AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI
Krahas transformimeve shumëdimensionale në fushën politike e institucionale e zhvillimet demokratike në vendin tonë, të cilat janë shumë të rëndësishme dhe vendimtare në rrugën e integrimit europian të vendit, një rol të rëndësishëm në këtë drejtim kanë luajtur dhe luajnë edhe reformat e zhvilluara në fushën ekonomiko-financiare dhe sociale, si dhe transformimet e mëdha që ndodhën në to në këta 30 vjet, në këto drejtime. Ecja në këtë rrugë të pashkelur, që mori emrin tranzicion, nuk ishte e lehtë, bile e gjatë dhe e mundimshme..
Ajo ishte një rrugë përballjesh me vështirësi nga më të ndryshmet me shkëmbim dhe përfitim përvojash si në aspektin juridik, institucional, ashtu edhe në atë të implementimit konkret të reformave e rregullave të tregut dhe të zhvillimit dhe konsolidimit të pronës private.
Kësisoj, të gjithë këta hapa transformues të realizuar të tranzicionit ekonomik dhe instalimi e konsolidimi i ekonomisë së tregut që ka ndodhur dhe i reformave që duhet të ndërmerren ende në vendin tonë, pa dyshim që janë të lidhur dhe mbajnë vulën e mendimit dhe të punës të të gjithë shqiptarëve, qeverive dhe politikanëve, por në veçanti të një numri të madh ekonomistësh, financierësh, juristësh e bankierësh, qofshin këta politikanë, drejtues shteti, ministra, akademikë, profesorë, administratorë, nëpunës civilë të administratës publike, menaxherë, biznesmenë e sipërmarrës, anëtarë të shoqërisë civile apo punonjës të mediave etj.
Njëhershmi, në këtë proces kaq të rëndësishëm nuk mund të mos vlerësohet puna dhe bashkëpunimi rezultativ që vendi ynë ka realizuar në vite, gjatë këtij tranzicioni, me një numër partnerësh ndërkombëtarë si SHBA dhe BE dhe institucionesh ekonomike e financiare ndërkombëtare (dhe roli i tyre) si: FMN, BB, BE, BEI, BERZH dhe institucioneve të tjera. Këto ditë, Shqipëria shënoi 30 vite bashkëpunim me dy institucionet financiare ndërkombëtare më të rëndësishme, FMN E BB. Por…
ÇFARË ËSHTË FONDI MONETAR NDËRKOMBËTAR E BANKA BOTËRORE?
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është një institucion, një organizatë ndërkombëtare financiare e monetare, aktualisht me 184 vende anëtare, me seli në Uashington, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky organizëm ndërkombëtar u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1944, me marrëveshjen e Bretton Wood-sit, (në këtë takim dhe marrëveshje atëherë ishin vetëm 45 shtete), krahas me krijimin e Bankës për Rindërtim e Zhvillim (Banka Botërore) dhe Sistemin Monetar Ndërkombëtar të pas-Luftës së Dytë Botërore. Qëllimi primar i themelimit të fondit monetar ndërkombëtar ka qenë që të krijohet një bashkëpunim monetar mes vendeve, stabilitet monetar në këmbim dhe marrëveshje të rregullta të këmbimit monetar për të shpejtuar rritjen ekonomike të qëndrueshme, për të ngritur nivelin e punësimit ose zvogëlimin e nivelit të papunësisë dhe për të krijuar asistencë të përkohshme të shteteve të varfra për të balancuar sistemin e pagesave. Gjithashtu, puna e FMN-së konsiston në:
-Mbikëqyrjen, monitorimin dhe zhvillimin financiar dhe ekonomik, në dhënien e këshillave mbi politikat e ndjekura që synojnë të shmangin krizat ekonomike.
-Financimin e vendeve me vështirësi në balancën e pagesave, për t’u dhënë financim të përkohshëm dhe suport në korrigjimin e problemeve; huat për vende me të ardhura të ulëta jepen për të reduktuar varfërinë. -Asistencë teknike dhe trajnim në fushat e saj të ekspertizës.
