fokusohet në vetë sjelljen dhe jo në personin që keni përballë.
8. Jini të vëmendshëm ndaj emocioneve tuaja.
Argumentet janë të vështira dhe nëse nuk mësojmë të kontrollojmë emocionet tona në kohë të vështira, mund të jetë shkatërruese për ne. Nga ana tjetër, ne mund të mësojmë të jemi përgjegjës për emocionet tona dhe të qëndrojmë të pranishëm dhe të vëmendshëm gjatë momenteve kur debati është i nxehtë, dhe kjo është arsyeja pse meditimi vlerësohet shumë nga ekspertët e marrëdhënieve.
9. Bëni një pushim nëse ju ose partneri juaj keni nevojë për një të tillë.
Gjërat mund të përshkallëzohen shpejt në mes të një debati dhe ndonjëherë njëri prej jush mund të arrijë një pikë që mund të çojë në të bërtitura, fyerje apo edhe dhunë. Në këtë rast, është më mirë të largoheni nga diskutimi në mënyrë që të qetësoheni dhe të ktheheni për zgjidhjen e vërtetë të konfliktit. Ekspertët thonë se koha e ndërprerjes nuk duhet të jetë më shumë se 24 orë.
10. Pasqyroni gjuhën e trupit të njëri-tjetrit.
Pasqyrimi i sjelljes së dikujt i referohet aktit të adoptimit të qëndrimit, gjesteve dhe fjalëve të personit. Sipas kërkimeve psikologjike, kjo sjellje është një shenjë e një lidhjeje të fortë, sepse pasqyrimi i dikujt na ndihmon të kemi një ide më të mirë të asaj që tjetri po përjeton nga perspektiva e tij. Kur kjo ndodh, të dy ndjeni një formë ndjeshmërie, rehatie dhe besimi ndaj njëri-tjetrit.
11. Mos harroni se jeni në të njëjtën anë.
Kur bëni zgjedhjen për të qenë me dikë, ju e lini mënjanë egon tuaj kur zgjidhni problemet, që do të thotë se nuk përqendroheni në faktin se kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim, por, përkundrazi, të dy punoni për zgjidhjen e problemit së bashku. Gjithçka bëhet më mirë kur e pranoni se jeni shokë skuadre dhe jo armiq.
12. Vendosni rregulla të ndërsjella për argumentet tuaja.
Pas disa grindjeve, ne fillojmë të mësojmë të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të respektojmë kufijtë e njëri-tjetrit. Për shembull, partnerit tuaj mund të mos i pëlqejë të ndërpritet ose të largohet në mes të një debati dhe ju e urreni të fajësoheni vazhdimisht. Herën tjetër, të dy do t’i shmangni këto sjellje të dëmshme dhe do të vendosni rregulla se si dëshironi t’i diskutoni gjërat.
Revista Living