Dje ishte një mbrëmje emocionuese për të gjithë shqiptarët, pas kualifikimit të këngës së Jonida Maliqit “Ktheju tokës” në Eurovision.
Interpretimi i këngëtares ishte i niveleve të larta duke marrë dhe komente mjaft pozitive dhe nga të huajt.
Pas emocioneve që kaloi gjatë performancës, Jonida Maliqi nëpërmjet një postimi shkruan përjetimet e para pas interpretimit.
Këngëtarja shkruan se është emocionuar shumë jo vetëm gjatë tre minutave të këndimit por edhe më shumë kur ka dëgjuar fjalën Shqipëri.
“Shqiponja prek qiellin, sytë dhe këmbët rikthen gjithmonë në tokë! Nuk kam heshtur asnjë moment në këtë rrugëtim, edhe kur dëgjoja në kor fansat europianë që këndonin shqip #Kthejutokës, edhe kur më nisnin nga Tirana lajme nga më të çuditshmet! Unë bëra dje atë për të cilën marrë frymë, për të cilën edhe erdha në këtë skenë: Këndova! Jam emocionuar si kurrë më parë me 3 minutat e mia dhe të Shqipërisë, akoma më shumë kur dëgjova: Albania! Po jetoj ëndrrën time, mbështetja dhe votat tuaja nuk ndalen fluturimin e shqiponjës! Jemi në finale, por tashmë unë mendoj se kemi fituar, jo vetëm me kualifikimin, por edhe me njëri-tjetrin! U bëmë bashkë si kurrë më parë dhe unë për këtë ju jam pafund mirënjohëse! Ju dua shumë, shihemi në finale”,-ka shkruar Jonida në Instagram.