Njëhershmi, për të mbështetur këto tri aktivitete, FMN punon në kërkim të zhvillimeve e programeve ekonomike dhe përpunimin, vlerësimin e të dhënave statistikore dhe të treguesve ekonomikë e financiarë, duke nxjerrë përfundime e rekomandime për to… Vitet e fundit, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar sistemin financiar ndërkombëtar dhe për të rritur efektivitetin në parandalimin dhe zgjidhjen e krizave, FMN-ja ka aplikuar mbikëqyrjen dhe asistencën teknike në zhvillimin e standardeve dhe kodeve të praktikës në fushat e saj të përgjegjësisë, dhe në forcimin e sektorëve financiarë. FMN-ja luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit.
Ndërkaq, Banka Botërore (BB), Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, organizatë e posaçme e Kombeve të Bashkuara e themeluar në 1945, filloi punën në 1946. Në 1947 krijon lidhjet me OKB-në. Qëllimi i saj është që të nxisë zhvillimin ekonomik të vendeve anëtare, duke dhënë kredi për projekte prodhuese dhe këshillim teknik. Gjithashtu, ajo promovon investime private të huaja dhe tregtinë. Për të arritur qëllimet e saj, FMN bashkëpunon me Bankën Botërore, Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), agjencitë e OKB-së, G-20, bankat rajonale të zhvillimit, si dhe disa institute kërkimore dhe mediat. Fakti se të gjitha këto organizata dhe institucione janë të specializuara në fusha të ndryshme, e bën më të lehtë bashkëpunimin. FMN dhe OBT punojnë së bashku në fushën e tregtisë, borxhit dhe financave. Gjithashtu, informacionet rreth bilancit të pagesave janë të rëndësishme për OBT-në, sepse kjo përcakton pjesërisht kufizimet e tregtisë që OBT imponon. FMN-ja dhe OKB-ja marrin pjesë në takime të përbashkëta dhe punojnë së bashku në disa fusha. FMN iu ka bashkangjitur disa programeve të OKB-së si fondi për fëmijë, Programin Botëror të Ushqimit dhe programin e mjedisit. Së bashku me G-20, ata përpiqen të nxisin rritjen ekonomike. FMN u ofron atyre analiza mbi gjendjen globale ekonomike dhe se si G-20 mund të arrijnë qëllimet e tyre.
Objektivi kryesor i FMN-së nuk është të qenit institucion kreditimi siç është Banka Botërore. Prioriteti kryesor i FMN-së është mbikëqyrja e sistemit monetar ndërkombëtar. Përderisa Banka Botërore ofron kredi, FMN-ja është më shumë angazhohet në sigurimin e kredive. Maturimi i kredive të FMN-së zgjat nga tre deri në pesë vjet, përderisa maturimi për kredi i Bankës Botërore zgjat nga 12 deri 15 vjet, ky dallim ndodh edhe për shkak të qëllimeve të ndryshme të kredive. Normat e interesit për kreditë që FMN aplikon janë pak më ulëta sesa normat e tregut. Normat e Bankës Botërore për vendet me të ardhura të mesme dhe të larta janë pak mbi normën e tregut, por normat e interesit për vendet me të ardhura të ulëta janë 0% dhe ato kanë një maturitet 35 deri 40 vjet.
SHQIPËRIA DHE FMN E BB
Negociatat dhe procedurat për anëtarësimin e Shqipërisë në FMN dhe BB filluan në muajt prill-maj të vitit 1991, (edhe pse Shqipëria nuk ishte anëtare, gjatë kësaj periudhe një mision i plotë i FMN-së vizitoi vendin tonë dhe bëri vlerësimin e situatës ekonomike-financiare) dhe u finalizuan në 15 tetor 1991 me nënshkrimin e aktit formal të anëtarësimit të Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Kuota e anëtarësimit të Shqipërisë në FMN është në shumën 48.7 milionë SDR (rreth 74 milionë USD) ose 0,02 për qind e totalit të kuotave. Nga pikëpamja e fuqisë votuese, Shqipëria ka 737 vota ose 0,03 për qind.
