Rreth 40 persona të cilët ishin pjesë e klubit “Kosovo Mountain” janë nisur në mënyrë të organizuar këtë të diel për të ecur në zonën e Zubin Potokut, nga ku janë sulmuar me armë nga dy persona të armatosur.
Besim Hoti, Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, ka thënë se nga ky incident nuk është lënduar asnjë person.
“Rreth 40 persona me autobus në mënyrë të organizuar, kanë ardhur nga ana e Zubin Potokut, për ta vazhduar ecjen nëpër male. Sipas tyre dikush ka shtënë me armë zjarri dhe janë kthyer pas. Nuk është lënduar askush dhe nuk ka dëme të raportuara. Në kthim prapa kanë takuar një patrullë policore dhe i kanë shpjeguar rastin, në stacionin policor nuk kanë pranuar të shkojnë me arsyetimin që deklaratat do t’i japin në Prishtinë”, është shprehur Hoti.
Organizatorët janë detyruar që pas këtij incidenti, të ndërrojnë destinacionin e ecjes.
Sipas organizatorëve, policia paraprakisht ka qenë e njoftuar për ecjen, por gjatë rrugës ata kanë hasur në dy persona të cilët kanë shtënë me armë zjarri në afërsi të tyre.
Nga ana tjetër, një zyrtar i këtij klubi tha se të dyshuarit kanë gjuajtur në ajër rreth 30 metra larg grupit.
“Grupi ka qenë duke bë hiking (ngjitje), në malet mbi liqenin e Ujmanit, dy persona kanë shkrepur në ajër me armë zjarri, pas kësaj grupi ka marrë vendim me u kthy. Kanë qenë pjesëmarrës rreth 50 persona në grup, nuk ka të lënduar, grupi është në rregull. Grupi ka vazhdu me ecë për në Shalën e Bajgorës”, tha ai.