Nga Akademik, Prof. Anastas Angjeli
Dilemat, debatet, pyetjet dhe shumë komente po bëhen sot nga institucionet financiare ndërkombëtare, organizata dhe institute prestigjioze të politikave ekonomike, analistë, ekspertë të fushës rreth çështjes themelore se çfarë do të ndodhë me krizën ekonomike aktuale postCovid, kur do të fillojë ringritja ekonomike, ku do të mbështetet, me çfarë politikash dhe instrumentesh do të nxitet kjo ringritje, si do të ristrukturohet ekonomia, çdo të ndodhë me konsumin dhe tregun e punës etj., etj
SKENARET E RIMEKEMBJES EKONOMIKE
Skenarët e rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare, me gjithë veçoritë që kjo krize ka në vendin tonë, nuk u shmangen dot skenarëve bazuar në metodikat dhe protokollet ndërkombëtare (të përdorura edhe nga FMN, BB) dhe ekspertë e analistë të njohur e më në zë për analizën e sistemeve të zhvillimit… Bazuar në format e njohura dhe interpretimin e formave që krizat e mëparshme kanë kaluar të shprehura në formën e germave V, U, L, W, edhe për këtë krizë duket se pas shumë analizash, ekspertët janë përafruar në mendim dhe qëndrim. Duke ndjekur debatin e formave të zhvillimit, është vënë re se gjatë krizës u kalua nga sistemi U – rrënie e menjëhershme, depresion i gjatë dhe ngritje e menjëhershme – në sistemin V – rënie e ngadaltë dhe e thellë, depresion i shkurtër dhe ngritje e ngadaltë. Por duket se me këtë krizë ka një formë të re, disi të modifikuar që merr formën e germës “K”.
Pra sipas kësaj forme, rënia do të jetë e thellë (dhe kjo po vërtetohet), pa depresion të gjatë, do kemi një ngritje të parë deri nga fillimi i verës së këtij (fundi i 6- mujorit të parë të këtij viti) dhe pastaj do të kemi një transformim rrënjësor të tregut ku një pjesë do të bjerë dhe do të duhet të ristrukturohet dhe një pjesë tjetër do të rritet me ritme edhe më të shpejta. Pikërisht ky konceptim ka nxjerrë në pah modelet në të cilat do të bazohet dhe si do të duhet të nxitet rritja dhe me çfarë politikash ekonomike. Duket se rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2021 nuk do të ndodhë “thjesht” dhe fare “normalisht”
Po cilët janë faktorët specifikë të ekonomisë shqiptare që duhen konsideruar dhe do të ndikojnë në rimëkëmbjen ekonomike dhe të politikave në funksion të saj? Janë disa faktorë:
– Ambienti ekonomik që do të shërbejë si bazë nga do të startojë rimëkëmbja ekonomike. Dhe për këtë duhet të konsiderojmë rezultatet ekonomike të fundvitit që lamë pas (një rënie ekonomike -5,7 -6%, një deficit buxhetor rreth 6 – 7%, një borxh publik rreth 80%) dhe treguesit e pritshëm të 6-mujorit të parë të këtij viti.
– Ecuria e pandemisë dhe efekteve të saj negative, shoqëruar me një sërë pikëpyetjesh e të panjohurash në lidhje me kohën e mundshme të vaksinimit dhe shkallën e përhapjes dhe intensitetin e pandemisë, e cila duket të jetë intensivisht prezente edhe gjatë vitit të ardhshëm, të paktën në 6-mujorin e parë të tij. Kryerja e vaksinës dhe efektet pozitive të saj, në rastin më të mirë do të shtrihen gjatë gjithë vitit 2021.
– Ecuria e procesit të rindërtimit të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, që këtë vit do të jetë shumë intensive, jo vetëm si një veprim human i domosdoshëm, por edhe si një oportunitet për rimëkëmbjen dhe zhvillim (më shumë se 100 profesione janë të lidhura me industrinë e ndërtimit dhe rreth 220 kompani janë angazhuar në këtë proces).
