Gjykata e distriktit të Missoula-s ka vendosur që një i ri shqiptar të qëndrojë në paraburgim derisa të kryhet gjyqi ndaj tij. Bëhet fjalë për Fabjan Alametin, 21-vjeçarin nga Shqipëria që u arrestua pasi dyshohej se do të kryente sulme terroriste.
Gjatë seancës dëgjimore, gjykatësi Jeremiah C. Lynch tha se i riu shqiptar me nënshtetësi amerikane paraqet rrezikshmëri të lartë nëse lejohet të kthehet në apartamentin e nënës së tij në Bronx.
“Gjithçka që duhet të shoh janë deklaratat që ke bërë, të cilat më paralajmërojnë që të mos të lëshoj”, tha ai.
Ndërkohë, avokati mbrojtës i Alametit tha se nuk ka ndonjë tregues që Alameti ka lënduar njeri dhe se në të kaluar nuk ka ndonjë rekord kriminal në lidhje me akuzat ndaj tij.
21-vjeçari shqiptar u arrestua nga agjentët e FBI-së më 3 Prill në Bozeman. Ai ruhej nga ata që prej viti 2017. Sipas hetimeve, i riu i ka thënë një informatori në Janar të këtij viti se planifikonte t’i bashkohej ISIS-it në Siri. Ndërkohë gjatë një bisede në rrjetet sociale, ai është shprehur se do të kryente një sulm terrorist në tokën amerikane.
“Do të qëndroj mbi ta ndërkohë që i shpoj me vrima”, mësohet t’i ketë shkruar agjentit të infiltruar Alameti.
Këtë citim të shqiptarit e lexoi gjatë vendimit edhe gjykatësi Lynch. Por jo vetëm kaq. Mbi Alametin është ngritur edhe një akuzë për armëmbajtje pa leje gjatë kohës që përdorte marijuanë. I riu i ka mohuar të gjitha akuzat.
Por si ra FBI në gjurmët e Fabjan Alametit?
Në lidhje me çështjen e tij ka dëshmuar para gjykatës edhe agjentja speciale e FBI-së, Ingrid Nelson. Ajo tha se Byroja Federale e Investigimit nisi hetimet për Alametin në vitin 2017 dhe po atë vit i mbylli. Në Maj të vitit 2018 ata rihapën hetimet pasi i riu shqiptar filloi të pëlqente dhe të shpërndante video të ISIS në Facebook.
Më tej, agjentja ka treguar që Alametin e kishin mbajtur nën survejim të vazhdueshëm që më 14 Mars të këtij viti, kur shqiptari ishte larguar me një autobus drejt Bozeman. Ajo nuk mundi të tregojë arsyet se pse i riu ishte zhvendosur aty.
Kur kishte shkuar në Bozeman, Alameti kishte qëndruar për pak kohë në një hotel, pasi u përzu nga stafi. Ai u kap duke tymosur marijuanë në dhomë. Më pas, i riu lëvizi në një hostel. Por edhe aty telashet për të riun nuk përfunduan. Ai u dërgua në spital pasi ishte helmuar nga alkooli i tepërt. Aty policia i konfiskoi edhe një pushkë.
Pasi la spitalin, Alameti pranoi të merrej në pyetje nga FBI. Ai mohoi që kishte dashur të luftonte për ISIS, të vriste qytetarët amerikane, të luftonte ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe të kishte ndonjë kontakt me ndonjë person tej oqeanit.
I riu u lirua pasi u dha leje agjentëve të shkarkonin të gjitha përmbajtjet në celularin që përdorte. Edhe pas arrestimit, FBI e mbante nën survejim të riun. Nelson tha se ai vazhdonte të merrej me marijuanë dhe u fut në paraburgim për këtë shkak.
Seanca gjyqësore për Alametin është vendosur më 24 Qershor. Deri atëherë, ai do të qëndrojë në burgun e Missoula-s.