Në librin e tij “Nocturn: Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, botim i “UET Press”, ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, tregon për debatet e ashpra mes Nanos e Berishës në vitin 2002 dhe përfshirjen e tij në to.
Çfarë ndodhi pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005 dhe si u la nënkryetari i Partisë Demokratike jashtë bisedimeve me aleatët dhe krijimin e qeverisë. Ishte pikërisht atëherë kur raportet me Berishën do të vështirësoheshin…
BAMIR TOPI
Problemi i madh politik për Sali Berishën në të vërtetë ishte emri Fatos Nano, me të cilin kishin veç politikës, probleme të vjetra deri personale. Hyrja në Parlament u shoqërua me një interes të veçantë edhe nga trupi diplomatik, i cili ishte i pranishëm në lozhat e Kuvendit. Fjalën në emër të grupit e mbajta unë, fjalë në të cilën kishte elemente të dukshme që nënvizonin se beteja e ardhshme do të ishte në Parlament e jo në rrugë. Argumenti dhe logjika politike do të ndryshonin rrënjësisht mënyrën e sjelljes së grupit.
Grupi Parlamentar filloi shpejt të kompaktësohet. Nga një krah ishte “grupi” konservator i PD-së, që përbëhej nga deputetë e ish-drejtues dhe pjesa tjetër e pakompleksuar kishte një marrëdhënie të lirë dhe shumë sportive. Sidoqoftë, qëllimi ishte i njëjtë: beteja politike me qeverinë në Parlament. Pa kaluar shumë kohë erdhi dhe një përplasje batutash që Fatos Nano i kishte shumë për zemër, me natyrën e tij shpërfillëse. Gjatë fjalës së tij në foltore, pati një reagim nga ana ime, për të pavërtetat që Nano po hidhte në publik. I shqetësuar, por për ta shfrytëzuar e filloi ai batutën i pari:
– Bamir, që kur ke ndërruar profesion nuk po ndihesh mirë, – tha duke nënqeshur.
– Fatos, ti e di që profesioni im mund të jetë i vlefshëm për ty sot.- Më tej vazhdoi:
– Po ti je profesionist për kafshët, – duke iu referuar mjekësisë veterinare që unë kisha studiuar.
Po, – i thashë Fatosit, i cili më kishte dalë në shteg dhe vazhdova, – kjo madje është arsyeja pse po merrem me ty sot.
Ai nuk e priste, u nervozua dhe vazhdoi duke turfulluar çështjen për të cilën ishte ngritur për të folur. Pak kohë më vonë, kur beteja politike po zgjerohej dhe po bëhej më interesante, misioni ynë në Parlament kishte marrë pikërisht fizionominë e një politike që unë kisha ëndërruar. Debat, përplasje idesh dhe platformash politike, batuta të çastit që nuk priteshin keq në opinion. Kuvendi i kësaj periudhe kishte në përbërje përgjithësisht njerëz me emër të mirë në publik, ndonëse ishin rreshtuar në kampe të kundërta; intelektualë dhe njerëz me karrierë të gjatë në politikë dhe në profesionet e tyre. Sidoqoftë, në fokus mbetej Nano, tek i cili Berisha donte të përqendronte gjithë goditjen që, për fat të keq, përzihej me sulme personale, element i cili nuk ka qenë i preferuar nga unë.
Mënyra e sjelljes sime ishte për të bërë politikë goditëse me artikulim të fortë politik, pa fyerje për tema të forta me interes publik dhe pa qenë aspak e nevojshme për t’u marrë me karakteristikat individuale, për më tepër për t’u futur në familje e në disa raste për t’u marrë edhe me të vdekurit!!! Ndonjëherë, në këtë filozofi binin edhe ata të cilët nuk shquheshin për këtë tendencë. Në përfundim të një seance parlamentare të vitit 2002, ndërsa po largoheshim, Saliu kërkoi që të bisedojmë në zyrë. Sapo e takova, konstatova që ishte me humor të prishur nga debatet që kish pasur me Fatos Nanon në seancë parlamentare.
– Dëgjo, – më tha, – do të përgatitim një interpelancë me Kryeministrin. Do ta demaskojmë për apartamentin që ka marrë te “Shallvaret”.
