Edhe pse kanë kaluar më shumë se 40 orë nga zjarri që përfshiu magazinën e një qendrë tregtare në Tiranë, nuk ka ende asnjë gjurmë nga 33-vjeçari, Arjan Sala, roja i sigurisë i cili dyshohet se ka mbetur brenda.
Ndërkohë mësohet se vazhdon djegia e produkteve në këtë magazinë dhe sipas ekspertëve zjarri po përfshin sendet që ndodhen në bodrum.
Raportohet se janë hapur tunele ajri, në mënyrë që të ulet temperatura. Ekspertët zjarrfikës thanë një ditë më parë, se temperatura e lartë rrezikon edhe strukturën e godinës.
Pranë qendrës tregtare ku ndodhet magazina, e cila edhe dje gjatë gjithë ditës ishte e përfshirë nga tymi e gazrat helmuese, kanë mbërritur edhe forcat zjarrfikëse të ushtrisë, ato të aeroportit të Rinasit dhe të Kamzës, për të ndihmuar forcat zjarrfikëse në kërkimet në katin nëntokës të përfshirë nga zjarri.
Punonjësit e ushtrisë dhe ata zjarrfikës po hapin dhomat me aparate të mëdhenj ventilimi, duke kërkuar trupin e 33- vjeçarit. Zjarri ka përfshirë gjithë katin nëntokësor, që ka shërbyer si magazinë për të gjitha produktet, të cilat tregtoheshin në gjashtë katet e qendrës tregtare.
33-vjeçari, i cili rezulton i zhdukur, ka qenë i pari që ka rendur për të evakuuar të gjithë punonjësit që ndodheshin në magazinë, duke shmangur tragjedinë, por fatkeqësisht nuk mundi të dilte dot. Ai u fut 24 orë më parë për të shpëtuar punonjësit e magazinës nëntokësore, duke tentuar të fikë zjarrin me një bombol në dorë, së bashku me dy kolegët e tij, të cilët arritën të dalin.[i]