“The Guardian”
Si mbijetojnë tiranët në pushtet? Historia është e mbushur me shembuj të diktatorëve dhe despotëve mizorë që i kanë dominuar për vite të tëra vendet e tyre, duke shtypur apo eleminuar miliona njerëz, dhe duke mos u rrëzuar asnjëherë me forcë.
Josef Stalin vdiq në shtratin e tij në moshën 74-vjeçare. MaoZedong jetoi më shumë, duke vdekur nga shkaqe natyrore në vitin 1976, në moshën 82-vjeçare. Diktatori fashist i Spanjës Francisco Franco e mori pushtetin në vitin 1939, dhe ishte ende në detyrë kur vdiq në vitin 1975 në moshën 82-vjeçare.
Përgjigja e qartë është frika. Faktorë të tjerë si dinakëria dhe karizma luajnë po ashtu rolin e tyre. Por terrori është mjeti i preferuar për shumicën e këtyre tiranëve. Ky është një leksion që Kim Jong-un, “udhëheqësi suprem i Koresë së Veriut”, e ka mësuar shumë mirë prej babait të tij.
Dhe kur Kim Jong-il vdiq 10 vjet më parë, djali i tij në atë kohë 26-vjeçar u ngjit me apo pa dëshirë në krye të dinastisë totalitare të themeluar në vitin 1948 nga gjyshi i tij Kim Il-sung.
Në vitin 2011 nuk ishte aspak e sigurt se i riu Kim Jong-un do të ishte në gjendje të shtypte 26 milionë njerëz.
Nuk ishin të paktë analistët që parashikuan se ai do të rrëzohej shumë shpejt. Madje disa komentatorë në Korenë e Jugut shpresonin për një revolucion demokratik në vendin e izoluar komunist. Por duke kopjuar paraardhësit e tij, Kim bëri gjithçka për të mbijetuar.
Në vitin 2013 u arrestua dhe u ekzekutua Jang Song-thaek, xhaxhai dhe mentori i tij prej një kohë shumë të gjatë. Ajo ngjarje u pasua shumë shpejt nga spastrimet e zyrtarëve të tjerë të lartë. Më pas në vitin 2017, në një komplot të zymtë jakobin, gjysmë-vëllai më i madh i Kim, Kim Jong-nam, që shihej dikur si trashëgimtar i dinastisë, u vra nga dy vajza të reja.
Ato përdorën kundër tij një agjent nervor në një aeroport në Malajzi. Që nga ajo kohë, askush nuk ka guxuar të sfidojë sundimin e Kim Jong-un.
Dëshmi të mëtejshme të brutalitetit të pamëshirshëm të Kim, të kthyer në një normë, u dhanë javën e kaluar nga Grupi i Punës për Drejtësinë Tranzicionale, një organizatë e të drejtave të njeriut me qendër në Seul, kryeqytetin e Koresë së Jugut, e cila bëri publike detaje të tmerrshme të 23 ekzekutimeve publike.
Shumica e pushkatimeve dhe varjeve në litar nuk ndodhën për krimet e vrasjes apo përdhunim, por për shikimin ose shpërndarjen e videove nga Koreja e Jugut, thuhej në raport. Frika e brendshme e Kim, se koreano-veriorët mund të “infektohen” nga standardet superiore të jetesës, politika demokratike dhe liritë publike dhe mediat në Korenë e Jugut, nxit tek ai sjellje paranojake.
Kufizimet në çdo aspekt të punës dhe jetës personale të koreano-veriorëve janë shtrënguar shumë vitet e fundit. Thuhet se në kuadër të përvjetorit të vdekjes së babait të tij, qytetarët u urdhëruan “të mos pinin alkool, të qeshnin apo të përfshiheshin në aktivitete të kohës së lirë”.
Rezultati i parashikueshëm i tiranisë 10-vjeçare të Kim, është një vend ekstremisht i varfër, i prapambetur në aspektin social dhe ekonomik. Koreja e Veriut është sot një vend ku mungesa e ushqimit gati pranë urisë është më se e zakonshme, dhe shumica e njerëzve mezi ia dalin të mbajnë frymën gjallë në një vend ku dhuna shtetërore, korrupsioni dhe frika janë gjithnjë të pranishme.
Kjo ndodh brenda një gulagu të tipit stalinist, ku banorët janë të detyruar të mbyllin gojën. Koreano-veriorët janë pengjet e Kim. Atëherë duhet shtruar sërish pyetja, por këtë herë drejtuar fuqive të mëdha:si mbijeton kjo tirani?
Duke nisur nga Lufta e Koresë e viteve 1950-1953, Kina ka më shumë përgjigje për të dhënë. Ndërsa sjellja kaotike e Phenianit i shkakton probleme Pekinin, llogaritja e bazës së tij nuk ka ndryshuar në 70 vjet:më mirë një despot i dobët dhe i varur nga në Veri sesa një Kore e fortë dhe e ribashkuar, që ashtu siç ka premtuar presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, do të bashkohej me kampin perëndimor.
Edhe SHBA-ja dhe aleatët e saj si Japonia, kanë dështuar të bëjnë sa duhet për t’i dhënë fund kësaj fyerje të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor dhe ligjit ndërkombëtar. Për një kohë të gjatë ato u kënaqën me izolimin, vendosjen e sanksioneve dhe injorimin e Koresë së Veriut.
Tani që Kim Jong-un ka ndërtuar raketa balistike të armatosura bërthamore, të afta për të goditur çdo qytet amerikan -“suksesi” më i madh i udhëheqjes së tij -mund të jetë tepër vonë për ta rrëzuar atë nga pushteti.
Sikurse e ka zakon, Donald Trump i përkeqësoi më tej gjërat me samitet e drejtuara nga egoja e tij, të cilat vetëm sa e inkurajuan Kim të vazhdojë në rrugën e tij, dhe nuk arritën asgjë tjetër. Kina dhe Rusia po komplotojnë tashmë në heshtje për të ruajtur status quo-në, ndërkohë që SHBA po miraton vendosjen e sanksioneve shtesë, që mbeten gjithsesi joefektive. Koreano-veriorët i presin edhe shumë dekada të tjera tiranie./ bota.al