Telekomi i Kosovës aktualisht gjendet në krizë të thellë financiare ku po rrezikon të falimentojë dhe 2500 punëtorë do të mbesin pa punë. Ky skenar mund të ndodhë nëse Telekomit brenda dy javësh nuk ua kryen borxhin prej 25 milionë e 900 mijë eurove Z-mobilit.
Kurse, sot sërish do të mblidhet Komisioni parlamentar për hetim në PTK dhe Vala. Ky komision është formuar për të hetuar gjendjen e vështirë që po mbretëron në PTK dhe Vala. Se është në gjendje të keqe kjo ndërmarrje publike e ka konfirmuar edhe drejtori i Telekomit.
Dy javë kohë iu është dhënë Telekomit të Kosovës nga Z-Mobile që të paguajë borxhin prej 25 milionë e 900 mijë euro.
Përmes një letre të dërguar në 26 prill, bëhet e ditur se nëse nuk paguhet shuma në këtë kohë, Z-Mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.
“Tani vendimi i Arbitrazhit është i përmbarueshëm dhe kamatat ligjore rriten çdo ditë, prandaj vonesat në pagesën e borxhit nga vendimi i Arbitrazhit më së paku i konvenojnë Telekomit të Kosovës. Duke pasur parasysh të lartcekurat ju lusim që brenda afatit prej 14 ditësh nga data e pranimit të kësaj shkrese të deklaroheni se a dëshironi ta paguani borxhin vullnetarisht, pa nevojë nga ana jonë që të iniciohen procedurat e përmbarimit”, thuhet në këtë letër zyrtare.
Kompania Z-Mobile ekzekutimin prej rreth 26 milionë euro po e kërkon nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka pritur të hënën kryeshefin e Telekomit të Kosovës Bedri Istrefin, me ç’rast ka premtuar se do ta mbështesë këtë ndërmarrje publike.
Sipas një statusi të cilin ai e ka publikuar në rrjetin Facebook, Haradinaj tha se Qeveria e vendit do të angazhohet për qëndrueshmërinë biznesore e financiare të Telekomit të Kosovës.
“Prita në takim drejtorin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës Bedri Istrefin, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në këtë kompani dhe për obligimet financiare që ka kjo ndërmarrje, duke përfshirë këtu edhe kontratën me Z-Mobile’”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se Telekomi i Kosovës është në prag të falimentimit.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se disa kontrata të lidhura janë duke u hetuar.
“Me implementimin e kodit +383 tani të hyrat në vit janë 5 milionë euro. Telekomi sot prapë po operon me një humbje rreth 15 milionë euro. Telekomi sot rrezikohet nga shumë operatorë për me përfunduar tek përmbaruesi”, ka thënë ai.
“Të gjitha këto kontrata me përfunduar te përmbaruesi e rrezikon operimin e tërësishëm të Telekomit prandaj për këtë arsye Telekomi është në buzë të falimentimit”, ka shtuar ai.
Lluka po ashtu ka bërë të ditur se licenca Telekomit të Kosovës i skadon në korrik.
Edhe kryeshefi në protestë me punëtorët
E kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë se nëse nuk bëhet shpejt një zgjidhje për të mos lejuar shkatërrimin e Telekomit, atëherë, do t’ju prijë 2500 punëtorëve për të kërkuar të drejta në rrugë.
“Jemi duke negociuar. Shpresoj shumë se do të gjejmë një marrëveshje që të mos ekzekutohet vendimi i Gjykatës për t’ia marrë Telekomit ato mjete”, ka thënë Bedri Istrefi.
Ai ka kërkuar ndihmën e Qeverisë për të tejkaluar këtë situatë. Në të kundërtën ka thënë se do të jetë në krye të protestave të 2500 punëtorëve të kësaj kompanie publike.
“Unë do të luaj rolin e kryesindikalistit dhe do të dalë në rrugë bashkë me punëtorët”.
Ndërkohë më i ashpër me pronarët e Z-Mobile ka qenë kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, i cili thotë se nuk i trembet kërcënimeve të Devollëve.
“Për neve si Sindikatë e gjithë kjo është e papranueshme. Në rast të bllokimit të llogarive bankare të Telekomit, situata do të eskalojë pasi që po rrezikohemi të mbesim pa punë, por që këtë nuk do ta lejojmë, pasi që nuk është faji ynë për këtë gjendje të krijuar në Telekomin e Kosovës”.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.
Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.
Si nisi problemi i Telekomit me Z-Mobile
Më 25 janar të vitit 2016, Z-mobile e dërgoi Telekomin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Kompania që udhëhiqet nga Blerim Devolli fillimisht përmes kësaj Gjykate kërkoi që Telekomi t’ia paguante 44 milionë euro dëmshpërblim.
Gjithë këto para, kompania i arsyetoi duke thënë se Telekomi e dëmtoi atë qëllimisht.
Z-mobile pretendonte që gjithë këto dëme iu shkaktuan gjatë periudhës 2011-2014.
Njëri prej dëmeve më të mëdha të cekura në padi, sipas kompanisë së Blerim Devollit ishte problemi me ofrimin e shërbimit 3G dhe 4G, si dhe ndarja e disa Sim Kartelave dhe numrave mobil, që Telekomi do të duhej të bënte ndaj Z-mobile.
Asnjëra prej këtyre obligimeve sipas padisë nuk ishte përmbushur.
E përveç kësaj, aty theksohej se Telekomi drastikisht reduktojë kualitetin e shërbimeve vetëm për konsumatorët e Z-mobile.
Asokohe, drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa pati deklaruar se pretendimet e Z-mobile janë të pabaza.
Megjithatë, kjo shifër prej 44 milionë eurosh të kërkuara në Arbitrazh, tashmë ka zbritur në 25 milionë e 900 mijë euro./ monitor