Ky akt anëtarësimi paraqet një rëndësi të madhe pasi për herë të parë që nga krijimi i institucioneve të Bretoon Woods, përkrah shumë demokracive të konsoliduara dhe shumë vendeve të tjera aspiruese për prosperitet demokratik e ekonomik, përfshiu edhe vendin tonë të vogël. Rëndësia e kësaj date nuk qëndron thjesht në një nënshkrim dhe anëtarësim. Për Shqipërinë ky moment nënkuptonte “ndezjen e dritës jeshile” për të hyrë në të ardhmen e saj, e cila, në çdo rast mendohej si shumë më e mirë sesa e kaluara. Anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore nuk do të konvertohej thjesht në një llogari huaje me këto dy institucione. Kjo do të thoshte që Shqipëria kishte tashmë mundësi të përpunonte strategjitë e saj të kalimit të krizës dhe të zhvillimit, programet e ndihmave, programet e investimeve, programet e tërheqjes së investimeve të huaja dhe të teknologjisë së përparuar.
Shqipëria është transformuar nga një prej vendeve më të varfra të Europës në një vend me të ardhura mesatare të larta. Vendi po zbaton reforma të rëndësishme për të rigjallëruar rritjen dhe krijimin e vendeve të punës, ndërkohë që përparon dhe është drejt finalizimit me axhendën e integrimit në Bashkimin Europian.
FMN-30 VJET BASHKËPUNIM GJATË TRANZICIONIT NË SHQIPËRI
Rrugëtimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me FMN-në, në këta 30 vjet tranzicion nuk ka se si të mos vlerësohet, përgjithësisht i suksesshëm si në drejtim të mbështetjes përmes Asistencës Financiare ashtu edhe përmes Asistencës Teknike. Pa dyshim, me gjithë qëndrimet e ndryshme në disa raste dhe “zigzaget” në llojin e marrëveshjeve të arritura e të realizuara me të, bashkëpunimi, mbështetja dhe këshillimi me këtë institucion ndërkombëtar, mbetet shumë i suksesshëm e i dobishëm.
Përmes programeve të realizuara me FMN, në tranzicionin ekonomik të Shqipërisë, në periudha të ndryshme janë realizuar objektiva të ndryshëm. Kështu, në periudhën 1992-1993 (programi standby) kishte si prioritet injektimin e forcave të tregut në ekonominë tonë, në periudhën 1993-1996 (në programin ESAF) ishin politikat e konsolidimit të stabilizimit për të siguruar rritjen, në periudhën 1997-1998 (në programin EPCA-ja) prioritet ishte konsolidimi fiskal, ne kushtet postkonfliktuale emergjente, në periudhën 1998-2001 (me programin ESAF/PRGF) prioritet ishte vazhdimi i konsolidimit fiskal, kontrolli dhe mbyllja e skemave piramidale, privatizimi i bankave etj., në periudhën 2001-2006 (me programin PRGF) dhe më pas, 2001-2006, me programin PRGF EFF) prioritetet ishin krijimi i klimës makroekonomike për zhvillim, përmirësimi i klimës së biznesit, politikat e shpenzimeve, reduktimi i varfërisë, përmirësimi i sektorit energjetik, apo mbështetja në bilancin e pagesave në dy vitet e fundit për ringritjen ekonomike, për rindërtimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë së Covid-19 etj..
Gjithashtu, FMN-ja ka mbështetur Shqipërinë gjatë gjithë periudhës se tranzicionit, me asistencë teknike në një numër fushash, ku përfshihen: shpenzimet publike dhe cilësia e tyre, tatimet dhe doganat, mbikëqyrja e bankave në Bankën e Shqipërisë, politikën monetare, bilancin e pagesave, financat dhe qeverisjen në fushën e statistikave qeveritare etj.
Më në fund duhet kuptuar që realizim me sukses i programeve që Shqipëria ka pasur dhe ka me FMN-në, është edhe “një dritë jeshile” për gjithë mbështetjen që Shqipëria merr nga Bashkimi Europian dhe donatorët e tjerë.
