Gjykata Kushtetuese vendosi të mos e shkarkojë presidentin Ilir Meta duke rrëzuar kështu votimin e Kuvendit të Shqipërisë, të datës 09 qershor 2021.
Ashtu siç ishte paracaktuar, Meta do të vijojë ushtrimin e detyrës deri në përfundimin e mandatit të tij kushtetues, 24 korrik 2022.
Kushtetuesja bën të ditur se presidenti Ilir Meta nuk ka konsumuar shkelje të rënda Kushtetuese, siç pretendon Kuvendi, lidhur me deklaratat e kreut të shtetit për 25 prillin.
“Gjykata Kushtetuese, pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure.
Në lidhje me shkaqet për të cilat Kuvendi ka vendosur shkarkimin e Presidentit, Gjykata Kushtetuese, pasi përcaktoi elementet objektive të “shkeljes së rëndë të Kushtetutës” të parashikuar në nenin 90, pika 2, të Kushtetutës, si dhe vlerësoi kërkesën e nenit 90, pika 3, të Kushtetutës për të vërtetuar fajësinë e Presidentit, arriti në përfundimin se:
1. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
2. Nuk ka shkelje të rëndë të nenit 88, pika 3, të Kushtetutës, pasi:
– Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
– Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
– Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
– Faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
3. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”, thekson Kushtetuesja.