Gjetja e katër turistëve rusë pa jetë në një hotel në zonën e Qerretit, ishte një nga lajmet më tronditëse një muaj më parë.
Viktimat ishin një familje dhe u identifikuan si Sergey Burenkov, gruaja e tij, Natalya Burenkova, vajza e çiftit Ekaterina Burenkova dhe partneri i saj Nikita Belousov.
Vdekja e menjëhershme e tyre shtoi së tepërmi misteret: Ishte një vdekje e zakonshme, apo ndaj tyre kishte pasur ndonjë akt vdekjeprurës?
Fakti që vdiqën të katër njëherësh shtoi më shumë misteret, ndërsa rriti mundësinë e një përplasjeje mes Rusisë dhe Shqipërisë.
Fillimisht u hodhën teza se një nga personat e vdekur ishte punonjës i shërbimit sekret, ndërsa u aludua se vdiqën nga kimikatet e shumta e hedhura në pishinë, apo nga një helmim i mundshëm i ushqimit të katër turistëve rusë që kishin udhëtuar më parë në Maqedoni përpara mbërritjes në Shqipëri.
Ambasadori rus Mikhail Afanasiev në një intervistë për “Zona Zero” në Top Neës ka folur me këto teoritë që janë hedhur mbi të shkuarën e katër shtetasve rusë. Ndërsa bën të ditur se pala ruse ka nisur hetimet nga ana e saj.
“Më pas, siç e dini, me iniciativën e Policisë së Shtetit, Prokuroria nisi një hetim për veprën penale për “vrasje”, pasi në shumicën e rasteve, kur nuk ka shenja të dukshme të vdekjes natyrore (dhe ky është një rast i tillë), hapet një çështje për “vrasje”. Kjo bëhet si në Shqipëri, ashtu edhe në Rusi.
Pas kësaj, pala shqiptare na njoftoi për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore dhe mjeko-ligjore si në vendngjarje, ashtu edhe në laboratorë të specializuar duke përdorur mostrat e materialit biologjik, të marra si rezultat kryerjes së autopsisë së trupave. Deri më tani, ne nuk jemi në dijeni të ndonjë rezultati specifik të këtyre kërkimeve”, shprehet ambasadori rus në intervistën e dhënë.
Ai thekson se 4 shtetasit rus nuk kanë konsumuar as lëndë narkotike.
Gazetarja: Zoti ambasador ndalemi pak tek ngjarja e rende e ndodhur pak jave me pare, ajo e vdekjes se 4 turisteve rus në Shqipëri. Në media janë hedhur shume teza mbi Sergei Burenkov dhe të shkuarën e tij. A mund të na saktësoni çfarë profesionesh kishin 4 viktimat?
Mikhail Afanasiev: Së pari, nuk mund të mos shpreh pikëllimin dhe trishtimin tim lidhur me këtë ngjarje tragjike – humbjen e jetëve të katër turistëve rusë në Shqipëri. Është një tragjedi e madhe njerëzore, e cila, për keqardhjen time të thellë, nuk mori një pasqyrim adekuat në media.
Kur përmend median, kam parasysh si median shqiptare, ashtu edhe atë ruse. Humbën jetën katër persona, të së njëjtës familje, të cilët erdhën në Shqipëri me pushime dhe u kthyen në shtëpi në arkivole plumbi. Kur nisi hetimi nga organet ligjzbatuese të Shqipërisë, në shtyp dolën shumë të dhëna, informacione, referime, insinuata për personalitetet e viktimave.
Në veçanti, ka pasur shumë ankesa në adresë të Ambasadës së Federatës Ruse në Shqipëri se ne gjoja fshehim se kush ishin këta persona, me se merreshin, arsyen e ardhjes në Shqipëri. E habitshme, por mediat, më së shumti, i trillojnë vetë historitë, i zhvillojnë ato dhe, më pas, angazhohen të kërkojnë komente mbi insinuatat e tyre. Në fakt, informacionet se kush janë ata, emrat, të dhënat e pasaportës, vendbanimit, adresat dhe profesionet e tyre u janë dhënë që në fillim organeve ligjzbatuese shqiptare në masën që Ambasada dispononte.
Në veçanti, nëse flasim për profesionet konkrete të anëtarëve të familjes: kreu i familjes, Sergei Burenkov, në momentin e ngjarjes tragjike punonte si menaxher (madje, do të thosha i një hallke jo drejtuese) në një prej fabrikave të prodhimit të xhamave pasqyrë në Moskë. Nuk kemi asnjë informacion mbi të kaluarën e tij. Pretendimet se ai i ishte pjesë e shërbimeve speciale apo gjeneral në pension, janë spekulime.
Ne nuk kemi fakte të tilla. Fjalët e përhapura, lidhur me mungesën e faqeve të tij në Facebook apo Instagram, të cilat gjoja dëshmojnë se ai punonte për shërbimet speciale, janë një absurditet i plotë. Njerëzit e moshës së tij, si në Rusi, ashtu edhe në Shqipëri, nuk ka gjasa të jenë përdorues aktivë të rrjeteve sociale Facebook apo Instagram. I tillë është brezi. Ndërkohë, vajza e tij e ndjerë, Ekaterina Burenkova kishte faqe të tilla, në të cilat publikonte shumë fotografi nga jeta e saj personale, jeta e të fejuarit, udhëtimet me prindërit e ndjerë në vende të tjera.
