Anulimi i zgjedhjeve nga Presidenti Meta vijon të jetë një temë e nxehtë në politikën shqiptare, duke u komentuar nga njerëz të fushës dhe jashtë saj.
Për këtë vendim të presidentit ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Në një intervistë për news 24, Gjonaj ka dhënë dhe 5 motivet pse Meta ka gabuar në dekretin e datës 8 qershor.
“E para-Presidentit në Kushtetutë nuk i njihet e drejta ta ç’dekretojë aktin e parë me një të dytë. Presidenti ka kompetenca në bazë të Kushtetutës neni 92 pika gj. të përcaktojë dhe vendosë datën e zgjedhjeve. Në asnjë moment Kushtetuta nuk i jep të drejtë ta ç’dekretojë këtë akt me një akt të dytë. E dyta-Presidenti ka vepruar në kundërshtim me praktikën kushtetuese, siç është vepruar deri tani në lidhje me vendosjen e datës së zgjedhjeve. Pra, ai do të duhet të kishte thirrur palët për shkak të praktikës kushtetuese. E treta- Akti i tij është antikushtetues edhe në afate. Ka shkelur të gjitha afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, i cili thotë se nga 30 marsi deri më 30 shtator duhet të ketë zgjedhje, një nga dy të dielat e fundit. E katërta- Kushtetuta përcakton përfundimin e mandatit të të zgjedhurve të pushtetit vendor në 10 gusht. Kushtetua nuk e ka përcaktuar më tej zgjatjen e mandatit të organeve të pushtetit vendor. Pra, Presidenti e lë vendin në një pasiguri. Pas datës 10 gusht pushteti vendor nuk është më në detyrë, i mbaron mandati. Nëse nuk janë zhvilluar zgjedhjet më 11 gusht ata nuk janë më detyrë. Nuk mundet që atë që nuk e thotë Kushtetuta të thotë një akt tjetër. E pesta- Po ashtu me këtë akt është cenuar e drejta e zgjedhësve për të zgjedhur. Ai është organi më i lartë që qëndron mbi palët”,- tha Gjoni.