Gjatë qeverisë së ish-kryeministrit të djathtë Sali Bersha në vitet 2009-2013, kontratat e klasifikuara sekret i përkisnin tërësisht institucioneve të sigurisë. Nga 20 kontrata të tilla, tetë i përkasin Prokurorisë së Përgjithshme, dhjetë i përkasin Shërbimit Informativ dhe 2, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
Ndërkohë pas vitit 2013, institucione të tjera filluan të klasifikojnë kontrata shpenzimesh publike si sekret shtetëror. AKSHI është institucioni që shënon një rekord në këtë drejtim, me 18 kontrata më 2017 dhe 28 kontrata më 2018. Në krahasim me këtë, Shërbimi Informativ, që supozohet se ka sekrete për të ruajtur, gjatë vitit 2018 e pa të arsyeshme për të klasifikuar sekret vetëm gjashtë kontrata prokurimesh publike.
Një nga institucione që ka përdorur klasifikimin sekret për prokurimet e mbajtura pas vitit 2013 është dhe Këshilli i Ministrave. Zyra e kryeministrit nënshkroi një kontratë të klasifikuar sekret në vitin 2017 dhe një tjetër në vitin 2018. Kontrata sekrete e kryeministrisë është e lidhur me kompaninë AD – Star dhe Këshilli i Ministrave ka bërë një pagesë prej 56 milionë lekësh më 18 dhjetor 2018.
AD – Star është një kompani ndërtimi me seli qendrore në Këlcyrë. Duke qenë se kontrata është sekret, nuk është e mundur të mësohet se çfarë procedure tenderimi është ndjekur për realizimin e kësaj kontrate dhe se çfarë punimesh janë bërë.
Kryeministria është vetëm një nga institucionet që kanë filluar të bëjnë kontrata sekrete. Një institucion tjetër nën varësinë e kryeministrit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila merret me shërbimet për qeverinë apo zyrtarë të tjerë të lartë, të tilla si shtëpi pushimi apo komoditete të tjera si pritje dhe përcjellje, ka bërë 26 kontrata sekrete gjatë periudhës 2015-2019 – nga zero kontrata të tilla më parë. Nga këto, 12 kontrata janë realizuar vetëm gjatë vitit 2018.
BIRN nuk ishte në gjendje të identifikonte kontratat sekrete të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, por nga analiza e shpenzimeve të këtij institucioneve rezultoi se shumica e shpenzimeve të tenderuara lidheshin me hidroizolime vilash qeveritare, mobilime, shërbime mediatike dhe ekrane me qira.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, procedurat e prokurimit sekrete sjellin kufizim të dukshëm të garës midis operatorëve ekonomikë, duke prodhuar kosto shtesë për taksapaguesit.
“Në lidhje me procedurat e prokurimit u konstatua se, në procedurat e prokurimit ushtarake dhe sekrete, që nuk zhvillohen në zbatim të rregullave të prokurimin publik (pra jo nëpërmjet sistemit elektronik të APP, por me “Zarfe në dorë” efekti i garës nga konkurrenca, është dukshëm negativ, çka tregohet mbi të gjitha në fitimin e tenderëve me vlerë të plotë, duke bërë që kursimi i fondeve në këto raste të jetë pothuajse 0 (zero),” shkruan KLSH në raportin vjetor të performancës në vitin 2018.
Për të nxjerrë në dukje efektet negative në buxhetin e shtetit, KLSH analizoi diferencat mes vlerave për zëra konkretë të mallrave, shërbimeve dhe punëve të realizuara nëpërmjet procedurave të ligjit të prokurorimit publik dhe atyre të realizuar nëpërmjet procedurave ushtarake dhe sekrete, nga ku rezultoi se kostot sipas procedurave të prokurimeve ushtarake dhe të klasifikuara “sekret”’ ishin minimalisht, rreth 10-20% më të larta, ose në vlerë mbi 720 milionë lekë më shumë. Nisur nga këto probleme, KLSH, ka kërkuar përmirësimin e legjislacionit për prokurimet sekrete.
“Është pikërisht baza ligjore që lejon realizimin e procedurave pa konkurrencë, vakumi i të cilave është shfrytëzuar mjaft mirë nga autoritetet kontraktore, duke sjell kështu, efekte negative të konsiderueshme në dëm të buxhetit të shtetit,” shton KLSH.
Të shqetësuar për rritjen e numrit të prokurimeve sekrete janë dhe aktorë të shoqërisë civile, të cilët ngjashëm me Kontrollin e Lartë të Shtetit shprehen se klasifikimi si sekret shtetëror i tenderave mbyt konkurrencën.
“Të dhënat për tenderët e klasifikuar nuk janë publike, çfarë i jep mundësi autoritetit kontraktor të përzgjedhë një operator edhe pse jo gjithmonë klasifikimi është i justifikuar,” tha Redion Qirjazi, menaxher i programit të sigurisë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë. “Kjo nuk është një praktikë prokurimi standarde dhe auditet e KLSH-së kanë treguar kufizim të konkurrencës me tenderat e klasifikuar,” shtoi ai. Marrë nga Reporter.al