Mbrëmjen e sotme kryeministri Edi Rama është shfaqur në një intervistë ndryshe, ku ndër të tjera ka folur dhe për marrëdhënien me babain e tij, Kristaqin.
Ai ka thënë se i ati ka qenë si një dhuratë e Zotit për të.
Sipas kreut të qeverisë, asnjëherë nuk është ndjerë i imponuar nga babai, ndërsa ka folur edhe për rastin e Havzi Nelës, ku i ati i Ramës akuzohet se ka firmosur për ekzekutimin e poetit. Ai thotë se nuk është i bindur se firma në atë dokument është e babait të tij.
Për sa i përket akuzave ndaj të atit, ai shprehet se këto janë bërë nga të njëjtët njerëz që fabrikuan gjyqin e ndarjes së tij me mamanë e Gregut, ku këta njerëz kanë shkruar se Rama është shprehur se Gregu është djali i Kristaqit me gruan e Edi Ramës.
“Im atë ishte komunist, ishte artist, skulptor dhe si i tillë ishte njeriu që krijonte dhe punonte, besonte te ai sistem. Si pjesë e pushtetit, nuk kishte asnjë lidhje me pushtetin, thjesht ishte një nga njerëzit që përzgjidheshin për të qenë pjesë e kuvendit ku ngrinin dorën për atë që thoshte partia.
Për rastin e Havzi Nelës nuk i kam dalë në mbrojtje dhe nuk kam bërë të kundërtën. Është një rast shumë i trishtuar i atij individi. Nuk jam prononcuar në lidhje me këtë sepse më mungon fjala e tim eti dhe rasti i tij ka dalë në funksion të lidhjes politike me mua. Më mungon edhe bindja për atë firmë, nuk e kam bindjen për atë firmë. Nuk jam ekspert por firmën e tij e kam në disa nga librat. Jam i prirur të jem i nxituar në këtë aspekt kur mendoj se ata që e nxorën dhe e kthyen në një avaz në publik janë njerëzit që fabrikuan një dosje të tërë gjyqi të ndarjes me nënën e Gregut ku thonin që kisha akuzuar nënën e djalit tim se djali im ishte djali i babait tim. Është e fabrikuar dhe e provuar 100% sepse materialet e gjyqit janë aty. Gjyqi ishte vetëm një seancë pajtimi.
Babai ka qenë një dhuratë e Zotit për mua sepse nuk është përpjekur të më imponohet. S’mbaj mend të ketë ngritur dorën ndaj meje. E vetmja gjë që ndodhte mes nesh kur kishim mosdakordësi, kam qenë një fëmijë rebel në aspektin e të folurës dhe debatit, në fund thoshte “dakort, por ki parasysh se mund të përfundosh në burg”. Ka qenë shumë liberal në raport me mua. Më ka dhënë mundësinë që të jem unë.
Kur u përzgjodh anëtar i Presidiumit të Kuvendit, unë kisha një obsesion t’i thoja :e ke përballë Ramiz Alinë, thuaji nuk vazhdohet kështu”, ka deklaruar Rama në emisionin “Opinion” përballë gazetarit Blendi Fevziu.