Një ngjarje e rëndë ka ndodhur së fundmi në Lushnje.
E moshuara Lume Zela ka rënë pre e dhunës, ku një adoleshente ka organizuar një plan se si do të hynte e do të dilte nga banesa e saj për ta grabitur.
E ngjashme në fizik me mbesën e 64-vjeçares, ajo ia doli të futej në shtëpi, pa u vënë re nga fqinjët, të cilët menduan se në shtëpi hyri mbesa dhe jo një hajdute.
Ajo arriti të shtirej si e sëmurë, duke i thënë se kishte vrimë në zemër.
64-vjeçares iu dhimbs adoleshentja, në moshë me mbesën dhe e lejoi të hynte në shtëpi, dhe i dha edhe ujë për të pirë.
Por kaq mjaftoi që K.B., 16 vjeçe, e cila nis jetën e saj me përballjen në gjykatë për akuzën e “vjedhjes me dhunë e mbetur në tentativë”, të nxirrte nga çanta një spraj djegës. Sprajin ia drejtoi të moshuarës e cila humbi kontrollin e trupit, më pas e tërhoqi zvarrë dhe e futi në një dhomë ku i lidhi duart dhe e kyçi.
Adoleshentja nisi një kërkim gjerë e gjatë në shtëpi për të gjetur para ose sende me vlerë, por nuk mundi t’i gjente vendin ku Zela i kishte fshehur, disa florinj të familjes. E zhgënjyer telefonoi Julian Kiptiun, i cili shkoi dhe e mori. Ata u larguan nga shtëpia e zonjës duarbosh, ndërsa disa orë më pas, u prangosën nga Policia.