“Kemi vendosur të ndërhymë për të mbrojtur jetët e mijëra njerëzve të pafajshëm, për të parandaluar një luftë edhe më mizore e më të kushtueshme. Kemi ndërhyrë sepse fëmijët tanë kanë nevojë dhe e meritojnë një Europë të qetë, të qëndrueshme dhe të lirë”. Këto ishin fjalët e para të Presidentit Amerikan, Bill Clinton në vizitën tij të parë në Kosovë. Sot ai rikthehet pas 20 vitesh për të festuar se bashku me shqiptarët një nga triumfet më të mëdha të presidencës së tij: Çlirimin e Kosovës.
Njëzet vjet më parë, në Kosovë u derdhën lot gëzimi dhe mirënjohejeje. Për shqiptarët, 12 qershor i 1999 ishte jo vetëm dita që i dha fund represionit të Beogradit, por edhe dita kur do niste rrugën shteti më i ri i Ballkanit.
68-vjeçarja Shpresa Gashi kujton se shpërtheu në lot pasi pa për herë të parë pamjet e trupave ndërkombëtare të hynin në Kosovë. Gjatë një viti e gjysmë, konflikti kishte lënë 13,000 viktima, përfshirë edhe gra dhe fëmijë të pafajshëm. Në atë kohë, Gashi ishte një nga qindra mijëra të strehuarit në Shqipëri për t’i shpëtuar luftës.
“Ishte hera e parë që pashë gëzim në sytë refugjatëve nga Kosova”, kujton ajo.
Esat Rexhepi, një 72 vjeçar që jeton në Prishtinë, e kujton 12 qershorin si ditën më të bukur të jetës së tij.
“Vesha kostumin tim më të mirë, vura një kravatë dhe dola për të mirëpritur trupat e NATO-s,” kujtoi ai duke buzëqeshur. “I kam puthur armët çdo ushtari që takova”.
Për Edita Brajshori, një parukere 40 vjeçare nga Prishtinës, ajo që do të mbahet mend nga 12 qershori janë tingujt e muzikës shqiptare që dëgjohej në çdo cep të qytetit.
“Më në fund mund të dëgjonim muzikë me zë të lartë në shqip për herë të parë pas kaq shumë vitesh” tha ajo.
Edhe Agim Kuleta e kujton qartë se si hynë në Prishtinën e lirë për herë të parë. Ishte nata e 11 qershorit 1999, forcat serbe po tërhiqeshin në veri dhe trupat e NATO-s po hynin në Kosovë pas mbarimit të fushatës së tyre të bombardimeve.
“Prishtinën e kam përjetuar vërtet në momentin e hyrjes përfundimtare. Së bashku me bashkëluftëtarët u nisëm me vetura nga malet e Gollakut. Ishte errësirë. Kishim jashtëzakonisht shumë emocione”, kujton ai.
Pas disa vitesh rezistencë, së pari në kryeqytet e më pas në male, ky çast ishte simbolik për djaloshin që dikur ishte detyruar t’i ikte arrestimit duke u fshehur në një kthinë të murosur në shtëpinë e xhaxhait të tij në Prishtinë.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana duke u mirëpritur nga banorët e Kosovës në Prishtinë më 24 qershor 1999. Ai është pritur si hero në kryeqytetin e Kosovës, së bashku me komandatin suprem të NATO-s, gjeneralin amerikan, Wesley Clark. (AP Photo/David Guttenfelder)
Kur arritëm tek tabela e cila tregonte hyrjen në Prishtinë, të gjithë kemi bërtitur nga entuziazmi me sa fuqi që kishim” thotë ai. “Ishte krejtësisht legjitime. Një herë në jetë përjetohen momente të tilla dhe jo çdo gjeneratë e ka këtë fat.”
Tmerret e asaj që ndodhi në Kosovë janë të papërfytyrueshme sot. Fshatra të tëra të djegur, burra gra dhe fëmijë të masakruara dhe qytete të tëra fantazmë, ndërkohë që shqiptarët ishin përzënë me dhunë. Edhe sot, 20 vite më vonë, shkalla e kësaj përpjekjeje për spastrim etnik është e panjohur.
Serbia humbi kontrollin ndaj Kosovës dy ditë përpara 12 qershorit, kur Kosova u vu nën mbrojtjen ndërkombëtare të OKB-së. Më 10 qershor 1999, trupat e NATO-s nënshkruan një marrëveshje me ushtrinë e ish-Jugosllavisë, sipas të cilës ushtria serbe duhej të tërhiqej nga Kosova, duke lejuar forcat paqeruajtëse të KFOR-it të hynin në tokën shqiptare dy ditë më vonë.
