Pas deklaratës që bëri në mbylljen e fushatë, kandidati i PD në Dibër ka reaguar i penduar.
Nga Maqellara, ai lajmëroi se janë grupe të gatshme të mbrojtjes së votës dhe se kushdo që do tentojë të blejë votën do ta pësonte si “ai në Elbasan” duke iu referuar konfliktit që degjeneroi në vrasjen e Pjerin Xhuvanit.
“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe ai do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit”, kështu do të deklaronte para qytetarëve Mziu.
Por në reagimin e tij pasi deklarata e tij shkaktoi komente të shumta në internet, Mziu thotë se “jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”.
“Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam KUNDËR dhunës!”, thekson Mziu në reagimin e tij.
DEKLARATË E KANDIDATIT TË PD PËR DIBRËN, XHELAL MZIU
Me sinqeritetin më të madh, shpreh keqardhjen time dhe pendesën time për komentin tim të panevojshem dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit.
Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam KUNDËR dhunës!
Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve.