Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka nisur një skemë të re të komunikimit me qytetarët, të cilëve u kërkon mbështetje për zgjedhjet e 25 prillit.
Sonte, live në rrjetin social Facebook, Shehi kërkoi mbështetje nga qytetarët e Tiranës për të marrë besimin e tyre për një tjetër mandat në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai nuk ka hezituar t’u kërkojë ndjekësve të tij të grumbullojnë vota, ndërsa u ka dhënë edhe numrin e telefonit.
“Nëse duam t’i afrohemi Europës duhet të ndryshojmë dhe ndryshimi fillon nga ndryshimi i qeverisë. Nëse nuk ndryshojmë këtë kryeministër, të gjitha gjërat janë minimale, unë do t’ju ftoja të votojmë për ndryshimin. Hajde zgjedhim ata njerëz që ju ju duken më të mirë. Unë jam nr. 13, do të vazhdoj ta përsëris.
Ne po komunikojmë për fushatën dhe unë do të doja, edhe ndihmën tuaj, kushdo të kontribuojë, të mbledhë vota të mbështesë nr. 13. Unë po u jap nr. e telefonit, 0686014414, e-mail-in [email protected] po ashtu keni edhe faqen time të internetit. Të forcojmë për opozitën, pastaj brenda kësaj, për burrat më të mirë brenda listës, për Tiranën janë 30 e ca vetë”, tha Shehi.
Shehi kandidon në pozicion të sigurtë në listën e PD, por ai synon të marrë më shumë se 10 mijë vota.