Fushata bombarduese kundër Jugosllavisë filloi më 24 mars të vitit 1999, duke shënuar kështu edhe herën e parë që NATO-ja hynte në luftë. Sulmet 78-ditore nisën pasi negociatat ndërmjet anëtarëve të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe UÇK-së dështuan. Përfaqësuesi amerikan, Henry Kissinger e përshkroi dështimin e bisedimeve të Rambujesë si pikën e kthesës që e detyroi Uashingtonin të ndryshonte taktikë.
Në kujtimet e tij, edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton e përshkruan telefonatën kur e informuan për dështimin e këtyrë bisedimeve si momentin e pakthyeshëm kur vendosi të hynte në luftë me Serbinë.
“Shqiptarët kosovarë kërkonin pavarësi. Por ata ishin të ndarë edhe mes tyre. Ibrahim Rugova ishte një burrë i butë, i dalluar për mbajtjen gjithmonë të një shalli rreth qafes. Unë isha i bindur që me të mund të arrinim një marrëveshje paqeje, por nuk isha aq i sigurt për faktorin tjetër kryesor kosovar, Ushtrinë Çlirimtare Kosovare (UÇK) të drejtuar nga një i ri i quajtur Hashim Thaçi. UÇK-ja kërkonte pavarësi dhe besonte se mund të ndeshej dhëmbë për dhëmbë me ushtrinë serbe. Palët u takuan në Rambuje në Francë, më 6 shkurt (1999) për të rënë dakord mbi hollësitë e një marrëveshjeje, e cila do të rikthente autonominë, do të mbronte kosovarët nga shtypja me anë të një operacioni të drejtuar nga NATO-ja, do të ç’armatoste UÇK-në dhe do të lejonte ushtrinë serbe të vazhdonte të ruante kufirin. Madeleine Albright dhe homologu i saj britanik, Robin Cook ngulën këmbë agresivisht në favor të kësaj politike”, kujton Clinton.
“Pas një jave bisedimesh të koordinuara nga ambasadori amerikan Chris Hill dhe homologët e tij nga Bashkimi Europian dhe Rusia, Madeleine dhe unë zbuluam se qëndrimi ynë kundërshtohej nga të dyja palët: serbet nuk donin të binin dakord për vendosjen në Kosovë të një force paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja dhe kosovarët nuk donin të binin dakord për të pranuar autonominë në rast se nuk merrnin garanci për mbajtjen e një referendumi ku do të vendosnin për pavarësinë. Në 23 mars, pasi Hollbruk-u largohet nga Beogradi, Sekretari i Përgjithshem i NATO-s, Javier Solana, me mbështetjen time të plote, i kërkoi Gjeneralit Uesli Klark të fillonte sulmet ajrore. Në të njëjtën ditë, me shumicë votash 58- 41 Senati votoi për të mbështetur këtë veprim. Në datën 24 (mars 1999) iu drejtova popullit amerikan për t’i treguar se çfarë isha duke bërë dhe arsyet pse po ndërmerrja një akt të tillë.
“U shpjegova atyre se Millosheviçi u kishte zhvatur kosovarëve autonominë, duke u mohuar të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë për të folur gjuhën e tyre, për të pasur shkollat e tyre, dhe për t’u vetëqeverisur. Unë iu përshkrova atyre masakrat serbe: vrasjen e civilëve, djegien e fshatrave, dëbimin e njerëzve nga shtëpitë e tyre, 60 mijë vetëm në pesë javët e fundit dhe gjithsej një çerek milioni. Më në fund unë kisha mundësi t’i vendosja ngjarjet aktuale në kontekstin e luftrave që Millosheviçi kishte shpallur kundër Bosnjës dhe Kroacisë. Fushata e bombardimeve kishte tre qëllime: t’i tregonte Millosheviçit se ne e kishim seriozisht se do të ndalonim spastrimin etnik, se do të shmangnim një sulm akoma më të përgjakshëm kundër civilëve të pafajshëm në Kosove dhe se nëse Millosheviçi nuk do të dorëzohej se shpejti ne do të dëmtonim seriozisht kapacitetin ushtarak të Serbisë”, shkruan Clinton.
Ndërsa ish-presidenti çek Vaclav Havel e përshkroi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si herën e parë që Perëndimi luftoi “në emër të parimeve dhe vlerave europiane” në vend të interesit të tyre kombëtar.
Ky vendim u mor pas një sërë konsultimesh mes ish-presidentit Bill Clinton dhe ish-kryeministrit Tony Blair. Edhe pse komuniteti ndërkombëtar ishte fillimisht kundër ndërhyrjes ushtare, Clinton e ktheu çlirimin e Kosovës në një çështje personale të udhëheqjes së tij.
Në një fjalim përpara popullit amerikan, Bill Clinton dha urdhrin për fillimin e e bombardimeve, duke njoftuar se bashku me aleatët e NATO-s, SHBA-ja do të nisnin ndërhyrjen ushtarake kundër Serbisë, duke i sjellë Kosovës lirinë dhe pavarësinë e shumëmerituar.
