Ditën e sotme është mbajtur ceremonia solemne në nder të 22-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Në ceremoni, i pranishëm ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha që si pasojë e koronavirusit kanë vdekur 24 pjesëtarë të Policisë, ndërsa janë vaksinuar 7,912 dhe sipas tij priten të vaksinohen 1,268 policë.
“Nga një vit e gjysmë pandemi Policia gjithmonë ka qëndruar në front vetëm e vetëm që të mbrojnë qytetarët dhe fatkeqësisht kemi 24 policë të vdekur nga pandemia”, u shpreh Sveçla.
Ai shton më tej duke thënë se kjo ditë do të festohej ndryshe por si pasojë e pandemisë organizimi u bë në mënyrë simbolike.
Ndërsa nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kërkoi nga secili pjesëtar i policisë që të mos shkelin kurrë besimin e qytetarëve.
“Puna e secilit pjesëtar të policisë është e lidhur ngushtë me punën dhe përgjegjësinë që kemi. Të sigurosh jetën dhe pronën e qytetarit është një përgjegjësi mjaft e madhe”, tha Mehmeti.
Më tej, ai nderoi dhe kujtoi zyrtarët e policisë që kanë rënë në detyrë teksa tha se ata janë frymëzim për të vazhduar përpara.