Këngëtarja e njohur shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka publikuar para pak kohësh albumin e saj më të ri, “Better Mistakes”.
Ajo po promovon albumin e saj më të ri me 13 këngë të reja në të gjitha mediat dhe tabloidet e huaja.
Rexha ka folur në një intervistë për “Los Angeles Times”, edhe për prejardhjen e saj dhe traditat shqiptare.
Ajo tregoi se si është muzika tradicionale shqiptare dhe cilat janë ritmet e saj.
“Kur të shkoni në një dasmë atje, do të keni një djalë të madh që godet në daulle bas dhe më pas do të vijë edhe dikush me klarinetë ose një fizarmonikë – kaq. Daullet tingëllojnë si: Boom-Chicka-Boom-Chicka-Boom-Boom-Boom”, ka thënë artistja shqiptare.
Për të vijuar më tej, ajo u pyet po ashtu edhe për traditat dhe zakonet e vendit, të cilat ajo i praktikon tek familja e saj, në shtëpinë e tyre në Neë York.
“Kur njerëzit vijnë, unë duhet t’u shërbej atyre diçka, edhe nëse ata po punojnë për mua – si për shembull zonja ime pastruese duhet të ketë një vakt të plotë. Në kulturën shqiptare, kur dikush vjen mysafir, ekziston një sistem i hapave se si ju i shërbeni njerëzve. Le të themi se nëse do të kaloni nga shtëpia e mamasë sime, ajo do t’iu mirëpresë, dhe ne duhet të kemi çokollata të vogla, çokollata vërtet të këndshme dhe duhet të shkojmë në sallon për t’ua shpërndarë gjithëve – nga më i vjetri tek më i riu, të gjithë marrin një copë çokollatë. Atëherë më pas unë do të shërbej pije, ujë ose lëngje frutash. Pastaj vendos në tabaka një pjatë të madhe me ëmbëlsira – të gjitha llojet e ëmbëlsirave. Atëherë ndoshta më pas duhet të bëj kafe dhe do të shërbej kafe me tortë. Dhe pastaj e përfundoni me fruta”, ka thënë 31-vjeçarja.