Në fakt, Nano, pasi doli nevoja për t’i lënë banesat e ishpronarëve, ishte treguar korrekt dhe ishte larguar nga banesa te zona e rrugës “Hoxha Tahsim”, për t’ua dorëzuar të zotëve. Në këto kushte kishte marrë një apartament, për të cilin fliste Berisha. I takonte Fatos Nanos të justifikonte mënyrën e pagesave tek institucioni përkatës, por Berisha donte ta sulmonte politikisht.
– Nëse do të më dëgjosh, – i thashë Berishës, – të mos merremi në Parlament me një çështje të tillë në interpelancë, pasi ai është Kryeministër dhe diku do të banojë. Le të përgjigjet ligjërisht për mënyrën si e ka blerë, por nuk më duket rast për t’i ngritur topin, kur ka shumë gjëra të tjera që duhet të na përgjigjet.
– Dëgjo, – tha i nevrikosur, – po nuk e bëre ti, i marr firmat në grup.
– Mos shko në ekstrem. Të dhashë një mendim. Nuk je dakord? Vazhdojmë me idenë që ke!
Ditët në vazhdim u përpilua dhe u depozitua në Kuvend kërkesa për interpelancë, që u realizua brenda dy javësh, në një klimë tensioni politik dhe ku dy grupet parlamentare kishin ndarë kohën për të debatuar. Në fillim të seancës, Kryetari i Kuvendit, z. Servet Pëllumbi, njoftoi kërkesën dhe më ftoi ta paraqes në emër të grupit. E paraqita shkurt, pa e lexuar, për ta zhveshur nga terminologjia e ashpër me idenë që Fatos Nano t’i përgjigjej në të njëjtën mënyrë. Por jo.
Ai merr fjalën, që dikush ia kishte përgatitur. E nisi me argumentin e shifrave të apartamentit dhe duke konkluduar “ngatërroi” me qëllim mbiemrat duke thënë:
– Sali Topi dhe Bamir Berisha duan të më fusin sërish në burg, – dhe, duke iu drejtuar Berishës i tha që, – merre vesh njëherë e përgjithmonë se aseti më i madh për Fatos Nanon je ti Sali Berisha!
E mbylli fjalimin e tij si triumfator, duke imponuar një debat jashtë vullnetit tim, ndërkohë që po ta dinte pozicionin që kisha mbajtur, nuk do të duhej ta përmendte kurrsesi emrin tim. Pasi mora fjalën, i drejtohem Fatosit:
– Pa asnjë nevojë bëre një gjest jo fisnik. Qëllimisht bëre një ngatërresë me mbiemrat. Ti je nga ata njerëz që më së miri e kupton se ndryshe nga emri, mbiemri është atribut i brezave, i paraardhësve, por edhe i atyre që ende nuk kanë ardhur në këtë botë dhe në emër të tyre po të përgjigjem sot publikisht. Ti në daç mbaj mbiemrin tënd, në daç të gruas tënde të re, ti Nano mbetesh!
ano mbetesh! Për një koincidencë dhe bashkëshortja e re e kish mbiemrin nga i ati Nano, ndaj vazhdova:
– Ti je Nano në kuptimin e vërtetë të fjalës, që origjinën e ka nga latinishtja. I vogël, i shkurtër, sa mua nuk më vjen as te shumësi i mbiemrit tim. Kisha dalë jashtë vetes me atë lloj komunikimi, por të detyruar.
Në sallë shpërthen e qeshura, ndërsa Fatosi ndoshta u ndie shumë keq për një gjë që e kish provokuar vetë. Praktikisht, interpelanca kish mbaruar pa filluar ende.
Fatosi kishte thirrur Agron Dukën, që njihej si miku im, duke treguar revoltë për komunikimin tim. Sipas asaj që më tha, Agroni i kishte thënë që “provokimin e nise ti dhe ai t’u përgjigj sipas mënyrës që ke qejf ti”. Pastaj ishte qetësuar, duke u futur në rrjedhën e tij liberale.
Natyrisht jeta parlamentare ka një dimension shumë kompleks. Debat politik, bashkëpunim me kundërshtarët politikë për çështje të interesit kombëtar, intervista televizive, debate televizive, delegacione parlamentare. Eksperienca ime në Parlament është shumë e veçantë, pasi kam qenë kryetar i grupit në opozitë, por edhe kur erdhëm në pushtet. Në vitin 2005, pasi Partia Demokratike me aleatët fitoi zgjedhjet parlamentare, çdo njeri do të mendonte se n/kryetari i PD-së dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar të saj, do të merrte një pozicion të rëndësishëm në qeverisjen e re të vendit. Pas një fushate politike spektakolare, udhëtime pa fund në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që udhëhiqja grupin e deputetëve të Tiranës dhe kisha edhe zonën time elektorale, po ashtu në studio televizive me debate të rëndësishme erdhi edhe çasti i deklarimit se Partia Demokratike kishte riardhur në pushtet.