“Qytetarët e mi amerikanë, sot forca jonë ushtarake iu bashkua aleatëve tanë të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për brutalitetin kundër Kosovës, kemi vepruar për disa arsye, për të mbrojtur jetët e mijëra njerëzve të pafajshëm në Kosovë nga ofensivat ushtarake si dhe kemi vepruar për të parandaluar një luftë më të madhe”, shprehej Clinton në atë kohë. “Ne qëndrojmë të bashkuar me aleatët tanë për të ruajtur paqen. Duhet të veprojmë në Kosovë para se të ndodhë e njëjta gjë sikurse në Bosnje e Kroaci. Nëse presidenti Millosheviq nuk dëshiron paqe, ne do të limitojmë kapacitetet e tij luftareake. Tani dua të jem i qartë me ju, ka rreziqe në këtë ndërhyrje ushtarake, për pilotët dhe ushtarët tanë, mbrojtja ajrore e Serbisë është e fortë, sidomos nëse vendosin të intensifikojnë sulmet ndaj civilëve Kosovë. Por ju premtoj se nëse bëjnë këtë ne do të marrin një përgjigje të plotfuqishme”, tha mes tjerash Bill Clinton.
Një burrë i moshuar duke ecur rreth pjesës së shkatërruar të Gjakovës. Forcat serbe kanë djegur pjesën më të madhe të këtij qyteti gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s.
Ai do të vizonte më pas kombin e vogël që kishte çliruar në 11 nëntor të atij viti, ku u prit i përlotur nga qindra shqiptarë që e përqafonin, i puthnin duart dhe e mirëpritën në shtëpitë e tyre të varfra. Ai i kishte falur shqiptarëve gjënë më të shtrenjtë në botë: lirinë.
Ish presidenti amerikan mbajti fjalimin e tij të parë në Kosovë.
Ai rikujtoi vizitat në kampet e refugjatëve ku ishin zhvendosur shqiptarët e Kosovës me bashkëshorten e tij, Hillari Klinton.
“Kurrë nuk do t’i harroj fytyrat e njerëzve dhe rrëfimet e tyre”, tha Klinton.
“Megjithatë, tani duhet të mendojmë se çfarë do të bëni dhe një prej gjërave që kam mësuar është fakti se është shumë më e lehtë për njerëzit të ndajnë të ardhmen nëse mendojnë më shumë për të dhe më pak për të kaluarën”, tha Klinton.
Në vizitën e tij të tretë dhjetë vitë më vonë, gjatë inaugurimit të bustit 3 metra të lartë në qendër të Prishtinën, Bill Clinton mbajti për herë të parë një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku kujtoi ish-presidentin Ibrahim Rugova.
“Nuk mund të mos kujtoj këtu rolin e madh që ka luajtur Rugova për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Unë nuk e harroj kurrë takimin që pata me Presidentin Rugova në Shtëpinë e Bardhë. Ai më dhuroi mua atëherë një gur të kristaltë. Kur po bisedonim për Kosovën, unë i thashë se vendi ku jam rritur unë ka ngjashmëri të madhe gjeologjike me Kosovën. Unë nuk e kam më atë gur, sepse ruhet në Muzeun e Kongresit. Por e kam një gur tjetër, të cilin ma dhuroi pasardhësi i Ibrahim Rugovës, Presidenti Sejdiu dhe unë do ta ruaj atë në shtëpinë time në Nju Jork gjithmonë.
Ish presidenti amerikan Bill Klinton, perifrazon Zëri i Amerikës, u zotua të mbështesë Kosovën gjatë tërë jetës së tij, duke bërë thirrje për tejkalimin e dallimeve dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Pas Kuvendit, Klinton u nis për në bulevardin që mban pikërisht emrin e tij, për të përuruar shtatoren e njeriut që në Kosovë cilësohet si hero.Bulevardi që prej orëve të hershme të mëngjesit ishte mbushur plot me qytetarë, të cilët mbanin flamuj amerikanë dhe portrete të ish presidentit amerikan.
Nga skena me mbishkrimin “Kosova nderon heroin”, ish presidenti amerikan, Bill Klinton, përshëndeti numrin e jashtëzakonshëm të qytetarëve që kishin dalë për të marrë pjesë në përurimin e statujës. Ai iu drejtua turmës me fjalët “Faleminderit që më mirëpritët”.
“Nuk e kisha menduar se dikush do të ndërtonte një statujë aq të madhe për mua”, tha ish presidenti amerikan. Edhe tani, 20 vjet pas ndërhyrjes, Bill Clinton është dhe do të mbetetet njeriu më i dashur në Kosovë. Burimi: Gazeta Si