Këtë vit studentët duhet të jenë të vaksinuar kundër C OVID19 në mënyrë që të marrin pjesë në leksione.
Në të kundërt, nëse ata nuk pranojnë që të bëjnë injeksionin, atëherë do të jenë të detyruar që të kryejnë tampon një herë në javë.
Tri ditë para rinisjes së vitit akademik, rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha tha se në auditorë do të lejohen edhe ata student që paraqesin një vërtetim nga mjeku për pamundësinë e kryerjes së vaksinës.
“Do të lejohen në auditorë të gjithë ata studentë që paraqesin një certifikatë vaksinimi, që janë me test PCR negativ, ose që paraqesin një vërtetim nga mjeku për pamundësinë e kryerjes së vaksinës. Universiteti i Tiranës ka numrin më të madh të studentëve të vaksinuar, mbi 50%, nga 60% që i janë përgjigjur pyetësorit. Më të vaksinuar janë studentët që sapo nisin vitin e parë Bachelor”.
MËSIMI ONLINE
Në lidhje me mësimin online, rektori Hoxha tha se qëllimi është që universitetet t’i rikthehen normalitetit, megjithatë çdo vendim do të jetë në varësi të situatës.
“Çdo cikël studimi do të vijojë mësimin më 18 tetor, ndërsa masteri i vitit të parë do të nisë më 10 nëntor. Universiteti i Tiranës është ai që ka numrin më të madh të studentëve. Ne jemi në procesin e ndërgjegjësimit të nevojës për vaksinim dhe për të vazhduar mësimin në kushtet normale. Mësimi online është përmirësuar, por ne kemi studentë që pas 2 vitesh nuk e njohin universitetin nga pikëpamja fizike, nuk kanë kontakte. E dyta, ata që i kemi në master, një dhe dyvjeçar, na përfundon një brez i tërë që nuk kanë kontakt me auditorin. Mësimi në auditor nuk zëvendësohet. Për sa i përket alternativës, ju duhet të dini se ka dy urdhra, i pari që mund të alternohet mësimi online.
Kurse po kjo pikë e heq platformën si mundësi dhe thotë që studentët duhet të paraqesin certifikatën apo kartën e vaksinimit. Do ta shikojmë procesin dhe do të marrim vendime në të mirë të mbarëvajtjes dhe të shëndetit të tyre, por edhe të moslejimit që studentët të humbasin zhvillimin e programit të vitit akademik. Kjo do të vendoset pasi të shikojmë situatën me të cilën do të përballem.
RISITË
Rektori u ndal më tej edhe te risitë e këtij viti akademik.
“Data e fillimit të vitit akademik ishte data 11, por me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, iu kërkua Ministrisë së Arsimit që të shtyhet data e fillimit akademik, që edhe institucionet e arsimit të lartë të bëheshin gati, por edhe studentët të kishin kohë të akomodoheshin. Ajo që kemi vendosur sot është që ky vit akademik, një pjesë e mirë e programeve tona, për një pjesë të studentëve do të zhvillohet në gjuhë të huaj dhe ajo do të jetë anglisht. Paralel me këtë, po identifikojmë institucionet e arsimit të lartë. Një pjesë e programeve tona të bëhen si programe të përbashkëta. Në këtë pikëpamje, ajo që ne po kërkojmë është që universitetet tona, deri tani të mbyllura, në kushtet ku Shqipëria është drejt integrimit në BE, të jenë të hapura, jo vetëm për studentët tanë, por edhe ata të huaj”, u shpreh rektori.