Afganët e strehuar në Shqipëri kanë bërë një rrëfim për gazetën amerikane “New York Times”.
Ata tregojnë se janë befasuar nga mikpritja dhe shprehen se po bëjnë një jetë luksi.
PJESE NGA ARTIKULLI:
Shqipëria, që është angazhuar të marrë deri në 4 000 refugjatë nga Afganistani, po strehon disa qindra prej tyre në vendpushimet përgjatë bregdetit të Adriatikut, shkruan Andrew Higgins për “The New York Times”. Një studente e Mjekësisë, në një ekstazë të shkaktuar nga trauma pas një jave nën sundimin e talebanëve dhe tri ditëve të terrorit duke pritur një fluturim nga aeroporti i Kabulit, në ditën e parë, në shtëpinë e saj të re, vështroi nga dritarja dhe pa Statujën e Lirisë.
“Për një moment, mendova se mos ndoshta isha në Nju Jork”, tha Tahera, një studente 21-vjeçare. “Por, statuja, e ndërtuar me allçi, në vend të bakrit dhe e vendosur në Shqipërinë e Veriut, një vend dukshëm pro amerikan, ishte shumë më e shkurtër se ajo e vërteta”, shtoi ajo, duke folur me humor, pavarësisht nga sprova e saj e tmerrshme. Statuja ishte një zbukurim në territorin e një vendpushimi bregdetar shqiptar, që strehon më shumë se 440 afganë, të cilët u larguan nga Kabuli, kur qyteti ra në duart e talebanëve më 15 gusht.
Përpara se të fluturonte javën e kaluar në Shqipëri, vend për të cilin nuk kishte dëgjuar kurrë, Tahera kishte shpresuar të arratisej në SHBA ose Britaninë e Madhe, ku ka një xhaxha. Por, me tërë ato vende dhe kombe të tjera të pasura që ende ngurrojnë për të marrë refugjatë, ajo ka gjetur strehim në atë që është, ndoshta, kampi më i çuditshëm dhe më luksoz i refugjatëve në botë. Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Evropës, është angazhuar të marrë deri në 4 000 refugjatë nga Afganistani, më shumë se çdo vend tjetër.
Rreth 677 afganë që kanë mbërritur, përfshirë gati 250 fëmijë, po strehohen në vendpushimet përgjatë bregdetit Adriatik, një praktikë e bazuar në një qasje të reagimit ndaj urgjencës, që Shqipëria zhvilloi pas një tërmeti shkatërrues në vitin 2019, kur njerëzit e mbetur të pastrehë u vendosën në hotelet në plazhe. Pavarësisht, një aktiviste e grave afgane, e cila punoi në projekte të financuara nga Agjencia e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar, tha se ajo ishte prekur nga mikpritja e shqiptarëve, por, edhe pse po flinte mirë, kishte sërish makthe.
Ndërsa politikanët e opozitës në Francë, Gjermani dhe vende të tjera evropiane nxisin rregullisht frikën nga refugjatët dhe emigrantët, për të ushtruar presion mbi krerët e qeverisë, kundërshtarët e kryeministrit Rama kryesisht kanë qëndruar të heshtur ose kanë mbështetur vendimin e tij për të mirëpritur afganët.
“Ne nuk i vendosim njerëzit në kampe. Ato janë çnjerëzore dhe vendet ku fillojnë të gjitha problemet psikologjike”, tha kryeministri. “Ne kemi qenë si ata shumë herë në historinë tonë. Ata thjesht po përpiqen të shpëtojnë nga ferri”, shton ai.
Tani, në një vendpushim me tre pishina dhe një plazh të gjatë me rërë, Tahera dëshiron të mësojë të notojë, e etur për të hequr mendjen nga traumat. Ajo, gjithashtu, mezi pret të mësojë të ngasë biçikletën, një formë stërvitjeje që shoqëria konservatore dhe patriarkale e Afganistanit nuk e pranon për gratë. E vendosur për të ruajtur karrierën e saj të planifikuar mjekësore, ajo po merr pjesë në një kurs të ndihmës së parë, i ofruar në vendpushim nga një mjek afgan nga Londra.
Wahab, një gazetar i cili ndihmoi drejtimin e një agjencie lajmesh të financuar nga SHBA, që mbulonte çështjet e grave në qytetin perëndimor afgan të Heratit, tha se ai kurrë nuk kishte pritur të shihte objekte të tilla luksoze. Ai u largua nga Afganistani me gruan dhe tre fëmijët e tij, me ndihmën e “National Endowment for Democracy”.
“Ne jemi refugjatë luksi”, bëri shaka ai. “Ne shkojmë në plazh dhe shohim gra gjysmë të zhveshura. Ne flemë, hamë dhe shkojmë në plazh. Për shumicën e njerëzve, kjo do të dukej si parajsë”, shton ai.