Policia e Bulqizës dënon me 50 milionë lekë gjobë kandidatin e pavarur si deputet në zgjedhjet e 25 prillit, minatorin Elton Debreshi.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë ky i fundit, i cili ka publikuar vendimin e uniformave blu për organizimin e tubimeve elektorale në ambiente të mbyllura.
Sipas Debreshit, autor i kësaj gjobe është kryeministri Edi Rama.
“Sot komisariati i Bulqizes me njoftoi se jam gjobitur me 5,000,000 leke te reja per shkak te tubimit te dates 26 mars. Per shkak te vendimit te Gjykates Kushtetuese dhe mosbotimit te rregullave te reja ne fletoren zyrtare, takimi ne Bulqize ka qene krejt i ligjshem.
Autori i vertete i kesaj gjobe eshte Edi Rama. Ai dhe partite e tjera kane frike nga mbeshtetja e madhe qe po marrim ne cdo fshat dhe qytet te Dibres. Fakti qe per te njejtat tubime PD nuk gjobitet, tregon se te gjitha partite jane bashke. Dje ishin bashke kunder greves dhe protestave tona, sot jane bashke kunder kandidimit te nje minatori.
Mua nuk me frikeson nje gjobe. As mijera minatoret dhe qytetaret qe po na japin besen kudo. Kjo cope leter do te hyje ne historine e turpit te kesaj qeverie”, njofton Debreshi ndër të tjera, i cili në këto zgjedhje përfaqëson grupin e minatorëve.