Pas atentatit sot në mëngjes që iu bë 40-vjeçarit Edmond Koci (Çekiçi) në lagjen 16 në Durrës, është zbardhur dhe dëshmia e shoferit.
Ky i fundit ka thënë për grupin hetimor se nuk i ka njohur autorët që qëlluan për vdekje viktimën, që njihej si anëtar i bandës së Lul Berishës.
“Nuk i kam parë më parë dhe nuk i njoh kush ishin. Unë kisha pak kohë shofer i Mondit. Sot në mëngjes pranë shtëpisë së babait të Mondit na preu rrugën një makinë e zezë Benz. Ata ishin të maskuar me kapuça dhe shall…Unë dola menjëherë nga makina dhe ika me vrap tek rrugica ngjitur që është aty ku kishim ndaluar.
Po të kisha qëndruar do më kishin vrarë edhe mua. Unë nuk di kush ka pasur konflikt me Mondin”, ka rrëfyer shoferi.
Burime bëjnë me dije se shoferi është pa precedent penal. Sipas grupit të hetimit nëse nuk do të ishte larguar autorët do të kishin ekzekutuar edhe këtë të fundit.
Pasi është larguar shoferi, viktima ka hapur derën e pasagjerit për të folur me ekzekutorët. Njeri prej tyre e ka qëlluar me breshëri kallashnikovi duke e lënë te vdekur ne vend.