Pra, Shqipëria deri më tani ka marrë pjesë në disa programe të mbështetura me fonde nga FMN, duke nisur nga ai i vitit 1992, me kushtin e reformave të thella ekonomike dhe privatizimeve të kompanive shtetërore. Ky program ndihmoi vendin të arrinte një rimëkëmbje të jashtëzakonshme, ku rritja ekonomike vjetore ishte mesatarisht 9%, ku deficiti buxhetor u ul ndjeshëm dhe ku rritja e çmimeve u stabilizua. Por, në vitin 1996, qeveria shqiptare iu shmang detyrimeve të saj, duke detyruar FMN të braktiste programin. Kjo solli rritjen e informalitetit në ekonomi dhe lulëzimin e skemave piramidale, që e zhytën vendin në krizë. Pas zgjedhjeve të vitit 1997, u rivendosën marrëdhëniet me Fondin, që ndihmoi në një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 7% në vit. Marrëveshje të tilla u përsëritën në qershor 2002 dhe shkurt 2006, gjithmonë me objektiva për t’u arritur nga qeveria me mbështetjen dhe ekspertizën e FMN. Por, në vitin 2010-2013, u kalua përsëri në marrëveshje të reduktuara e të bazuara në Artikullin IV, duke u rikthyer në 2014-2017, një marrëveshje të re pas krizës “Greke” (duke u parë e nevojshme lidhja e një marrëveshjeje për një borxh prej 330 milionë eurosh, që do të ndihmonin financat publike në uljen e borxhit të lartë, që karakterizohej nga miliarda lekë në detyrime të prapambetura) dhe duke vazhduar tashmë, prej vitit 2017, përsëri me marrëveshje sipas Artikullit IV, ku FMN mban rolin e monitoruesit dhe këshilluesit, por pa detyruar ruajtjen e objektivave të veçantë. Edhe pse prapë prezenca e FMN gjithmonë është karakterizuar me një marrëdhënie “dashuri-urrejtje”, sidomos nga kushtet e shumta dhe shpesh jo të lehta nga marrëveshjet, veçanërisht për një sërë reformash dhe për tavanet e borxhit (që palët politike e kanë sulmuar në qeveri dhe e kanë kërkuar në opozitë), mirëkuptimi ka mbizotëruar, prandaj edhe këto marrëdhënie mbeten të suksesshme e të mirëpritura, siç ishte rasti që financat tona u drejtuan edhe një herë FMN-së për një Instrument të Financimit të Shpejtë (139.3.milionë SDR) shumë i nevojshëm për të ringritur ekonomikë pas Covid-19.
SHQIPËRIA, 30 VJET ANËTARE E BANKËS BOTËRORE DHE BASHKËPUNIMI ME TË
Që në fillimet e para të bashkëpunimit të saj me Shqipërinë dhe gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, veprimet e BB dhe FMN kishin për qëllim të arrinin tre objektiva politike bazë, të cilat përgjithësisht janë arritur dhe për këtë, veç kontributit të vyer që kanë dhënë ekipet shqiptare, një mirënjohje u takon edhe drejtuesve të misioneve dhe përfaqësuesve rezidentë të këtyre institucioneve në Shqipëri: Së pari: objektivi ishte të mbështeste reformat në Shqipëri për liberalizimin e ekonomisë shqiptare, sistemin e çmimeve, regjimet e kursimit e të këmbimit dhe tregtare, të nxiste iniciativën në sektorin privat dhe konkurrencën e drejtë dhe disiplinën e tregut.
Së dyti, objektivi ishte që të mbështeste programet e Shqipërisë për stabilizimin makroekonomik nëpërmjet politikave fiskale dhe monetare që kishin për qellim sigurimin e një balancimi të qëndrueshëm buxhetor dhe të sektorit të jashtëm. Së treti, objektivi ishte të mbështeste krijimin e institucioneve dhe tregjeve, përmes reformave strukturore në fushën e administrimit të taksave, të privatizimit, të heqjes së monopoleve, reformave ligjore për privatizimet dhe çështjet e pronësisë, rregullimeve bankare dhe rrjetit të sigurimeve shoqërore për të mbrojtur të varfrit, si dhe vetë uljen e varfërisë përmes politikave të zhvillimit. Gjatë këtyre 30 viteve të tranzicionit ekonomik në Shqipëri, asistenca e Bankës Botërore ka qenë kryesisht me fonde IDA. Projektet më të mëdha të financuara nga BB, kanë qenë në mbështetje të zhvillimit të sektorëve të tillë si energjetika, infrastruktura rurale, bujqësia, shpenzimet publike, ujësjellës –kanalizime, sektori i shëndetësisë, arsimit, transportit, projektet e mikrokredisë, Projekti i Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor, Menaxhimin e Financave Publike, Forcimi i kapaciteteve institucionale etj. Fale edhe kësaj mbështetjeje, progresi në këta sektorë është i dukshëm.
