Ish-Sekretari i Përgjithshëm në PD Arben Ristani ka sulmuar kryetarin e kësaj partie Lulzim Basha.
Sipas tij, ai nuk është një lider pasi i mungojnë të gjitha cilësitë për të qenë një i tillë.
Ristani shprehet se Basha e ka çuar PD-në nga humbja në humbje me sjelljet e tij duke mos pyetur për statutin e partisë, gjë të cilën bëri dhe me vendimin për përjashtimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha nga grupi i PD-së.
Ai gjithashtu ka treguar dhe një bisedë me një mikun e tij demokrat që i kishte thënë se 12 vite në opozitë janë 12 vite pa punë, pra një e zezë kjo që demokratëve i ka ardhur nga vetë Lulzim Basha.
“Opozita nuk ka lider. Z.Basha nuk është lider. Po ta shihni i mungojnë të gjithë elementët e lidershipit. E ka çuar PD nga humbja në humbje. I konsiderohet si element lidershipi vetëm vendimarrja e fundit, që për dy arsye nuk është vendimmarrje. Basha mori një vendim që sipas statutit të PD nuk është kompetencë e tij për ta marrë. Së dyti termi përjashtimi nga grupi parlamentar është nul për aq kohë sa Berisha është i zgjedhur nga lista e PD-së dhe kur të deklarohet kujt grupi i përket.
Nëse ai deklaron në parlament se është pjesë e grupit të PD-së, atëherë termi është nul. Ajo që ngelet në thelb është kriza e lidershipit të PD. Kemi aq kohë që themi se Basha nuk pyert për statut dhe më në fund Berisha që e kishte mbështetur prej kohësh erdhi te këto teza që ne i kemi thënë prej kohësh. Sot anëtarët e PD-së janë në një moment shumë të vështirë sepse do të vuajnë një opozitë tretë.
Më thoshte një mik im anëtar i PD-së, 12 vjet opozitë janë 12 vjet pa punë dhe 12 vjet pa punë janë 1/3 e kohës së punës për një njeri. 12 vjet pa punë është shumë e rëndë dhe këtë të zezë ia ka bërë Basha demokratëve. Shtohet dhe një krizë lidershipi. Me këtë që bëri Basha është 100% i pashpresë për të ardhur në pushtet. E vetmja e zgjidhje është zgjidhja e krizës së lidershipit“, u shpreh Ristani.
Përjashtimi i Berishës nga grupi i PD-së për Ristanin është një vendim i gabuar nga Basha. Pavarësisht se ky i fundit është shprehur se nuk kishte zgjidhje tjetër, Arben Ristani thotë se Basha ta hidhte për diskutim dhe të vendoste shumica e demokratëve.
“Opsioni më i mirë do të ishte të mos kishim shkuar deri këtu. Diccka ka ndodhur që DASH arriti në një vendim kaq ekstrem. Përgjigja është vetëm sipas rregullave të statutit. Kam dëgjuar se statutin e kanë shkelur të gjithë, Berisha, Rama. Të gjithë ne kemi pranuar këto. Demokracia nuk është kështu, demokracia është që shumica vendos . Zgjidhja e drejtë do të ishte diskutim i gjërë në PD. Një diskutim në këto organizma dhe shumica do të kishte të drejtën të merrte vendimin legjitim. Nëse nuk ka pasur garanci që nuk do të merrte shumicën atëherë nuk është lider dhe një lider që s’ka mbështetje duhet të japë dorëheqjen. Basha i merr vendimet vetëm, kjo tregon mungesën e lidershipit”, theksoi ai.
Berisha ka deklaruar se do të ndërmarrë një lëvizje për rikthimin e legjitimitetit në PD, duke nënkuptuar rrëzimin e Bashës. Mirëpo Ristani thotë se kjo lëvizje nuk është për të ardhur vetë në krye të PD-së ish-Kryeministri, por vetëm për të zgjedhur një lider të duhur.
“Besoj që z.Berisha nuk e bën për të ardhur në pushtet, nëse e bën këtë lëvizje , por për të kthyer legjitimitetin në PD. Unë e besoj këtë, sepse vërtetë mungon legjitimiteti. Por është e vështirë që të largosh kryetarin në detyrë. Duhet turbulluar fort që të kthjellohet. Ndoshta një kthjellim kaq i fortë ndoshta do sjellë liderin e duhur. Unë nuk e shoh si një lëvizje për të ardhur në krye të PD-së”, përfundoi ai.