Në kuadër të situatës alarmante përsa i përket shifrave të të infektuarve me C OVID19 në vend, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka prezantuar sot masat e reja shtrënguese për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së virusit.
Kështu, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur ndalimin e qarkullimit nga ora 20:00 deri në 06:00 si dhe aktivitetin e bareve dhe restoranteve me përjashtim të shërbimeve delivery në po të njëjtin orar.
Manastirliu deklaroi se rregullat hyjnë në fuqi që nesër, nga data 11 shkurt dhe do të zgjasë dy javë, deri më 25 shkurt.
“Jemi në një situatë kur kemi një shtim të numrit të infektimeve, ulje të moshës së të infektuarve dhe kjo si pasojë ka sjellë një shtim të ndjeshëm të misioneve të urgjencës tonë kombëtare dhe kjo situatë është shoqëruar me shtim të rasteve në spitale. Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar situatën bazuar në eksperiencat tashmë të fituara gjatë këtyre muajve të luftës ndaj C OVID19 dhe ka vendosur në mbledhjen e ditës së sotme, duke u bazuar në parim për mbrojtjen e jetës së qytetarëve këto masa:
Ndalimi i qarkullimi nga ora 20;00 deri në 6 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave dhe për arsye pune, për një periudhë 14 ditore duke foilluar nga 11 shkurt deri në 25 shkurt. Ndalimi i bareve, restoranteve, lokaleve, nga ora 20;00 deri në 06;00, me përjashtim të shërbimit në banesë, nga data 11 shkurt deri më 25 shkurt,”- tha Manastirliu.
MASAT E REJA
– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
– Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet ANTI- C OVID19.