ARKITEKTURA E RE FINANCIARE DHE REFORMIMI I FMN
Vitet e fundit, ekonomia dhe financat globale janë përballur me sfida të mëdha ekonomike, duke përfshirë nevojën për t’u marrë me pasojat e dy krizave të mëdha, atë të periudhës 2008-2013 (kriza greke) dhe këtë aktuale të vitit 2020 (kriza nga Pandemia Covid-19) dhe turbulencat në tregjet në zhvillim, ndryshimet klimaterike, domosdoshmëria dhe instrumentet e nevojshme për një rritje ekonomike të qëndrueshme, problemet e borxhit publik dhe të luftës për reduktimin e varfërisë sidomos në vendet më të varfra etj. Këto sfida kanë çuar në një debat mbarëbotëror për reformën e sistemit monetar dhe financiar ndërkombëtar, si dhe reformimin edhe të vetë Fondit Monetar Ndërkombëtar. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) konsiderohet si institucioni kryesor që promovon stabilitetin ekonomik dhe financiar ndërkombëtar. Reformat e suksesshme të FMN-së tashmë synojnë të angazhojnë të gjithë spektrin e anëtarëve të saj. FMN-ja nuk po fokusohet kryesisht në anëtarët e saj me të ardhura të ulëta dhe sfidat e varfërisë globale, jo vetëm në krizat ekonomike e financiare globale që prekin një grup të vogël të ekonomive vulnerabël e të tregjeve në zhvillim. Ajo i shqyrton situatat globalisht dhe rajonalisht, deri në çdo vend anëtar të saj, potencialisht në gamën e plotë të politikave të tyre ekonomike dhe financiare dhe kësisoj shton mundësitë të luajë një rol qendror në formësimin e performancës ekonomike globale. Këtij qëllimi i shërben edhe arkitektura e re financiare, sidomos me rastin e dy krizave të fundit, hartuar e zbatuar nga qeveria e SHBA-së (FED), nga Bashkimi Europian (BQE), G-7 e G 20, FMN E BB përmes thyerjes së shumë tabuve të së shkuarës në përdorimin e instrumenteve të ndryshme financiare e monetare. Parashikimet për rimëkëmbjen ekonomike globale që porsa ka startuar, ende mbartin shkallë të lartë pasigurie dhe ndryshojnë si në nivel vendor, ashtu edhe ndërmjet vendeve, për shkak të hapësirave jo të njëjta për zbatimin e politikave individuale, strukturave dhe ngurtësive të ndryshme ekonomike, brishtësive paraekzistuese dhe aksesit jo të njëjtë në vaksinimin e popullsisë. Brishtësitë e konsiderueshme financiare mund të sjellin rreziqe, të cilat mund të çojnë në shtrëngim më të shpejtë të kushteve financiare në nivel global. Kriza mund të shkaktojë përkeqësim të përshkallëzuar të varfërisë dhe pabarazisë, ndërsa ndryshimet klimatike dhe sfidat e tjera të përbashkëta po bëhen gjithnjë e më shumë shqetësuese.
Prandaj, bashkëpunimi në vazhdimësi me institucionet financiare ndërkombëtare, në rastin konkret me FMN dhe BB, me një këndvështrim të ri, u shërben zhvillimeve dhe rimëkëmbjes pozitive ekonomike, financiare e sociale në Shqipëri, në stadin aktual dhe perspektiv e sidomos përmbushja e detyrimeve dhe objektivave për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian./Panorama/