– Aftësisë rigjeneruese të sektorëve të prekur më rëndë nga pandemia, veçanërisht turizmi, industria fason, transporti dhe shërbimet, trajektorja e të cilave pritet të jetë pozitive.
– Shkalla dhe trajektorja e sjelljes konsumatore dhe konsumit; niveli i kërkesës së brendshme e të jashtme pritet të vazhdojë të jetë anemik edhe për vitin e ardhshëm, si konsumi i brendshëm, ashtu dhe eksportet, të cilat varen shumë dhe nga situata ekonomike e partnerëve tanë kryesorë tregtarë.
– Ndërsa investimet publike do të luajnë një rol pozitiv në rimëkëmbjen e ekonomisë, edhe pse IHD duhen vlerësuar për këtë vit nëse do të kenë ndikim.
– Politikat ekonomike e financiare që do të aplikojë qeveria shqiptare, instrumentet që do të përdorë, shtuar këtu dhe vështirësitë që krijon viti zgjedhor, dhe veçanërisht:
1- Rritje e investimeve publike, duke ristrukturuar kostot e borxhit publik në kushte ndërkombëtare të uljes së pçrqindjes së interesit.
2- Reforma strukturore në ekonomi në funksion të degëve të reja, si dixhitalizimi, ekonomia e gjelbër dhe asaj blu dhe ndryshimi i raportit të qytetarit me shtetin.
3- Nxitja e inovacionit dhe konkurrencialitetit nëpërmjet zhvillimit të arsimit, politikave të zgjuara të punësimit dhe reformave strukturore.
SEKTORET QE DO TE ORIENTOHET NGRITJA EKONOMIKE
Bazuar ne këta faktorë, politika e instrumente dhe duke analizuar me kujdes të paktën për 7 vende anëtare të BE-së dokumentin e aplikimit të tyre për “recovery fund” në investimet që planifikojnë të bëjnë me fondet e BE-së mund të orientohemi për sektorët ku duhet të orientohet ngritja ekonomike. Në të gjitha këto vende gjenden dy drejtime bazë: dixhitalizimi, zhvillimi i ekonomisë dixhitale dhe zhvillimi i ekonomisë së gjelbër dhe asaj blu, si faktorë të rëndësishëm për një ekonomi të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Pavarësisht këtyre dy drejtimeve, mund të them me siguri që mbi 50% e fondeve shkojnë në investime infrastrukturore, investime për zhvillime lokale dhe në drejtime që lidhen me inovacionin, arsimin, shëndetësinë dhe eksportin.
Në buxhetin e këtij viti, në vendin tonë janë rritur ndjeshëm fondet për infrastrukturën, shëndetësinë dhe stimulimin e inovacionit.
Duke u ndalur në degë konkrete, mendoj se duhet të rishohim ristrukturimin në industrinë nxjerrëse, e cila parashikohet të rritet në vitin 2021 me 7.9%, pas një rënieje me 17%; në bujqësi, e cila nuk ra në vitin e kaluar, por performoi pozitivisht dhe parashikohet të rritet me 3%; në transport, që parashikohet të rritet në vitin 2021 me 12% dhe akomodimi dhe shërbimi ushqimor që parashikohet të rritet me 19.3%. Këto janë degët klasike ku mbështetet dhe një pjesë e rritjes ekonomike të këtij viti, siç do të jetë turizmi, që parashikohet të rritet me 20% dhe ndërtimi me 6.1%.
