Emrat e tyre nuk janë të njohur vetëm për muzikëdashësisht por edhe për autoritetet vendase e të huaja. Këngëtarët dhe reperët e vendit tonë emrat e të cilëve janë lakuar jo rrallë në media për probleme me ligjin dhe drejtësinë janë të shumtë në numër.
Pavarësisht të shkuarës apo jetës “problematike” ata janë mjaft të pëlqyer dhe të ndjekur nga publiku, madje me ndikimin e mediave dhe rrjeteve sociale, ku ato promovojnë jetën perfektë që bëjnë, shpesh kthehen në idhuj për ndjekësit e tyre.
Kush janë artistët shqiptarë që kanë rënë në pranga?
Arian Begaj
Rasti më i fundit është ai i këngëtarit shqiptar të muzikës popullore, Arian Begaj, që performonte në lokalet greke në Athinë. Ai është arrestuar ditën e djeshme nga policia. Sipas mediave greke, në momentin e arrestimit 41-vjeçari posedonte një kilogram hashash dhe 50 gramë kokainë.
Ervin Selita (Vinz)
Ervin Selita është arrestuar nga policia për akuzën “Vrasje me dashje”. Konflikti me recepsionisten e një hoteli ka precipituar në një konfrontim me pronarin, që ka tentuar ta vrasë me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur më 2 shkurt të këtij viti në ambientet e një hoteli në Tiranë, ku 30-vjeçari ka qenë së bashku me të dashurën e tij. Ndonëse në Shqipëri ka shumë fansa, në Angli mediat e klasifikojnë një kontingjent problematik, shpërndarës droge dhe pjesë e një grupi kriminal. 30-vjeçari është repist dhe njihet me emrin ‘Vinz’. Ai është edhe pjesë e grupit shqiptar në Londër “Hellbanianz”.
Fjolla Morina
Këngëtarja Fjolla Morina, është arrestuar nga policia e Kosovës më 19 korrik të vitit të kaluar pasi kishte disa kohë në arrati. Morina ishte e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli Tirana, pasi mbi të rëndonin akuza për trafikim të armëve dhe municioneve në Shqipëri. Gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burg këngëtaren nga Kosova, Fjolla Morina, për veprën penale të “Trafikut të armëve dhe municionit”. Ajo ishte mbajtur në arrest shtëpiak në Kukës për një muaj, ndërkohë vetëm në prill të vitit 2021 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka depozituar vendimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.
Rigels Rajku
Reperi i njohur Noizy është arrestuar në pikën kufitare në Vermicë të mërkurën e 16 dhjetorit 2021, nga policia e Kosovës. Rigels Rajku mësohet se është ndaluar pasi ishte shpallur në kërkim nga gjykata. Ai kaloi natën në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë dhe u lirua nga qendra e paraburgimit në Prishtinë, pasi pagoi një gjobë 2000 euro.
Noizy ka reaguar pas arrestimit në Kosovë, duke sqaruar ngjarjen për të cilën bëhet fjalë.
Sipas tij, e gjitha ndodhi për shkak të një ngjarjeje të ndodhur 5 vite më parë në kryeqytetin e Kosovës, ku reperi kishte një gjobë të papaguar. Ai gjithashtu ka shprehur respekt për policinë e Kosovës për sjelljen e tyre njerëzore.
“Respekt për policinë e Kosovës. Por sistemi është m.. fakti që dikush vendos të nxjerrë një fletë arrest pa të lajmëruar sikur të paktën njëherë ndaç me telefonat, ndaç me post, ndaç me email të lënë të kuptosh se mbi Policinë janë disa idiota që e komandojnë atë, më e forta është se më thanë e kemi lajmëruar një shokun tonë që e njeh një shokun tënd për këtë rast, sepse ty nuk mund të gjenim asnjë kontakt. Vërtetë kaq e vështirë është? Nejse, bëhej fjalë për incidentit që ka ndodhur në Swiss Diamond në Prishtinë 13 Shtator 2016 dhe sipas tyre paskam një gjobë për të paguar dhe janë kujtu mbas 6 vitesh. Por kanë harru të më kontaktojnë dhe kanë vendos të nxjerrin flet arrest.
Edhe njëherë respekte për policinë e Kosovës dhe për sjelljen njerëzore. “ – ka shkruar Noizy në postimin e tij.
Loredana Zefi
Reperja e njohur Loredana Zefi, partnerja e Mozzik, është arrestuar më 7 maj të vitit 2019 nga autoritetet zvicerane. Loderana është prangosur në shtëpinë e saj në Luzern, raportoi gazeta 20min.ch. Ajo u akuzua se i ka shkaktuar dëm në vlerë prej afro një milion frangave një çifti zviceran rreth të 50-tave. Paratë pretendohet të jenë marrë përmes kanosjes dhe kërcënimit. Reperja ishte paraqitur me një emër të rremë tek çifti, duke u thënë se do t’ua kthente paratë në mënyrë të ligjshme. Sipas asaj që raportoi “20 Minuten”, njëra nga gazetat më të njohura në Zvicër, Loredana ishte paraqitur te çifti me emrin Anna Landmann si avokate 29 vjeçare dhe hiqej se ishte e bija e një avokati të njohur në Zvicër me emrin Valentin Landmann.
