Një studim i kryer nga Universiteti i Massachusetts zbuloi se 60% e personave gënjejnë edhe gjatë një bashkëbisedimi 10 minutësh. Mesatarja e gënjeshtrave të thëna ishte dy deri në tre.
Lajmi i mirë është se gënjeshtarët mund të zbulohen, fare lehtë madje.
Dr. Lillian Glass është një analiste e njohur e sjelljes dhe eksperte e gjuhës së trupit.
Ajo ka bashkëpunuar me FBI për demaskimin e gënjeshtrave, dhe gjëja e parë për të kuptuar se cilat janë shenjat që tregojnë se dikush po gënjen, është të njohësh sjelljen e tij normale. Çelësi është në gjuhën e trupit, shprehjet e fytyrës, mënyrat sesi shprehet, etj.
Ja cilat janë sjelljet kryesore të gënjeshtarëve sipas Dr. Glass:
1- Lëvizin pozicionin e kokës shpejt dhe papritur
Nëse dikush lëviz kokën në mënyrë të papritur kur i bëni një pyetje të drejtpërdrejtë, ndoshta dëshiron t’i bëjë bisht ose t’ju gënjejë.
“Zakonisht para se të përgjigjet, personi e lëviz kokën anash ose e ul poshtë për të humbur kontaktin viziv.” – thotë Dr. Glass.
2- Frymëmarrja u ndryshon
Kur dikush gënjen, frymëmarrja mund t’u rëndohet. “Shkak bëhet refleksi”, – thotë specialistja.
Kur frymëmarrja ndryshon e rëndohet, shpatullat ulen e ngihen dukshëm, zëri bëhet pak më i hollë. “Praktikisht, mbeten pa frymë sepse rritet ritmi kardiak dhe ndryshon ritmi i qarkullimit të gjakut. Trupi i përjeton këto në çaste nervozizmi, paniku – por edhe kur gënjen.”
3- Qëndrojnë pa lëvizur fare
Dihet që kur njerëzit lëvizin pa pushim mund të jetë shenjë që gënjejnë, por Dr. Glass thotë që duhet patur kujdes edhe nga ata që qëndrojnë pa lëvizur fare.
“Ka njerëz që tensionit të një situate si të thënit një gënjeshtër, u përgjigjen jo duke lëvizur por duke shtuar kontrollin ndaj trupit, pra duke qëndruar pa lëvizur fare”. Sipas saj “Kur je pjesë e një bashkëbisedimi, është normale të lëvizësh e të ndryshosh pozicionin, do të thotë që trupi është i relaksuar dhe lëvizjet vijnë në mënyrë pothuajse të pavetëdijshme. Por kur dikush qëndron pa lëvizur, i ngurtësuar në një pozicion, është një shenjë që ka diçka që nuk shkon.”
4- Përsërisin të njëjtat fjalë dhe fraza
Kjo ndodh sepse po mundohen të bindin veten e tyre dhe bashkëbiseduesin mbi çfarë po thonë. “Po mundohen t’i japin vërtetësi gënjeshtrës në kokën e tyre.” thotë Dr. Glass.
Ajo shton se përsëritja e fjalëve dhee frazave është një mënyrë për të fituar kohë dhe për të mbledhur mendimet e për të përcaktuar cfarë do thonë më vonë.
5- Prekin ose mbulojnë vazhdimisht gojën
“Shenja e një personi që nuk do të përgjigjet ose të përballet me një çështje, është kur vë dorën për të mbuluar apo prekur gojën në mënyrë të vazhdueshme.”
Sipas ekspertes, kur një person vë duart mbi buzë ndërsa flet, është shenjë që nuk po tregon gjithçka, që nuk do të thotë të vërtetën. është një lloj mbylljeje ndaj bashkëbisedimit.
6- Mbulojnë pjesë të trupit
Zakonisht bëhet fjalë për pjesët më delikate të trupit, si goja, qafa, kraharori ose koka.
“Kjo më ka ndodhur shpesh gjatë seancave gjyqësore – shpjegon Dr.Glass – “kur dëshmitarët vihen në vështirësi , nisin të mbulojnë me duar ballin ose fytin.”
7- Lëvizin këmbën me nervozizëm
“Kjo ndodh kur trupi merr kontrollin mbi mendjen”. Lëvizja e këmbëve tregon se personi është në siklet dhe ndihet nervoz. Tregon gjithashtu se do që të largohet nga situata, thjesht duan të largohen.
“Kjo është një nga pikat kyçe në zbulimin e gënjeshtarëve. Shikoji këmbët dhe do kuptosh shumë gjëra.” – thotë ekspertja e FBI-së.
8- Japin tepër informacion
“Kur dikush jep shumë informacione, sidomos informacione të tepërta, që nuk i janë kërkuar dhe me një numër të madh detajesh, ka shumë mundësi që ky person nuk po tregon të vërtetën.” – sipas Dr. Glass – “Gënjeshtarët ndonjëherë flasin shumë sepse shpresojnë në këtë mënyrë të tregojnë sinqeritet dhe bashkëbiseduesit do t’u besojnë.”
9- Flasin me vështirësi
Gjatë seancave pyetësore të të dyshuarve, mund të dallohet se si vështirësia në të folur rritet vazhdimisht. Kjo ndodh sepse sistemi qendror nervoz e ul nivelin e prodhimit të pështymës në momente stresi. Goja është e thatë dhe personi ka vështirësi në të shprehur.”
Kini kujdes edhe nga shenja të tilla si kafshimi i buzëve dhe rrudhja e tyre gjatë një bashkëbisedimi.
10- Mundohen të hedhin fajin diku tjetër
“Kur një gënjeshtar vihet në vështirësi e bëhet më agresiv, do mundohet ta hedhë fajin tek një njeri tjetër, ndoshta edhe tek bashkëbiseduesi i vet.” – thotë Dr. Glass.
Një gënjeshtar që ndihet i zbuluar, do bëhet agresiv dhe do ta mbrojë veten edhe duke futur në valle njerëz të tjerë.
11- Të shohin pa pulitur sytë fare
Disa tipa gënjeshtarësh e kanë të vështirë të mbajnë kontaktin viziv, por ka të tjerë që shohin drejt e në sy, duke munduar të manipulojnë bashkëbiseduesin dhe t’i shtojnë besueshmëri vetes së tyre.
“Kur njerëzit thonë të vërtetën, e lëvizin shikimin herë pas herë në mënyrë të lirshme. Kur dikush gënjen dhe të sheh në sy, e bën këtë gjest me gjakftohtësi, shpesh duke i pulitur sytë rrallë dhe në intervale kohore të rregullta.” – thotë Dr.Glass. /ndryshe.com