Shpeshherë ne analizojmë vetëm shifrat e rritjes, por duhet të kuptojmë se këtë vit pas tyre fshihet një ristrukturim i shumë degëve të ekonomisë, gjë që për mendimin tim, do të përmirësojë strukturën ekonomike të vendit dhe mbi të gjitha, do të hapë hapësira të reja zhvillimi për shumë drejtime të tjera. Por në realitetin shqiptar kjo korrespondon me dy problematika e debate të mëdha: debatin e 5 apo 6 viteve të fundit për domosdoshmërinë e një modeli të ri ekonomik për vendin, dhe debatin aktual se si duhet riorientuar e ristrukturuar ekonomia, nisur nga goditja dhe “mësimet” që na dha pandemia e Covid-19 në këtë aspekt. Nisur nga ky fakt, duket se “ekonomia shqiptare ka nevojë për një ristrukturim të thellë dhe riorientim të sektorëve të saj prodhues e shërbimeve”. Ne duhet të kalojmë nga një model ekonomik bazuar në importet, konsumin dhe remitancat drejt një modeli që bazohet në prodhimin e brendshëm dhe eksportet; nga një model ekonomik që reflekton ndjeshëm një rritje ekonomike sasiore e përjashtuese, drejt një modeli të një rritje ekonomike cilësore e gjithëpërfshirëse; nga një strukturë ekonomike e model ku mbizotërojnë sektorë e aktivitete me nivel të ulët produktiviteti, drejt një modeli ku mbizotërojnë sektorët e aktivitetet me produktivitet të lartë, me vlerë të shtuar të lartë dhe me kërkesë për punonjës me kualifikim të lartë profesional.
Këtu mund të shtojmë drejtime e sektorë të rinj të lidhur me “ekonominë e gjelbër”, me “ekonominë blu”, me “energjinë e rinovueshme”, “prodhimet biologjike e organike, “ekonominë cirkulare” etj. Prioritet duhet të marrin disa sektorë shërbimesh që adoptojnë me shpejtësi teknologjitë moderne, inteligjencën artificiale dhe “start-up”-et, të cilët ofrojnë shërbime në nivel rajonal, europian e ndërkombëtar, të rikthehen sytë drejt zhvillimit të disa sektorëve të prodhimit industrial e përpunimit të lëndëve të para vendase, të zgjerohet e modernizohet industria agroushqimore etj. Të gjitha këto do të konsideroheshin të suksesshme në qoftë se do të kishin një korrelacion pozitiv me ringjalljen e konsumit dhe ndikimin në rritjen e punësimit.
RINGJALLJA E KONSUMIT
Këtu duhet të veçojmë dy politika ekonomike: atë të ringjalljes dhe ristrukturimit të konsumit prodhues nga njëra anë dhe rritjes së konsumit të popullatës nga ana tjetër. Pavarësisht se janë dy elemente që kanë lidhje të ngushtë me njëri-tjetrin, unë po e bëj këtë ndarje që të kuptohet më mirë mekanizmi i funksionimit, sepse i pari do të realizohet kryesisht nëpërmjet politikave të investimeve publike të parashikuara në buxhet, investimeve të huaja dhe grandet; ndërsa i dyti nëpërmjet politikave të punëzënies që lidhen me zhvillimin e biznesit. Le ti shohim këto mekanizma më konkretisht:
-Në buxhetin e këtij viti janë parashikuar investime publike totale (shp. kapitale + FZR + sek. energjisë) në masën 19.58%1 më shumë se viti i kaluar. Shumë do të thonë: “Ku do t’i gjeni paratë, borxhi po rritet”. Po të shikojmë parashikimet e borxhit të bëra si nga MF-ja, ashtu dhe nga BSH-ja, vihet re se si pasojë e uljes së interesave, rritja e borxhit do të ketë ndikim minimal në kostot e shërbimit të tij. Në tregjet ndërkombëtare në shumë banka qendrore po shfaqen edhe interesa negative, flukset e parave janë të papara ndonjëherë dhe të gjithë kërkojnë të japin kredi. Për pasojë, edhe financimet e borxhit do të jenë me kosto shumë më të ulëta dhe me afat më te gjate. Duhet të kuptojmë se në kohët moderne nuk vlen vetëm analiza e nivelit të borxhit, por dhe perspektiva e kostos së shërbimit të tij. Shqipëria duke qene se ka një borxh të ri në moshë (vetëm 30- vjeçar), shtrirja në kohë e shërbimit të tij është efektive dhe kollaj e realizueshme.
