Pas lajmit se një vula mbi 400-vjeçare e manastirit të Kamenos, me rëndësi historike, është “zhdukur” në rrethana të mistershme nga zyrat e Arkivës së Shtetit, për “Panorama”, ka folur Nevila Nika, ish-drejtoreshë e Arkivit të Shtetit.
Sipas historianes, Nika, vlera e kësaj vule është e paçmuar për shkak se është ndër të paktat objekte të kësaj kategorie, që kanë ardhur deri në ditët tona.
Sipas saj, ky ferman, bashkë me vulën e tij, kanë qenë të ekspozuara me rastin e 50-vjetorit të Arkivës së Shtetit në Muzeun Kombëtar dhe ka qenë i përfshirë dhe në katalogun e Mesjetës dhe Rilindjes së Arkivës së Shtetit.
“Vula është pjesë e një fermani të veçantë, të Sulltanit në gjuhën greke. Fermani i jep të drejtën e pronave Manastirit të Kamenës. Ndryshe nga vulat e tjera që kanë qenë prej dylli, kjo vulë është në material metalik, prej plumbi. Është një ngjarje e turpshme dhe e frikshme njëkohësisht që në vitin 2019, kur mendohet se masat e sigurisë janë më të larta dhe më të garantuara, të vidhen në Arkivin e Shtetit objekte të një rëndësie të tillë”, u shpreh Nevila Nika, ish-drejtoreshë e Arkivit të Shtetit.
Ajo që implikon rëndë në këtë çështje drejtorin aktual Arkivit të Shtetit, Ardit Bido është fakti se janë zhdukur dhe kamerat e arkivës, çka shton dyshimet se ka bashkëpunëtorë nga brenda institucionit. Policia po ushtron kontrolle në ambientet e institucionit, pasi vula e zhdukur ka vlerë historike për vendin tonë. Nuk jepen shpjegime nëse filmimet janë fshirë enkas, apo nuk funksiononin kamerat e sigurisë.
Manastiri i Kamenos gjendet midis Delvinës dhe fshatit Kakodhiq, në jug të Shqipërisë. Kisha e manastirit i është kushtuar “Fjetjes së Hyjlindëses”. Manastiri i Kamenos mendohet të jetë ndërtuar në vitin 630 e më pas është ristrukturuar më 1580. Kisha që ndodhet në manastir i përket llojit të kishave me kupolë dhe kryq. Dallohet për arkitekturën e saj dhe punimet artistike në dyer dhe dritare.