Rindërtimi i mënyrës se si njerëzit e kanë imagjinuar Zotin me kalimin e kohës, mund të sjellë me vete shumë surpriza. Kjo sepse Perënditë u janë shfaqur njerëzve në një larmi të pafundme formash. Madje edhe Zoti ynë, ai i hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve, duket se ka pasur identitete të ndryshme në kohët e lashta.
Zoti i kafshëve
Paraqitja e parë e një hyjnie në formë njeriu, por me brirë dreri dhe lëkurë ujku, është zbuluar në Shpellën e Tre vëllezërve në Francë, dhe daton rreth 25 mijë vjet më parë. Figura paraqet një shaman të hyjnizuar (një lloj prifti primitiv që ishte në kontakt me shpirtrat).
Në kohët parahistorike, kur hynin në një gjendje ekstaze, shamanët pretendonin se depërtonin në botën e shpirtrave. Ata ishin hyjnitë zoomorfike, pra me forma kafshësh, që konsideroheshin si Zota të specieve të gjuajtura (Zoti i Mamuthëve, Zoti i Kalit të Egër, Kau të Egër e kështu me radhë, siç janë ato të përshkruara në shpellën Lasho).
Më vonë hyjnia mori tipare femërore në Epokën e Paleolitit dhe me lindjen e bujqësisë. Statujat e shenjta të Venusit me barkun, gjoksin dhe të pasmet e theksuara, përshkruanin hyjninë Nënë, mbrojtësen e pjellorisë.
Më në fund, me pushtimet e popujve luftarakë Kurgan që vinin nga fushat e Vollgës, dhe me përhapjen e luftës në Evropë, u shfaqën hyjnitë mashkullore. Ishin Zotat e ushtrive, “flamujt” e popujve të ndryshëm. Nëse një popull fitonte mbi një tjetër, kjo donte të thoshte se Zoti i tyre ishte më superior.
Zoti i Biblës
Megjithatë, me Jahve–n, Perëndinë hebraike të Biblës, gjërat shkuan ndryshe. Edhe pse humbi, me popullin e tij në mërgim, ai konsiderohej krijuesi, i vetmi Zot i vërtetë, i të gjithëve, dhe jo vetëm një mbrojtës i popullit të tij. Dhe ky imazh i ri i Zotit, u përhap falë mjetit të frikshëm teologjiko-popullarizues të Biblës.
Por u desh të kalonte shumë kohë, dhe sot dihet që ai ishte rrugëtim i gjatë. Duke analizuar Shkrimet e Shenjta me metodën historiko-kritike, studiuesit kanë zbuluar se monoteizmi u vendos në një mënyrë disi të ndryshme nga ajo që besohet zakonisht.
Edhe pse hebrenjtë konsiderohen si pionierë, sot hipotetizohet se origjina e tij e vërtetë është tek hyjnia egjiptiane Aten, disku diellor (i quajtur edhe Amen, i njëjti term me të cilin përfundojnë sot lutjet e të krishterëve dhe myslimanëve).
Kur në Egjipt u rivendos politeizmi, besimtarët e Aten, të mërguar më herët, e kishin eksportuar monoteizmin. Themeluesi i psikanalizës, Sigmund Frojd, spekuloi se Moisiu ishte në fakt njëri prej tyre. Por kalimi në monoteizëm nuk ishte i drejtpërdrejtë.
Një nga emrat biblikë të Zotit, Elohim, është një emër në shumës:shumësi i Eloah. Tek Zanafilla (1, 26) ai thotë:”Ta krijojmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë!”. Shpjegimi i zakonshëm, është se ishte një formë e shumësit mbretëror për të lartësuar figurën e Zotit.
Nuk do të kesh Perëndi të tjera…
Por sot është ngritur hipoteza, se është në fakt një gjurmë gjuhësore e një faze të mëparshme politeiste të fesë hebraike, e ndikuar nga kultet e tokës së Kananit, drejtuar perëndisë El. Eloah lexon “Allah”, term me të cilin myslimanët i drejtohen Zotit.