Arkimed Lushaj
Reperi Arkimend Lushaj, i njohur me emrin Stresi disa arrestime ndër vite:
2012
Stresi është arrestuar më, 1 nëntor 2012, nga Policia e Tiranës në orët e vona të mbrëmjes së Halloween-it. Këngëtari i muzikës rep është kapur me një pistoletë pa leje, teksa dilte nga një lokal në orët e para të mëngjesit. Policia tha se Stresi, i cili shoqërohej edhe nga një mik i tij, është konfrontuar me dy punonjës të Komisariatit Nr.1, duke mos i lejuar që të ushtronin kontroll fizik ndaj tyre.
2018
Policia e Tiranës ka arrestuar këngëtarin Arkimed Lushaj më 14 prill të vitit 2018. Sipas njoftimit këngëtari i njohur Stresi, është kapur duke konsumuar kokainë në një lokal gjatë natës. Pas arrestimit të “Stresit”, burime zyrtare nga Policia thanë se reperi ishte pjesë e një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundërligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit”.
Reperi i njohur Arkimed Lushaj, ose siç e njohin të gjithë me emrin Stresi, është arrestuar gjatë një operacioni të organizuar nga TaskForca qendrore e Policisë së Shtetit, në kuadër të “Forcës së Ligjit”.
2022
Mes të arrestuarve të protestës së 8 janarit në selinë demokratike, u vu re emri i këngëtari Arkimed Lushaj. Ai u akuzua për disa vepra penale, si “Organizim dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, kryer në bashkëpunim.
Aleksandër Gjoka
Këngëtari i njohur, Aleksandër Gjoka, është arrestuar më 22 Maj, 2021 pasi u përfshi në një aksident në Farkë, ku më pas rezultoi i dehur. Ai u arrestua edhe më 23 dhjetor të vitit 2019 pasi edhe asokohe u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
“Arrestimi i tij u bë pasi më datën 23.12.2019, rreth orës 00.15, është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 4 në rrugën “Sotir Caci” duke drejtuar mjetin veturë, tip ‘Chevrolet”. Pas testimit me aparat “Drager”, nga shërbimet e Policisë Rrugore rezultoi se ky shtetas drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.66 mg/l”, thoshte policia në njoftimin e para tre viteve.
Defrim Dervishi
Këngëtari i njohur me emrin “Defri” u arrestua në Itali gjatë aksionit policor “Sottobosco” që u mbyll më 4 korrik të vitit 2018. Hetimet nisën në mars të vitit 2016, kur një familje nga Bondeno e Ferrarës, u paraqit në polici duke denoncuar incidentet e shumta dhe grabitje, në lidhje me një grup të shpërndarësve të drogës, ku djali i familjes ishte një nga konsumatorët.
Organizata e grupit kriminal ku këngëtari bënte pjesë ishte e strukturuar në mënyrë piramidale dhe lidhje të forta me dhunën, ndërsa në përbërje kishte 5 qytetarë shqiptarë, përkatësisht Defrim, Enver, Haxhi dhe Besnik Dervishi dhe Klodian Alushku, të cilët vepronin në krahinat e Pizës dhe Firences. Ata furnizoheshin me sasi të konsiderueshme kokaine nga Holanda, duke përdorur një rrjet korrierësh, përfshirë edhe shqiptarin tjetër Olsi Ivziku.
Gjatë gjithë aktivitetit hetimor, janë kryer konfiskime të ndryshme të drogës, me një shumë totale prej 7 kilogramë kokainë. Gjatë kërkimeve mëngjesin e sotëm, janë gjetur edhe 28,000 euro.
Getoar
Reperi i njohur Getoar Aliu, ose siç njihet për publikun si Getinjo, ka treguar disa detaje rreth jetës së tij për ndjekësit e Instagramit pak javë më parë.
Artisti, ka postuar në story një foto nga Budapesti ku shkroi se ka qenë i arrestuar dhe se në atë vend shumë shqiptarë kanë përjetuar keqtrajtim, duke lënë të kuptojmë se ngjarja mund të ketë ndodhur në kohët kur shqiptarët tentonin të kalonin në Evropë në mënyrë të jashtëligjshme.
“Këtu ku shumë shqiptarë kanë përjetuar keqtrajtim, njëri prej tyre edhe unë. Sot vij e i rrahë me dokumente gojës. Jeta është interesante! Tre herë kam qenë në burgje të këtij shteti, duke u munduar të dalë në Evropë. Zoti është i mrekullueshëm”, shkruan Getinjo.
Megjithatë, reperi nuk dha detaje në lidhje me kohën kur ka ndodhur saktësisht ngjarja që rrëfeu por me sa duket tashmë ai ka dokumentacionin e duhur për të lëvizur në Hugari.
Nush Mehmeti
Një ditë para arrestimit u publikua kënga me titull “3Z” nga reperi Nush Mehmeti, këngë të cilën ai e solli të shoqëruar me klip. E kanë qenë pikërisht pamjet e videoklipit që e kanë futur reperin në telashe.
Në klip Nush Mehmeti shfaqet me një armë në duar e për këtë arsye reperi është arrestuar. Nushit iu gjet gjatë arrestimit një armë, e njëjta e përdorur në videoklip dhe se armën e mban pa leje. Ai u mbajt në paraburgim për 48 orë dhe bashkë me të edhe një shok i tij.
Arjan Korkaj
Këngëtari shqiptar, Arjan Korkaj, është arrestuar nga policia në Amerikë, me pretendimin se ka qenë duke i dhënë makinës në gjendje të dehur. Korkaj është ndaluar nga policia pasi ka devijuar nga vijat e bardha dhe policia e ka shoqëruar në polici, me pretendimin se ishte i pirë.panorama