Njoftimin zyrtar e bëmë nga ballkoni i selisë së Partisë Demokratike, ku Berisha entuziast komunikoi me një numër militantësh, të cilët ishin gjithmonë të pranishëm aty. Përshëndetëm njëri-tjetrin me gëzim dhe u ndamë për t’u riparë shpejt.
Këtu fillon një etapë tjetër shumë e çuditshme, që rikonfirmon një marrëdhënie jo të sinqertë, të mbushur me pabesi në vazhdimësi nga ana e Saliut, për më tepër në ditë të mira për të. Të nesërmen, pa asnjë njoftim dhe konsultim, të paktën me mua, fton publikisht në qeveri Lufter Xhuvelin, ish-ministër i kohës së Nanos. Personalisht, marrëdhëniet e mia me Xhuvelin ishin të mira. Të dy njiheshim qysh nga universiteti dhe për problematikat e bujqësisë, meqenëse të dy kishim qenë ministra në këtë dikaster. Problemi qëndronte në planin politik dhe për më tepër në mos respektimin e komunikimit dhe vendimmarrjes.
Të krijohej bindja se Berisha do të luante me të tjerë tani që ishte rikthyer në pushtet. Në mbrëmje isha i ftuar në një studio televizive te “Top Channel” me Rudina Xhungën, ku midis të tjerave u diskutua aleanca me Xhuvelin. Në fjalën time, përderisa nuk isha pyetur, i them: – Nuk e di nëse kjo lëvizje është bërë thjesht për numrat, për të forcuar disi maxhorancën, por politikisht nuk më duket korrekte. Kjo është larg parimeve të mia. Fillimisht, ezaurohen burimet e brendshme, pastaj kalohet për aleatë të rinj. Në mbrëmje vonë më telefonoi Berisha, duke kërkuar arsyen pse fola në atë mënyrë. Unë iu përgjigja: – Do të kishe bërë mirë që të më kishe thirrur për t’u konsultuar. Mos t’i bëjmë gjërat aposteriori.
E mbylli telefonin dukshëm me nervozizëm. Java në vazhdim nuk pati asnjë komunikim. Unë nuk isha pjesë e asnjë konsultimi për qeverinë që po lindte dhe për këtë arsye edhe nuk u shfaqa asnjë ditë në zyrë. Ky ishte momenti i kryetarit të partisë dhe i takonte vetëm atij të njoftonte nëse duhet të takoheshim dhe kur.
Pas një jave, pa asnjë komunikim, kur pothuajse gjithçka ishte vendosur, vjen një telefonatë nga Saliu.
Urdhëro! – i them.
Pa komunikimin normal pyeti:
– Ku je? Po futem në shtëpi!
Sigurisht që ajo orë, rreth 15:30, kur nuk kisha impenjim tjetër, do të më gjente në shtëpi. Në fakt, sapo ndahesha me një shokun tim, Edmondin, i cili ishte në dijeni të ftohjes së fundit. Me një gjest për të ruajtur qetësinë, ai u afrua dhe po ndiqte bisedën. Ndërkohë, Saliu vazhdoi në mënyrë taktike për të më vendosur në një raport me kërkesë llogarie:
– Po mirë, o zoti nënkryetar, militantët e Partisë kush do t’i presë, Sali Berisha? Toni i tij ishte i plotë, si i njeriut që tani do të kishte në dorë gjithçka, sipas tij, edhe komunikimin me kolegët më të afërt. Menjëherë iu përgjigja me sarkazëm:
– Në mënyrë absolute jo! Sali Berisha e mbaroi punën me militantët, tani po merret me ndarjen e llokmave të pushtetit, madje edhe me Xhuvelin!
