Rikthehet në vëmendje pas 7 vitesh vrasja e bankierit Artan Santo në zonën e Ish-Bllokut në Tiranë pasi SPAK ka vendosur të rihapë hetimet për ngjarjen e rëndë.
Kujtojmë se Santo u ekzekutua në qershor të 2014 teksa po hynte në selinë e bankës ku punonte.
Së fundmi miku i bankierit të ndjerë, Eduart Mazi ishte i ftuar në emisionin “Breaking”, ku rrëfeu sesi e ka parë vetë gjithë ngjarjen e rëndë.
Gjithashtu ish-drejtori i TVSH zbuloi ndër të tjera ambiciet që kishte Santo.
“Është pak e vështirë të flasësh për atë ngjarje. Është shumë e mirë që SPAK hapi edhe njëherë dosjen e bankierit, i cili ishte më i miri në tregun shqiptar. Ai ishte njeriu absolutisht mik e shok i mirë. Meriton një vend të veçantë në trajtimin e temave”, tha Mazi.
Ju keni qenë në vendin e ngjarjes, çfarë mbani mend nga ai moment?
Ai është fati keq i imi që ndodhesha aty. Një natë më përpara më mori në telefon e më kërkoi disa mendime në lidhje me ecuritë e një televizioni. Ka qenë kryetar i bordit në TVSH kur unë isha drejtor. E më pas vazhduam projektin me televizion SCAN. Një nga iniciativat më të mira të Artanit.
Pasi e futëm në treg, me iniciativën e bankierit u bë unik. Ai ishte më largpamës se unë. Ai thoshte të ishte më ekonomik, se thoshte shqiptarët nuk dinë me hy në bankë, nuk dinë të përdorin bankomat. Ishin tema që ishin jashtë edukatës së qytetarëve.
Ai filloi një projekt tjetër me një televizion, e kërkonte mendimin tim. Ishte vonë kur më mori në telefon, e lashë një takim me të. Ai nuk dilte shumë nëpër kafe, e lamë që të takoheshim në orën 9. Në 8 dilte në zyrë, unë kur po ngjitesha në shkallë roja më thotë ‘drejtor po vjen shefi’. Unë kthej kokën e zbres poshtë. Ishte një tabelë reklame, ai u ndalua, sapo doli nga makina, kam dëgjuar të shtënat e një arme, që nuk e di sa të shtëna ishin.
Shumë afër meje u shtri Artani. Ishte një skenë që unë sot dridhem kur e kujtoj, e që nuk kam qejf ta them. Pastaj një nga ato që ishte i veshur i gjithi me të zeza, nuk u mjaftua me goditjen e parë, erdhi mu te koka e tij, ku e goditi 2 herë. Më pas mu drejtua nga unë, më pa dhe largoi armën nga unë dhe kërcënoi të gjithë rrethin që ishin aty. Iku shumë i qetë më një vrapim të lehtë.
Kishte një maskim të madh, një skafandër të zezë, një veshje që dukej lëkure, kishte një pistoletë më mulli, atlete, shumë i lehtë në të vepruar, me gjatësi sa unë ose më shumë. Dhe shumë i dobët.
Kanë buzëqeshur kur kam thënë se mund të ketë qenë edhe femër, me atë lëvizje, ato këmbë të holla.
Ai ishte një robot i zi që mbante dorën drejt, që ma drejtoi mua pistoletën, një metër larg ishte. E pa që unë nuk kisha asnjë reagim, e pa që isha i neutralizuar, e këto që janë profesionist apo vrasës me pagesë, detyra e tyre është e thjeshtë, të bëjnë punën që janë paguar e mos të hapin probleme të tjera.