Deputetja e opozitës së re Rudina Hajdari tashmë është pjesë e lëvizjes politike “Nisma Thurje”.
Ajo ka treguar ndër të tjera se përse ka shpallur kandidaturën e saj në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Hajdari është shprehur se kërkon të sfidojë problematikat që ka ky qytet si dhe krimin e organizuar.
“Mua më pëlqejnë shumë sfidat. Elbasani është një qytet që nuk duhet të njihet si një qytet me problem madhor me krimin e organizuar. Unë dua të jap në sinjal që dua të përballem me këto sfida. Kam të gjitha kapacitetet për të sfiduar këtë fenomen. Unë shkoj si një kandidaturë për të përfaqësuar qytetarët. Unë kam përkrah qytetarët e Elbasanit. Kjo është një përpjekje për të ndryshuar realitetin atje.
Nëse më parë aktorët politikë mundohen që të lëmoshen me krimin e organizuar duke i mbajtur afër duke dashur mos të cënojnë bizneset e të fortëve, afrimiteti im do të jetë me qytetarët që duan të shohin një zhvillim në jetën e tyre. Duhet një përpjekje reale për një kandidat që të tregojë realitetin që ndodh në Elbasan. Shumë deputetë që kanë qenë në Elbasan nuk ka treguar të vërtetën dhe realitetin” tha Hajadri.
Rudina Hajdari u shpreh se është frymëzuar nga i ati i saj për kandidimin në këtë zonë. Ajo thotë se me politikat që do të ndjekë, do të sjellë ndryshim në zonën e Elbasanit.
“Unë ndjej krenari që jam e bija e Azem Hajdarit. Unë jam e bija, Rudina Hajdari dhe nuk do e lë kurrë që të më shkëputet. Figura e Azem Hajdarit, ka qenë në kandidat në atë zonë, në Librazhd. Kjo është një nga motivet që kam zgjedhur Elbasanin. Unë kam qenë 10 vjeç kur im atë bënte fushata në Librazhd. Ka qenë duke sfiduar një diktaturë, njerëz që e kishin shtypur atë zonë. Ka pasur ndryshime,” tha ajo ndër të tjera për “Repolitix”.