Duke e kuptuar menjëherë peshën e rëndë të kësaj bisede u duk sikur i gjithë vrulli i fillimit iu këput në mes. Më tej vazhdova:
– Ta kam bërë të qartë se me mua nuk mund të sillesh siç e ke zakon me shumë të tjerë! Ndërkohë, Edmondi bënte gjeste për të më frenuar, pasi më njihte mirë në të tilla situata. Vazhdova duke përfunduar:
– Të lutem, këtij telefoni mos i bjer më! – dhe e mbylla si bisedë, duke i kthyer reston e bisedës së fundit dhe në mendjen time, edhe bashkëpunimin politik.
Pavarësisht gjendjes psikologjike të mikut tim të pranishëm në këtë përplasje në telefon, u ndjeva i lehtësuar nga një peshë që më shoqëronte gjatë gjithë periudhës së fundit.
Të nesërmen, filluan angazhimet e miqve të mi në Kryesi që ishin futur nga ai për të normalizuar bisedat dhe pas gati dy ditësh pranova të takoheshim për të vazhduar atë bisedë që do të thoshte shumë për një raport që nuk do të ishte si më parë.
Halli i tij ishte i madh. Ai frikësohej nga një rupturë ende pa formuar qeverinë në letër dhe në atë raport numrash në Parlament mendonte dhe një krizë të mundshme. Pasi u ula në poltronën e zyrës së tij, e pashë që e kishte të vështirë të fillonte bisedën. Tani gati po luante në inferioritet.
– Urdhëro! – i them, duke mos e fshehur gatishmërinë për t’u përplasur sërish. Të thirra për të propozuar pozicionin në qeveri! – tha, ndërkohë që vështrimin e kishte nga vetja e tij.
– Si të duket ministër i Reformave? – dhe vazhdoi duke më argumentuar mua rëndësinë e reformave, a thua se isha fillestar në politikë.
– Jo! – i them, – faleminderit!
Po ministër Bujqësie? – vazhdoi ai. Në këtë moment më doli në shteg për t’i thënë disa të vërteta të mëdha.
– Unë kam qenë ministër Bujqësie 10 vjet përpara, kur bujqësia kishte ushqimin, pyjet, ujërat dhe atëherë sapo isha futur në politikë. Sot me gjithë dashurinë që unë kam për atë dikaster, t’i i ke hequr ujërat dhe pyjet dhe ia ke dhënë Mjedisit të Xhuvelit. Na çove prapë në pikën e fillimit të debatit. Jo nuk pranoj, – dhe kështu u ndamë atë mbrëmje.
Të nesërmen, kërkoi sërish të takoheshim. Kisha mbetur vetëm unë pa marrë pozicion politik dhe shqetësimi kish filluar të dalë nga zyra e tij, nga bashkëpunëtorët që ishin njësh me të.
– Kam menduar Ministrinë e Integrimit! – tha pa bërë asnjë hyrje me fjalë të tjera.
– Jo, nuk futem në qeveri!
– Fjalia ishte e prerë dhe u duk sikur po ndaheshim politikisht, ndërkohë vazhdova: – Edhe sikur të vendos të largohem, mos ki merak se do ta dorëzoj edhe mandatin! Bëri sikur nuk dëgjoi dhe vazhdoi me gjysmë zëri:
– A dëshiron të vazhdosh në pozicionin e kryetarit të Grupit Parlamentar?
Po, – i thashë, atje do të vazhdoj. Pati një lehtësim nga kjo bisedë. Së paku fjalët që erdhën nga një njeri i afërt me të ishin:
– E zgjidhëm problemin me Bamirin. Tani mund të vazhdojmë të qetë! Përtej përplasjes me Saliun ndihesha mirë, pasi puna në qeveri me të, nën urdhrat e tij nuk do të zgjaste shumë, për natyrën time dhe për mënyrën se si ai komunikonte me ministrat me urdhra nga telefoni. Si kryetar grupi në maxhorancë, natyrisht, do e kisha të vështirë të mbroja qeverinë, pasi në Parlament pesha do të binte tek unë. Ishte nga të paktat raste, në mos i vetmi, që një kryetar grupi në opozitë qëndron tek i njëjti pozicion edhe kur vjen në pushtet. Në seancën e parë plenare gjërat u bënë publike dhe, pas dekretimit të Kryeministrit u formua dhe u miratua ekipi qeveritar për të cilin nuk kishte më surpriza. Me ulje e ngritje, bashkëpunimi ishte i detyrueshëm. Unë mbroja kauzën time politike në Parlament e kudo dhe dukej qartë se Saliu e kishte lënë në “duart e mia” veprimtarinë e grupit me performancën e të cilit ndihej komod.