Pas vendimit të presidentit Meta për të shtyrë zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ka ardhur dhe reagimi i deputetes Rudina Hajdari.
Pas disa ditësh heshtje nga ana e saj Hajdari është shprehur se Meta ka shkelur Kushtetutën dhe se po bën një taktikë politike gati në viktimizim.
“Unë shikoj se Presidenti nuk është i fiksuar nga kjo gjë. Madje, unë shoh një taktikë politike, gati në viktimizim. ‘Dëgjoni se unë po shkarkohem se po bëj një akt për Shqipërinë dhe të tjera. Unë mendoj se duhet t’i ulim këto lloj tonesh dhe të mos bëjmë populizëm. Ne mund ta propozojmë edhe vetë shkarkimin e Metës, i kemi 35 deputetë. Çështja nuk është do të votojmë apo jo, ne do ta shohim çështjen hap pas hapi. Unë besoj se edhe vetë zoti Meta e di që ka shkelur Kushtetutën. Ai e di shumë mirë që i ka shkelur kompetencat e tij. Presidenti është në një situatë shumë të vështirë. Unë do të doja që Presidenti të kishte pasur më shumë përpjekje, thirrje konkrete, për Gjykatën Kushtetuese, reformën zgjedhore dhe datën, të cilën ka për detyrë ta caktojë”, tha Rudina Hajdari në A2News.