Filozofi dhe akademiku i njohur Artan Fuga tha se nga ana sociologjike qeveria e re “Rama 3” nuk është përfaqësuese e strukturës së shoqërisë në tërësi.
Duke folur për rubrikën “Opinion”, ai shtoi se formimi i shumicës së ministrave nuk ka lidhje me fushën që do drejtojnë.
Akademiku tha se ndarja e dikastereve duket e vjetër dhe klasike dhe jo e integruar, ndërsa shprehu bindjen se Ministrat e Shtetit pa portofol do të dështojnë.
PJESË NGA INTERVISTA
Vë re se na pikëpamja sociologjike kompozimi i qeverisë nuk është përfaqësues i strukturës së shoqërisë në tërësinë e vetë. Nëse supozojmë se në Shqipëri pak a shumë janë 50 për qind femra dhe 50 meshkuj, do të shikojmë që janë në përbërje 8 femra dhe 4 meshkuj. Po të llogarisim edhe ato pa portofol janë 12 femra.
Shumica janë banues në Tiranë. Është një mesatare moshe te 40-45 vjeç, dhe shikoj se nga pikëpamja e identitetit fetar, nuk ka me prejardhje katolike dhe pjesa dërrmuese janë me prejardhje të krishterë ortodokse, gjë që nuk përputhet me kompozicionin sociologjik të vendit. Do ishte mirë që ne si qytetarë të kishim një curriculum të ministrave apo ministreve, një biografi për to. Sepse emrat që thuhen nuk i thonë asgjë qytetarit.
Kush prej ministrave nuk bind
Nuk bëj të tilla vlerësime dot. Nuk vij si opinionist dhe si analist, vij në pozitën e qytetarit dhe të studiuesit. Unë prisja që në Asamble, këta ministrja që janë rinjohur në detyrë, prisja të bënin një analizë, ose një këndvështrim kritik të asaj që kanë arritur apo nuk kanë arritur. Kanë dhënë intervista dhe e kanë trajtuar nga pikëpamja, e morëm postin nuk e morëm, patëm apo nuk e patëm besimin e kryeministrit. E dyta edhe ata që thonë e mora vesh momentin e fundit, sikur jemi në një spektakël, në një surprizë.
Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë unë jam i papërgatirur. Ndërkohë që një post merret pas një reflektimi për punën e bërë. Vë re që shumica e ministrave, në formimin e tyre nuk kanë asnjë lidhje me fushën që do drejtojnë. Aq më tepër kur kalon nga një fushë në një fushë tjetër. Kjo më jep ndjesinë që ne nuk kemi një drejtim si në shtetet e të drejtës, por do të kemi ministra që do na ofrojnë ato zgjidhje që burokratët e fushave përkatese do të japin.
Dikasteret
Ndarjet e dikastereve janë në mënyrë klasike si të ishte një shoqëri e shekullit XX. Sot ka zhvillim të integruar. Pse një ministri të Bujqësisë dhe jo të Zhvillimit Rural. Pse një ministri të Arsimit dhe jo një Ministri të Shkencës dhe Arsimit. Një lloj stanjacioni në shpërndarjen e dikastereve. Për mua ministret e Shtetit janë pa funksion, jam i bindur që do dështojnë. Qarkullojnë persona, shtojnë numrin e personave të qeverisë….
Lindita Nikolla
Nëse do më pyeste dikush cili do ishte personi më adapt, patjetër do kisha vënë dorën te zonja Lindita Nikolla. Është një njeri që në formimin, në edukatën e saj, hapet ndaj mendimit të kundërt. Krijon hapësirë ndaj mendimit të kundërt. Zonja Lindita Nikolla, në rastin për rinovimin e Akademisë së Shkencave ishte e vetmja që kërkonte të zbatoheshin rregullat kushtetuese, ato parime të domosdoshme që do të çonin në një institucion si duhet. Pikërisht në atë moment është shkarkuar zonja Nikolla dhe ka ardhur një ministre që ka bërë shkelje ligjore.
Bashkëqeverisja
Do ishte fundi. Një shoqëri që do të emancipohet ka një mekanizëm, shumica qeveris, pakica bën opozitë. Gjermania ka lande, është shtet ligjor, ja struktura të tjera që rregullojnë funksionimin e shtetit. Nëse është fjala për bashkëpunim, pse jo. Por jo pazare. Kam frikë se mos kthehet opozita në retorikë, të thotë dy fjalë.