Vijon konferenca me në fokus ekonominë ku është i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama.
Ai u pyet në lidhje me një datë fikse se kur mund të fillojë vaksinimi masiv në vendin tonë.
Kreu i qeverisë tha se nuk ka një datë përderisa vaksinat nuk janë ende në Shqipëri.
“Nuk e di ju e keni me gjithë mend, apo e keni sa me bërë një pyetje. Sepse për këtë temë po flasim çdo ditë. Nuk di çfarë do me thënë a ka një datë për të filluar vaksinimi masiv, ku këtu bëhet fjalë për të siguruar një sasi dozash për të garantuar çdo ditë vaksinimin.
Për sa kohë që kjo sasi dozash nuk është në Shqipëri data që më kërkoni ju mua është muhabet. Të hedhim fall. Unë jam shumë besimplotë se ne do të kemi shumë shpejt mundësinë të marrim frymë krejt lirisht dhe të fillojmë një vaksinim masivisht me ambicien që sezonin veror ne ta kemi shumë më të lehtësuar nga pesha e zinxhirit të infektimeve. Për datë më vjen keq, por ka diçka që nuk shkon në pyetjen tuaj”,- tha Rama gjatë fjalës së tij.