Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se është në këtë detyrë pasi e konsideron atë si mision dhe se do të fitojë një sfidë me historinë e këtij vendi.
Rama ka thënë se ka të meta dhe se nuk është i pagabueshëm, por ai tha se nuk është materialist apo kriminel.
Shefi i qeverisë ka thënë se kurrë nuk e ka futur dorën në xhepin e asnjë qyteti, dhe nuk e ka hedhur kurrë firmën në një vendim që dëmton fëmijët e shqiptarëve.
“Dua të jap një mesazh për të gjithë shqiptarët. Nuk jam më i miri, kam të metat e mia si njeri dhe kryeministër, bëj sa mundem jo sa dua dhe jo gjithmonë bëj aq mirë sa duhet atë që mundem, por sot dua t’ju them duke ju parë në sy: Po të ishte kjo e imja një çështje personale ju siguroj që do ta kisha lënë prej kohësh këtë punë dhe nuk do të mbaja kurrë në kurriz rrebeshin e baltës mbi shpinë. Nëse do të ishte për çështje personale nuk do ta kisha marrë që në fillim, unë mund të jem apasionant, edhe arrogant po të doni, por kurrë nuk kam qenë materialist dhe as kriminel.
Unë mund të bëj gjykime të gabuara, mund të marr edhe vendime të gabuara, por kurrë as kam bërë e as kam për të bërë e për të marrë asnjë vendim për gjëra të gabuara që i di më parë që janë të gabuara. Kurrë nuk kam futur dorën në xhepin e një njeriu të gjallë në këtë vend. Kurrë nuk ka hedhur e nuk kam për hedhur firmën për vendime në dëm të njerëzve të këtij vendi.
Nuk kam si i vërtetoj fjalët për veten time, por i sfidoj ata që thonë të kundërtën që ta vërtetojnë me fakte jo me sajesa dhe fabrikime të ulëta.
Kjo detyrë është mision dhe karrige. Është një sfidë me historinë sepse kam fuqinë e të gjithëve ju sepse kam mbështetjen tuaj dhe të PS-ë”, tha Rama.