Domethënë, askush nuk i fshihej publicitetit. Thjesht, secili kishte mënyrën e vetë të jetesës. Ekaterina ishte një punonjëse në një prej bankave ruse. Sidoqoftë, ajo gjithashtu nuk kishte ndonjë pozicion drejtues. Nëna e saj, bashkëshortja e zotit Burenkov, dikur kishte punuar si mësuese e gjuhës angleze dhe, me sa dimë, pas daljes në pension jepte mësime private të anglishtes për nxënësit e shkollave.
Anëtari i katërt i kësaj familjeje, i fejuari i Ekaterina Burenkovës, punonte në të njëjtën kompani shtetërore, në të cilën punonte e fejuara e tij, Ekaterina, por në një departament tjetër. Nëse ajo punonte në bankë, ai punonte në sektorin e ndërtimit.
Në përgjithësi, kjo është një kompani shtetërore, e cila merret me zbatimin e programeve shtetërore të ndërtimit të banesave në të gjithë Federatën Ruse. Megjithatë, ai ishte gjithashtu një drejtues i nivelit të mesëm.
Si ka qene bashkepunimi me autoritetet shqiptare per kete hetim? Dyshimet mbi shkaqet e vdekjes?
Mikhail Afanasiev: Që në fillim, kur mësuam për ngjarjen, Ambasada iu drejtua, nëpërmjet Departamentit Konsullor, autoriteteve përkatëse të Shqipërisë me kërkesë për dhënien e informacionit të disponueshëm. Në Ambasadë mbërritën një grup policësh shqiptarë, të cilët na njohën me rrethanat e ngjarjes dhe kërkuan të dhëna personale për viktimat.
Më pas, siç e dini, me iniciativën e Policisë së Shtetit, Prokuroria nisi një hetim për veprën penale për “vrasje”, pasi në shumicën e rasteve, kur nuk ka shenja të dukshme të vdekjes natyrore (dhe ky është një rast i tillë), hapet një çështje për “vrasje”. Kjo bëhet si në Shqipëri, ashtu edhe në Rusi.
Pas kësaj, pala shqiptare na njoftoi për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore dhe mjeko-ligjore si në vendngjarje, ashtu edhe në laboratorë të specializuar duke përdorur mostrat e materialit biologjik, të marra si rezultat kryerjes së autopsisë së trupave. Deri më tani, ne nuk jemi në dijeni të ndonjë rezultati specifik të këtyre kërkimeve.
Ju e dini që ekziston një koncept i tillë, si fshehtësia e hetimit, i cili lidhet me faktin se rrethanat dhe rastet e një ngjarjeje, apo krimi nuk i zbulohen publikut të gjerë deri në përfundimin e hetimit. Dhe kjo nuk është rastësi, sepse detajet e zbuluara mund t’i japin një krimineli të mundshëm informacion se si dhe ku duhet të mbulojë gjurmët e tij. Ne ende nuk mund të themi se bëhet fjalë për një krim specifik, një vrasje specifike. Përfundime për klasifikimin pa mëdyshje të ngjarjes si një aksident, ende nuk ka.
Ne njoftimin e Ambasades thuhej se do ti nenshtroheshin dhe nje autopsie ne Rusi. A kemi te informacione mbi kete autopsi?
Mikhail Afanasiev: Unë vetëm sa mund të konfirmoj faktin se, pas riatdhesimit të trupave nga Shqipëria, një autopsi e dytë e viktimave u krye në Rusi në kuadrin e procedurës standarde të çështjes penale të hapur në Rusi mbi po ato baza. Pra, nëse kallëzuesi i krimit në Shqipëri ka qenë policia shqiptare, dhe, bazuar në deklaratat e saj, është hapur një çështje penale, në Rusi, duke qenë se bëhet fjalë për shtetas të këtij vendi, familjarët gjithashtu janë drejtuar në polici.
Është hapur një çështje penale bazuar në të njëjtin nen, atë për “vrasje”, e cila mund të rikualifikohet pas përfundimit të hetimeve.
Prokuroria e Përgjithshme e Federatës Ruse po kryen gjithashtu studimin e nevojshëm të rrethanave të çështjes dhe, siç e kuptoj, ende nuk janë publikuar përfundimet e ekspertizës mjeko-ligjore deri në përfundimin e veprimeve të tjera hetimore.
A mund të guxoj t’u bëj një pyetje, duke qenë se nuk besoni tek një vdekje natyrale e 4 personave. Besoni që është një vrasje dhe pse?
Mikhail Afanasiev: Dua të sqaroj se hetimi duhet të marrë parasysh të gjitha versionet e asaj që ndodhi. Është hapur një çështje penale për “vrasje”. Ka shumë pyetje: nga njëra anë, pse katër persona vdiqën në të njëjtën kohë. Nga ana tjetër, nuk u konstatuan gjurmë dhune, siç e kuptoj unë, edhe pas ekzaminimit të trupit të viktimave.