Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot pasdite në Elbasan.
Gjatë njoftimit bëhet e ditur se blutë e Elbasanit kanë shkuar për kontroll në shtëpinë e 45-vjeçarit Josif Kavaja, por ky i fundit ka qëlluar me armë drejt tyre, duke u rrezikuar jetën.
Aktualisht zona është rrethuar dhe po punooohet për kapjen e tij.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Më datë 24.12.2020, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kanë shkuar në fshatin Selte, Elbasan, për kontroll banese, me vendim Gjykate, në banesën e shtetasit J. K., pasi dyshohej se dispononte armë zjarri pa leje. Në momentin që shërbimet e Policisë kanë arritur në banesën e shtetasit J. K., ky shtetas, në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë duke u rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Nga të shtënat nuk ka punonjës policie të lënduar. Policia Vendore ka rrethuar zonën në një perimetër të gjerë duke marrë masa sigurie për jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë në atë zonë. Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat speciale Renea. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.