Aktivistja e njohur e shoqërisë civle Sevim Arbana ka bërë me dije se Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën që ajo të përballet direkt me kryeministrin Edi Rama.
Ajo shprehet se ndihet entuziaste për përballjen me Ramën dhe është në pritje të datës për seancën e rradhës.
“Në gjyqin tim me KM Edi Rama, Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatit im av. Dorian Matlija që në gjykim të jetë personalisht kryeministri Rama në rolin e paditësit. Sot gjykata pranoi kërkesën tonë. Jam në pritje të datës dhe përballjes me kryeministrin. Drejtësia që duam, kryeministri që s’duam”, shkruan Arbana.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama e ka paditur për shpifje aktivisten e të Drejtave të Njeriut, Sevim Arbana.
Kjo padi, bazohet në deklaratën e bërë nga Arbana në janar të vitit 2019 në emisionin “A Show” të gazetarit Adi Krasta, ku tha se kreu i qeverisë kishte pickuar një ministre në qershor të vitit 2013, periudhë që përkon me zgjedhjet parlamentare që shënuan ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste.
Mësohet se në padinë e tij, kryeministri kërkon 10 milione lekë dëmshperblim për shpifje.