Pasditen e sotme policia kufitare në Kakavijë ka zbuluar një rast të mosdeklarimit të të hollave duke sekuestruar kështu 50 mijë euro.
Për pasojë është proceduar penalisht shtetasi me iniciale I.Sh 41 vjeç, banues në Fier.
Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën të fshehura në valixhe 50.000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 50.000 euro. Procedohet penalisht poseduesi i shumës monetare.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, mjetin tip “Toyota” që drejtohej nga shtetasi I. Sh., 41 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën të fshehura në valixhen e shtetasit I. Sh., 50.000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, shtetasi I. Sh. u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.