Shtyhet vaksinimi i mësuesve kosovarë në Shqipëri. Lajmi është njoftuar në një konferencë për mediat nga ministri i Shëndetësisë së Kosovës. Vitia ka bërë të ditur se nuk ka më sasi të vaksinave “AstraZeneca” dhe “Pfizer”.
Ai ka vënë në pah faktin se ka pasur kontakte të vazhdueshme me homologen e tij, Orgeta Manastirliu, e cila i ka premtuar që sapo të vijnë doza të tjera të këtyre dy vaksinave, atëherë një sasi e caktuar do t’i ruhet Kosovës për vaksinimin e mësimdhënësve.
“Dozat e vaksinave “AstraZeneca” dhe “Pfizer” janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu. Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me “Sinovax“, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruar në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, -ka thënë Vitia.
Vitia ka thënë se janë duke pritur ardhjen e 76 mijë vaksinave nga programi COVAX.