Dhe nuk është e vetmja afërsi. Nuk duhet harruar se sipas Shkrimeve të Shenjta, Abrahami, profeti i besëlidhjes me Zotin, është paraardhësi i 3 feve të mëdha monoteiste, nëpërmjet djemve të tij, Isakut (linja hebreo-kristiane) dhe Ismaelit (linja arabo-myslimane).
Prandaj, ka të ngjarë që hebrenjtë të kenë pasur një formë të monolatrisë (pra një fazë në të cilën nderohej një Zot i shquar, por duke pranuar se kishte të tjerë pranë tij), dhe madje edhe përpara epokës së politeizmit.
Nëse nuk do të ishte kështu, pse duhet të thuhet tek Dhjetë Urdhëresat:”Nuk do të keni perëndi të tjera para meje” (Eksodi 20:3)? Dhe pse duhet të këndonin izraelitët pas kalimit të Detit të Kuq “Kush është si ti midis perëndive, o Zot” (Eksodi 15:11)?
Gruaja e Zotit
Hyjnia e qytetit Ugarit, El (Elohim i përmendur në Bibël), kishte për grua Asherah–un, po edhe fëmijë. Nga këtu mund të burojë shprehja biblike “fëmijët e Zotit”. Në rrotullat e Detit të Vdekur, një koleksion tekstesh të shenjta që variojnë nga shekulli I deri në shekullin III Pas Krishtit, lexojmë një version më të vjetër të Ligjit të Përtërirë biblik, sesa ai i teksteve kanonike.
Aty shkruhet se çdo anëtar i familjes hyjnore merr nga El një komb, dhe Izraeli është kombi që i përket Jahves (Dt 32: 8-9). Fëmijët e Zotit thirren që të përulen përpara Zotit në Psalmin 29. Për më tepër, ka shumë pasazhe biblike në të cilat përmendet Zoti, megjithëse në një pozicion epërsie, brenda një panteoni ku ndodhen edhe Perëndi të tjera.
Për shembull “Unë do të lëvdoj përpara Perëndive” (Psalmi 138, 1); “Zoti ynë është më i madh se të gjitha Perënditë e tjera”; “Perëndia është Zoti i zotave” etj. Nëse bijtë e El përfunduan duke marrë një kuptim tjetër, Asherah, i njohur më mirë si Astarte, pati një fat mëtë keq.
Kulti i saj u çrrënjos, siç mund të lexohet tek Ligji i Përtërirë 12:3:”Do të shembni altarët e tyre, dhe do t’i fshini emrat e tyre në ato vende”. Megjithatë, kujtimi i Asherah u rikthye me zbulimin arkeologjik të pllakave të gurit me mbishkrimin:”Jahve dhe shoqja e tij Asherah”.
“Triniteti”, një koncept shumë i lashtë
Edhe kulti i Aten duhet të ketë përfshirë në çdo rast Izraelin. Sot studiuesit mendojnë se Aten u bë “Adonai”, një term tjetër që përdoret për të treguar Zotin në Bibël. Një rindërtim kritik i historisë supozon se mbreti Saul, i angazhuar ushtarakisht kundër filistinëve, vlerësoi se mesazhi i paqes i këtij Zoti egjiptian, nuk ishte i përshtatshëm për një politikë pushtuese.
Për të ishin më mirë një Zot kombëtar “i ushtrive”.
Për këtë arsye, ai mbështeti kultin vendas të Jahve-s, pa e kundërshtuar kultin e mëparshëm, për të shmangur përçarjen. Kështu tek Zoti ki Izraelit, u bashkuan dy ndjeshmëri fetare:ajo e Aten/Adonait dhe ajo e Jahve-s. Shumëllojshmëria e emrave me të cilët përmendet Zoti në Bibël (Elohim, Adonai, Jahveh) tregonte hyjnitë e ndryshme, të cilat u shkrinë në një në një proces të ngadaltë.
Marrë me shkurtime nga Focus – Bota.al