-Po të shikojmë depozitat e bankave të nivelit të dytë të tremujorit të katërt të vitit të kaluar, vëmë re se ato pasqyrojnë një rritje të lehtë, po ajo që është më interesante është ulja e normave të interesit për kreditimet. Shumë do të thonë se vërtet që bankat janë të interesuara që të japin kredi, por nuk ka kërkesa për kredi. Pikërisht politikat e ristrukturimit të ekonomisë do të çojnë në rritjen e kërkesave për kreditime, sepse nuk ka ristrukturim ekonomie pa rritje kreditimi. Ky është ligj i tregut që hyn në ligjet natyrore. Kjo do të sjellë dhe ristrukturimin e bizneseve private.
-Për rritjen e konsumit privat mendoj se përveç masave që janë marrë në buxhetin e këtij viti për mbështetjen e shtresave të popullsisë në nevojë, ristrukturimi i bizneseve dhe i ekonomisë do të çojë dhe në ristrukturimin e tregut të punës.
NDRYSHIMET NE TREGUN E PUNES
Në të gjitha vendet e botës të gjithë analistët e ekonomisë reale pranojnë se siç po na mëson pandemia, ndryshimet me të vështira do të jenë ato të tregut të punës, si rrjedhojë e ndryshimeve në kushtet dhe mënyrën e punës.
Parashikohet nga të gjitha modelet e zhvillimit se: “Rritja ekonomike do të jetë shumë më e shpejtë se rimëkëmbja dhe ristrukturimi i tregut të punës”. Te gjithë parashikojnë një rritje të papunësisë edhe kur ekonomia të jetë në rritje. Kjo për faktin se ristrukturimi i tregut të investimeve është gjithmonë i sfazuar nga ristrukturimi i tregut të punës. Në krizat e mëparshme është vënë re fillimi i rritjes së punëzënies pas gjashtë muajsh. Nisur nga ky fakt, në buxhetin e këtij viti janë shtuar fondet e asistencës sociale me mbi 5% dhe parashikohet që programet e investimeve publike të orientohen në sektorë që kërkojnë menjëherë, që në fazat e para të realizimit të tyre, fuqi të re punëtore.
Një element tjetër i rëndësishëm, që parashikohet të ketë efekte në rritjen e punëzënies ose më saktë të vetëpunësimit, janë ndryshimet ligjore për biznesin e vogël. Po të shikojmë me kujdes gjithë reformën fiskale të biznesit të vogël (dhe ajo e fiskalitetit), do të evidentojë edhe faktin se vetëpunësimi edhe në Shqipëri, si në të gjitha vendet e botës, do të konsiderohet si një masë e suksesshme në uljen e papunësisë.
Gjithashtu, rritja e dixhitalizimit dhe zhvillimi i ekonomisë dixhitale në nivel botëror si pasojë e pandemisë së Covid-19, rriti mundësitë e formave të reja të “Outsourcing” në sferën e shërbimeve dhe vihet re një lëvizje interesante dhe në tregun shqiptar. Ndërsa më parë kërkohej fuqi punëtore për ndërmarrjet fasone, sot po kërkohen të rinj që të punojnë në distancë në sferën e shërbimeve të të gjitha llojeve. Mendoj se në Shqipëri në këtë drejtim ka shembuj shumë pozitivë.
Së fundi, mendoj se nxitja e tregut të punës do të vijë dhe nga ulja e ekonomisë informale si pasojë e dixhitalizimit të ekonomisë dhe reformës së fiskalizimit të saj. Ne duhet ta zhvillojmë me besim, vendosmëri, profesionalizëm dhe optimizëm një reformë të tillë dhe efektet pozitive në punësim do të jenë të dukshme.